Gjinushi: Dekriminalizimi nuk vlen nëse nuk largohen përgjegjësit e super aferave
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka deklaruar dje se pavarësisht trumbetimeve që bëhen çdo ditë nga përfaqësues të dy kampeve politike për dekriminalizimin e parlamentit, vetë klasa politike nuk e dëshiron një gjë të tillë. Ai u shpreh se nuk do të ketë asnjë vlerë nëse largohen personat e dënuar, ndërkohë që në politikë vijojnë të jenë prezentë persona që ka kryer afera gjigante. Sipas tij, ky proces po kryhet vetëm falë këmbënguljes së ndërkombëtarëve.
“Të gjithë e dimë së nuk ndryshon asgjë me largimin e disa të dënuarve, ose jo, në qoftë se nuk largohen ata që janë përgjegjës numër një të aferave dhe super aferave në politikë. Pandëshkueshmëria në nivelet e larta është treguesi kryesor i saj që politikanët dhe klasa politike. Politikanët ose klasa politike ka një imunitet ndaj veprave penale, pavarësisht se imuniteti në ligj u hoq. Nuk mendoj se ndërkombëtarët nuk e kanë të qartë këtë gjë, por e kanë kapur atë temën e dekriminalizimin, që në gjuhën popullore është ti biesh pragut që të dëgjojë dera. Në fakt godet atje për të thënë që kush është i lidhur me të fortin në politikë duhet të hapë rrugën”, deklaroi ai. Duke folur mbi propozimet e bëra nga të dyja kampet politike, Gjinushi u shpreh se edhe nëse votohen të fortët do të vijojnë të jenë prezentë në Parlamentin Shqiptar. Sipas tij, ata votohen edhe nga vetë populli.









