Kolegji Zgjedhor i ka hequr dy kandidatët për bashkitë e Prrenjasit dhe Malësisë së Madhe PSD për mosplotësim kriteresh ligjore.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar Gjinushi i cili thotë se KQZ ka rënë në dorë të Ramës.
Gjinushi e konsideron vendimin e Kolegjit Zgjedhor si shkelje të Kushtetutës, duke u distancuar edhe më tej nga Rama, tanimë ish-aleat.
“Partia Social Demokrate e Shqipërisë konstaton me keqardhje se institucionet e pavarura që monitorojnë zbatimin e ligjit për zgjedhjet kanë shkelur vetë me dy këmbë ligjin dhe Kushtetutën duke mohuar të drejtën e kandidimit të kandidatëve tanë. Me vendimin e marrë më dt. 29 Maj 2015, Kolegji Zgjedhor është ulur në gjunjë para PS-së dhe LSI-së, ka shkelur Kushtetutën duke mohuar të drejtën për kandidim të dy kandidatëve tanë, përkatësisht Ardian Hysës në Malësi të Madhe dhe Artur Topit në Përrenjas”, tha Gjinushi.
Gjinushi tërheq vëmendjen që të mos krijohen situata të ngjashme me ato që krijoheshin në kohën e Berishës.
“Partia Socialiste bashkë me ne luftuam dy vjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa kujtuar luftën dhe përpjekjet në zgjedhjet e ‘96-ës, pa kujtuar 8 majin apo ‘97-ën, kjo bën të njëjtat gjëra që bënte PD-ja. Kur PD-ja i bëri kundër Ramës në maj në Tiranë, ne kemi qenë mbrojtësit kryesorë. Kolegji dhe KQZ janë sjellë ndaj nesh siç u soll Ristani ndaj PS-së. Ndërsa keqpërdoren institucionet si më parë, atëherë nuk ka rilindje”, përfundoi Gjinushi.









