Admiral, është kënaqësi t’ju kemi në këtë intervistë për News24. Cili është qëllimi i vizitës tuaj në Tiranë?
Aurora, faleminderit juve dhe News24 dhe popullit shqiptar, faleminderit që më keni ftuar dhe faleminderit për mikpritjen. Qëllimi im këtu është i dyfishtë. Vij në cilësinë time si Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli, Itali, e cila përfaqëson të 29 anëtarët e NATO-s – sigurisht Shqipëria është një anëtare e fortë dhe pjesëmarrëse në shumë prej aktiviteteve tona. Vij edhe në cilësinë time si Komandant i Forcave Detare të SHBA për Europën. Pata mundësinë sot të takohesha me Zëvendës-Ministrin tuaj të Mbrojtjes, Shefin e Shtabit, dhe Komandantin e Flotës. Patëm bisedime gjatë gjithë mëngjesit dhe një pjesë të pasdites lidhur me mënyrën se si mund të bashkëpunojmë më tej në këtë botë kaq sfiduese ku jetojmë.
Patët ndonjë diskutim specifik me Zëvendës-Ministrin?
Po, nuk është hera e parë që jam në Tiranë. Kisha ardhur këtu në vitin 2005, kur isha pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së SHBA nga Uashington, D.C. E fillova nga përtej kufirit në IRJM dhe udhëtuam me makinë për këtu pas Marrëveshjes së Ohrit, ju kujtohet. Ishte mbledhja fillestare e Kartës së Adriatikut dhe çoi në planet e shumë vendeve të Ballkanit për të filluar planet e veprimit për anëtarësim. Katër vite më vonë, u bëtë anëtarë të suksesshëm të NATO-s. I thashë Shefit të Shtabit dhe Zëvendës-Ministrit, së pari, se çfarë surprize e këndshme ishte kur arrita në Tiranë sot në mëngjes dhe po kaloja në mes të qytetit. Ka ndryshuar shumë. Dukshëm, ka pasur shumë zhvillim, një ekonomi në lulëzim dhe shumë ndërtime të reja krahasuar me herën e fundit. Ajo që nuk ka ndryshuar janë njerëzit dhe mikpritja. Të gjithë ishin shumë miqësorë dhe mikpritës dhe u thashë se, nga këndvështrimi amerikan, ishte surprizë e këndshme të shihja aq shumë flamuj amerikanë në vendin tuaj sepse ekziston një lidhje shumë e ngushtë miqësie midis shqiptarëve dhe amerikanëve dhe kjo është e mrekullueshme.
Mendoni se dëbimi i diplomatëve rusë nga mbi 20 shtete, përfshirë këtu Shqipërinë, për çështjen Skripal do ta ndryshojë mjedisin e sigurisë për shkak të raporteve të reja që po krijohen me Moskën? A mendoni se situata mund të degradojë në një konflikt në të ardhmen?
Mendoj se ajo që ndodhi në Salisbury, në Mbretërinë e Bashkuar, ishte absolutisht skandaloze. Nuk mendoj se ka ndonjë dyshim nga ana e demokracive perëndimore, anëtarëve të NATO-s, përfshi Shqipërinë, se kush ishin përgjegjësit faktikë, se kush e kreu këtë akt agresioni brenda territorit Sovran të Mbretërisë së Bashkuar. Ajo që është e shkëlqyer për këtë përgjigje, është se është një përgjigje masive, për të dëbuar diplomatë rusë dhe për të dërguar një mesazh shumë të fortë në Moskë dhe vendi juaj bëri të njëjtën gjë. Keni dëbuar dy diplomatë në solidaritet me pjesën tjetër të vendeve; vendi im ka dëbuar 60. Ky është një mesazh shumë i fortë për njerëzit në Moskë. Mendoj se janë ende në fazë mohimi, mohim të kryerjes së aktit dhe në mohim edhe të përgjigjes nga perëndimi.
Ishte koha të bëheshim bashkë dhe të shtynim fort, në mënyrë që të kishte një sinjal të fortë dhe mendoj se ky sinjal shtrihet edhe tek mbrojtja. NATO është një aleancë mbrojtëse. Arsyeja për Artikullin 5 është që nëse sovraniteti i ndokujt sulmohet në ndonjë mënyrë a formë, ne do të përgjigjemi. Ne nuk kërkojmë operacione agresive apo ofensive. Ne nuk paraqesim rrezik për Federatën Ruse, edhe pse ata sillen sikur nuk është kështu. Thjesht po mbrojmë interesat tona të 29 anëtarëve aktualë, përfshi Shqipërinë.
A është e vërtetë se Rusia është një fuqi sëcilës duhet t’ia kemi frikën?
Do të thoja se Rusia është një fuqi rajonale, jo një superfuqi siç ishte në botën dypolare të luftës së ftohtë. Ata u dobësuan shumë kur humbën satelitët e Traktatit të Varshavës dhe kjo e irriton administratën aktuale në Moskë, për fat të keq, sepse vërtet nuk mendoj se ne paraqesim ndonjë kërcënim. Mund të kishte shumë më tepër përparim midis Rusisë dhe perëndimit nëse do të kishte më shumë bashkëpunim dhe më pak absurditete si kjo ngjarje që ndodhi në Angli, apo aneksimi i paligjshëm i Krimesë dhe konflikti i ngrirë aktualisht në Ukrainë. Duhet të jetë një mesazh për të gjithë partnerët dhe aleatët, qofsh anëtar i tanishëm i NATO-s apo jo, që Rusia është një vend shumë i rrezikshëm dhe se ata paraqesin kërcënim për perëndimin. A mendoj se do sulmojnë? Jo. Nuk mendoj se kanë synime për një sulm të hapur, por çdo ditë, ne shohim aktivitete të ndryshme që ndodhin në hapësirën kibernetike dhe në median sociale, të cilat përbëjnë kërcënim për idealet tona perëndimore dhe demokracinë tonë. Ne luajmë sipas rregullave, ne kemi ligje. Ata nuk luajnë sipas rregullave dhe mendoj se kjo është shumë e rrezikshme.
Por Moska refuzon të ulet në tryezë me NATO-n, është e qartë.
Kemi pasur një dialog me Rusinë në Bruksel në të kaluarën. Shpresoj që ky dialog të mund të rifillojë. Aktualisht, me sa di, shumë prej diplomatëve që përfaqësojnë interesat ruse në Bruksel iu është kërkuar të largohen dhe aktualisht nuk ka një ambasador vëzhgues në detyrë. Prandaj, derisa situata të korrigjohet, nga Moska – ne do t’i vëzhgojmë veprimet e tyre me shumë kujdes – atëherë ai dialog ndoshta nuk do të ndodhë. Dhe pikërisht në atë çast shqetësohem, kur dështojmë të bisedojmë, sepse dialogu dhe negociatat mund të shmangin konfliktin dhe kur ndalon së pasuri dialog rriten rreziqet dhe gjërat bëhen më të rrezikshme për vendet apo grupet e vendeve sidomos në një botë shumëpalëshe.
Sa e fuqishme është NATO përpara Rusisë në rast të ndonjë skenari të tillë? NATO a mund të mbronte vendet balltike nga një sulm i Rusisë?
Absolutisht. Në detyrën time të fundit – ky është mandati im i pestë në Europë – mandatin e tretë në Napoli, isha komandant i Flotës së Gjashtë të SHBA. Ishta Komandant i Forcave Goditëse dhe Mbështetëse të NATO-s. Çdo vit bëjmë një stërvitje në Detin Balltik, të quajtur BaltOps. Isha Komandant në vitin 2015 dhe 2016. Rreth 5,500 forca, ushtarë, marinarë, pilotë, marinas, rreth 50 anije, 70 avionë, çdo vit, në qershor shkojnë për t’i demonstruar solidaritetin partnerëve tanë në Balltik dhe tregojmë se jemi seriozë në lidhje me mbrojtjen e tyre, në rast se ata vënë në zbatim Nenin V. Në detyrën time aktuale, si Komandant i Forcave të Forcave të Bashkuara Aleate, Napoli, po bëhemi gati të kryejmë një stërvitje po aq të rëndësishme në tetor 2018. Dhe nuk do jenë 5,000 forca, por do të jenë 35,000 forca pranë bregdetit të Norvegjisë, duke kryer stërvitje për zbarkim amfib dhe përgatitje për mbrojtjen e Aleancës së NATO-s, nëse në very ndodh diçka e pafat.
Gjatë këtyre stërvitjeve, keni pikasur anije spiune nga Rusia?
Në det ka shumë anije dhe me raste, rusët dhe vende të tjera dërgojnë anije për të grumbulluar inteligjencë. Kjo është diçka që nuk më shqetëson. Është kostoja e kësaj pune dhe, sinqerisht, në ujëra ndërkombëtare, lejohet nga Konventa e OKB-së mbi të Drejtën Detare.
Le të flasim për Ballkanin Perëndimor. Sa i sigurt është Ballkani Perëndimor?
Mendoj se që nga fundi i konfliktit në Kosovë në vitin 1999, Ballkani është bërë një mjedis më i sigurt dhe i mbrojtur. Ajo që bëjmë, si Komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate, Napoli, dhe si Komandant i forcave në terren në Kosovë, kemi 4,000 trupa në Kosovë sot. Në fakt edhe trupat shqiptare janë aty. Isha atje përpara pak javësh në kampin Marechal De Lattre de Tassigny. Është një kamp i vjetër francez ku kemi batalionet tona të inteligjencës, survejimit dhe rikonjicionit; trupat shqiptare janë atje në detyrë dhe duke kryer një punë të shkëlqyer. Jemi në terren, në monitorim dhe duke u siguruar që demokracia të mund të funksionojë dhe të lulëzojë. Një nga gjërat që bëmë tetorin e kaluar ishte mbikqyrja e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur gjatë zgjedhjeve lokale. Kishim 2,000 trupa, gjysma e forcave, në terren, në fshatra dhe rreth 20 helikopterë në ajër dhe nuk pati asnjë incident të vetëm në ndonjë qendër votimi në Kosovë. Dhe ky është thelbi i demokracisë; që njerëzit të ndihen të sigurt dhe të lirë për të dalë dhe votuar. Eventualisht, policia e Kosovës dhe qeveria e Kosovës do të duhet t’i marrin përsipër këto institucione sigurie dhe çështje sigurie për të rregulluar demokracinë vetë. Ky është vetëm një shembull. Isha në Bosnje, në Sarajevë, pak javë më parë. Bosnja sapo iu përgjigj 2,000 pyetjeve për Bashkimin Europian për aplikimin paraprak për anëtarësim në BE. Nuk janë anëtarë në NATO. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe mendoj se ka shumë vende që ju kanë zili sepse ju keni ndërmarrë hapin e parë dhe jeni pjekur gjatë rrugës së integrimit euroatlantik. Pra, duke pasur në kufi vende që reflektojnë institucione dhe vlera perëndimore dhe sundimin e ligjit, mendoj se kjo e bën Ballkanin edhe më të sigurt. Megjithatë, janë pak gjëra që më shqetësojnë. Vrasja më 16 janar e Oliver Ivanoviçit në Mitrovicën veriore; ushë isha atje më pas për të biseduar me kryebashkiakun e Mitrovicës jugore dhe Mitrovicës veriore dhe policinë gjyqësore, për t’i siguruar që KFOR do ishte aty për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur. Çështja e fundit me politikanin serb të Kosovës që kaloi kufirin, u arrestua, u trajtua keq dhe më pas u kthye në Serbi dhe kjo sigurisht çoi në pasoja politike për qeverinë në Kosovë. Arsyeja pse kjo më shqetëson është sepse deri në atë moment, po zhvillohej një dialog i shkëlqyer midis Prishtinës dhe Beogradit dhe mendoj se ai dialog duhet të vazhdojë me qëllim që në rajon të ketë paqe dhe stabilitet.
A mendoni se siguria në Ballkanin Perëndimor është përmirësuar gjatë kësaj decade?
Absolutisht. Absolutisht. Mund ta shohësh kudo ku shkon. Ekonomi tregu në lulëzim, ndërtime të reja, të rinj që duan të udhëtojnë, të mësojnë, të studiojnë; bizneset që lindin. Së fundi takova dy sipërmarrës në Kosovë; njëri drejton një kompani IT dhe tjetri një kompani e njohur për lëngje frutash që bën smoothie më të mira në Kosovë, sipas kosovarëve me të cilët kam folur; po hapin vende pune. Po rrënjosin një ekonomi tregu, e cila do çojë para tek autoritetet, tek populli dhe tek biznesi. Dhe, shumë biznese mund të lulëzojnë në mënyrë që vendi të bëhet më i pasur dhe nga kjo pasuri, paratë mund të shkojnë tek njerëzit.
A ka NATO një strategji për të neutralizuar ndikimet e reja gjeopolitike, sidomos ato ruse, për të depërtuar në Ballkanin Perëndimor?
Mendoj se gjëja më e mirë që ka NATO është që jemi 29 demokraci dhe është e vështirë të thuash që ekziston demokraci në Federatën Ruse. Kishin zgjedhje atje. Nuk kishte shumë kandidatë dhe rezultati ishte më së shumti i siguruar për Presidentin Putin. Nuk dukej sikur ekzistonte mundësia që çdo rus të votonte sipas ndërgjegjes apo për kandidatin e vet. Disave iu ndalua kandidimi në zgjedhjet presidenciale. Ne, nga ana tjetër, kemi një demokraci të lirë dhe të drejtë dhe, kur ka mosmarrëveshje, njerëzit kanë mundësinë të votojnë, njerëzit kanë mundësinë të mos marrin pjesë në qeverisje, kanë mundësinë të marrin pjesë në qeverisje, dhe që zëri i tyre të dëgjohet dhe zëri i secilit është i barabartë. Duhet të them që idealet tona do të triumfojnë ndaj atyre që kanë synime dashakeqe ndaj perëndimit dhe ndaj demokracive të perëndimit.
Admiral, cilat janë planet e NATO-s për të përforcuar sigurinë në një rajon të brishtë si Ballkani Perëndimor?
Fakti që jemi këtu dhe që vazhdojmë të trajnojmë dhe të ofrojmë mundësi për forcat tuaja të sigurisë, forcat tuaja ushtarake dhe shtabin e përgjithshëm për t’u bërë edhe më të zotë në fushën e tyre të mbrojtjes është diçka që NATO e bën. Më duhet ta përgëzoj Shqipërinë. Shqipëria është e përfshirë në shumë stërvitje dhe operacione që janë përtej kufijve të saj sepse keni ushtarakë shumë të zotë. Gjithmonë e kam admiruar personelin ushtarak shqiptar, qofshin në flotë, forcat ajrore apo ushtri. Jeni në Afganistan dhe mbështesni operacionin Mbështetja Vendimtare dhe numri i trupave që kontribuoni pritet të rritet pak dhe mendoj se të gjithë në NATO janë të lumtur për këtë. Është një fushatë shumë e rëndësishme që përpiqet t’i japë popullit afgan lirinë për të stabilizuar një vend që është plot me organizata të dhunshme ekstremiste. Jeni në Kosovë me një prani shumë të fortë. Jeni në veri, në operacionin Prania e Përforcuar Pararojë në Danimarkë; po tregoni se jeni në solidaritet me aleatët balltikë. Jeni në Afrikë, me misionin trajnues të BE-së në Mali. Pra përqasja e Shqipërisë është 360 gradë. Dhe, më duhet t’ju them, për një vend me këto përmasa dhe me forca ushtarake me këto përmasa, ka një shprehje amerikane – godisni shumë më lart se pesha së cilës i përkisni në boks. Po bëni një punë të shkëlqyer dhe keni kontributin e dytë më të lartë për frymë nga të gjitha vendet e NATO-s ndaj më duhet ta përgëzoj Shqipërinë, qeverinë tuaj dhe ushtarakët tuaj për këtë.
Autoritetet kosovare janë shprehu se këtë pranverë FSK do transformohet në Forcën e Armatosur të Kosovës. A e mbështet SHBA dhe NATO formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës? Në këtë situatë, mendoni se NATO do të reduktojë praninë e trupave në Kosovë këtë vit apo në të ardhmen?
Ma bëjnë shpesh këtë pyetje. Ma bëjnë vetë kosovarët dhe përgjigja është gjithnjë e njëjta: që NATO e ka bërë shumë të qartë, me deklarata shumë të forta dhe deklarata politikash nga ministrat e jashtëm, nga Zëvendës-Sekretarja e Përgjithshme kur vizitoi së fundi Kampin Film City, shtabin e KFOR, se në mënyrë që të ndodhë një tranzicion i Forcës së Sigurisë të Kosovës në diçka tjetër, me sa kuptohet një ushtri, duhet të ndodhë reforma kushtetuese. Sepse aktualisht nuk ka nen në kushtetutë që e lejon ngritjen e një ushtrie në Kosovë. Duhet të ketë një amendim të kushtetutës dhe, me procedurë, me ligj, një amendament kushtetues i pranuar nga i gjithë populli i Kosovës, kërkon shumicë prej dy të tretash. Pra, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara, përtej Forcës Kosovare të Sigurisë, që mendoj se janë shumë profesionistë dhe të zotë, do duhet të kryejnë reformë kushtetuese dhe të amendojnë kushtetutën. Nëse e bëjnë këtë, mendoj që NATO do të rishikonte përmasat e pranisë së forces së sigurisë dhe do të vendoste se çfarë do të donte të bënte në të ardhmen.
Në lidhje me Shqipërinë, çfarë mendoni për shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen?
Vite përpara, në 2009 ose pak më vonë, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen ishin rreth 2% e PBB. Për disa vite, ra në 1% ose më poshtë. Mendoj se kohët e fundit, qeveria shqiptare, me kërkesë të ushtarakëve dhe me kërkesë të aleatëve dhe partnerëve të NATO-s dhe qendrës në Bruksel, ka rivlerësuar shpenzimet e saj për mbrojtjen dhe është zotuar të rrisë shpenzimet për mbrojtjen përsëri tek 2% me afat vitin 2024. Është për t’u përgëzuar kjo. Jo shumë vende e kanë marrë këtë angazhim, por Shqipëria e ka bërë dhe mendoj se do të keni përfitime prej kësaj teksa modernizoni një flotë shumë të zotë dhe forcë ushtarake shumë të zotë.
Edhe një pyetje e fundit, Admiral. Jeni komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate, Napoli, dhe Komandant i Forcave Detare të SHBA për Europën dhe Komandant i Forcave Detare të SHBA për Afrikën. Sa e rëndësishme është fuqia detare e vendeve anëtare të NATO-s?
Po bisedon me një oficer të marinës ndaj mund të jem pak i anshëm, por mund të them se nga 29, 21 vende anëtare kanë një lloj force në det. Besoj se në Europë, po të shohësh hartën e Europës dhe sheh formën e tokës në hartën e Europës, kupton se rrethohet nga uji – Arktiku në veri, Atlantiku Verior, hapësira Grenlandë-Islandë-Mbretëria e Bashkuar, Deti Balltik, Deti Mesdhe dhe Deti i Zi. Europa në fakt është një gadishull i rrethuar nga uji ndaj mendoj se për mbrojten e Europës, duhet të mbrojmë kufijtë në tokë por edhe linjat detare të komunikimit, nga të cilat varet 90% e tregtisë. Prandaj liria e deteve, liria që të gjithë të përdorin linjat ndërkombëtare të transportit detar është thelbësore. Kushdo që kërcënon këtë duhet penguar. Prandaj të gjithëve na duhet një flotë e fortë, përfshi Shqipërinë, dhe kjo është një pikë që e kam ngritur sot.
Admiral, shumë faleminderit për këtë intervistë. Ishte një kënaqësi e vërtetë.
Aurora, kënaqësi e vërtetë për mua. Faleminderit shumë ju dhe faleminderit popullit shqiptar që më mirëpritën për dy ditë dhe pres me kënaqësi të kthehem sërish. /balkanweb