Një tjetër operacion antidrogë i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza është zhvilluar mbasditen e djeshme ku është finalizuar në mbrëmje pas 6 orë ndjekie.
Policia ka sekuestruar një mjet lundrues Skaf me një sasi prej 533.5 kilograme lënde narkotike (të dyshuar si Canabis Sattiva), me dy shtetas italianë në bord.
Rreth orës 12.50, QNOD (Qendra Ndërkombëtare Operacionale Detare në Durrës), ka njoftuar për një mjet që lëvizte me shpejtësi nga perëndimi në drejtim të kepit të Rodonit.
Menjëherë u vunë në lëvizje mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe Migracionit, të GdF dhe u njoftua INTERFORCA.
Ndjekja nga Policia Kufitare dhe GdF vazhdoi deri në ujërat ndërkombëtarë.
Në këtë kohë mjetet aeronautike dhe detare italiane të GdF hynë në veprim dhe rreth orës 19.00 në momentin e hyrjes në ujërat italiane u identifikua dhe ndalua mjeti i lundrimit me dy persona në bord dhe me ngarkesën me lëndë narkotike prej 533.5 kilogramë.
Drejtuesit e mjetit ishin dy shtetas italianë A.M, 38 vjeç dhe A.C, 60 vjeç, te dy nga Brindisi
GdF ndaloi dy skafistët dhe sekuestroi ngarkesën me Cannabis Sattiva.
GdF italiane ka vlerësuar Policinë e Shtetit/Policinë Kufitare dhe QNOD për shkëmbimin në kohë të informacionit dhe bashkërendimin e operacionit që çoi në identifikimin e mjetit, kapjen e autorëve dhe sekuestrimin e lëndës narkotike.
Panorama/d.i.