Nga Kristo Mërtiri
“Ikën Pilua e vjen Dilua !”. Kjo urtësi e hollë gjirokastrite, koncize, vezulluese e njëkohësisht fshikulluese, më erdhi natyrshëm në mendje të enjten mbrëma, teksa po ndiqja i rrethuar nga trishtimi qytetar disa video demaskuese të bllokimit të rrugëve nacionale në Shqipërizën tonë. Vecse njerën e pashë disa herë :-Një grua e moshuar flokëbardhë ecte si me hap sorkadhi ballë për ballë turmës që brohoriste në ekstazë dhe nuk lejonte udhëtimin e njerëzisë me automjete. Era e majit sikur i falte dicka të vecantë dëborës së thinjave fisnike. Policia e Shtetit vëzhgonte e rreshtuar buzë rrugës, djathtas, e qetë dhe me uniforma të pastra e dinjitoze. Por ama asfaltin e kishin pushtuar mitingashët ! Një megafon shpërtheu hapësirën e qelqtë :” Ne demokratët jemi vetëm për paqe (kujt ia thoshte, vargut të automjeteve me pasagjerë të nervozuar që shanin e mallkonin ?), ne do fitojmë !…Sepse në krye kemi idhullin tonë, yllin polar !…”. Prijësin me takëme fonie të madhe, befas e shoqëruan ca zëra cjerrës gati në kupë të qiellit : Basha ! Basha !…Po vinte gruaja plakë me cantën hedhur krahëve, që përpiqej të përmbante irritimin e ligjshëm. Dhe u thirri drejtpërdrejt e qartë :
-Cilët janë organizatorët e bllokimit të rrugës ?!…More djem, më thoni, ku të urinojë nëna, të shkojë te shkurret e këtushme ? Po me fëmijët, si do vejë halli ?…
-Merrni sufllaqe !,-i bërtiti dikush nga turma (Po të ishte nëna e tij, vallë kështu do hungëronte ?)…
-Dëgjoni nënën, hapni udhët e protestoni ku të doni ! Mbajeni mend, votat nuk fitohen me dhunë…Kështu e largoni cdo ditë popullin nga vetja !
Fol o gur, fol o mur ! As që dëgjonin nga ky vesh militant i dyllosur keqazi me kohë. Dhe harrojnë një të vërtetë të madhe : Protestat paqësore pa shkatërrime e bllokime absurde, e vënë në mengene cdo qeverisje, të majtë e të djathtë ! Duke i vënë gishtin kokës përballë qytetarisë shqiptare. Aq më tepër tani, kur “Opozita, e pozicionuar tashmë jashtë sistemit”(sic theksoi saktë një miku im i vjetër publicist e intelektual 24 karat, Profesor me djersë balli), mjetin kryesor dhe pothuajse të vetmin për të vazhduar ekzistencën në politikë ka protestat. Mirëpo mungesa skandaloze e frymës qytetare, në fund të fundit, i vë litarin në fyt vetë Demokracisë që nuk është pronë e asnjë partie e qeverie. I zë frymën civilizimit europiano-perëndimor dhe ngre në piedestal hipokrizinë, gënjeshtrat me bisht e pa bisht, kthen në mënyrë jetese mjeshtërinë e neveritshme të mashtrimit kudo e për cdo gjë.
Së pari, politikanët tanë pasanikë të parave të pista i gënjen mendja se në vitin 2019 po u hedhin “trutë e gomarit” votuesve shqiptarë nëpër Shqipërizën tonë halleshumë. Sa për mua, unë vazhdoj të kem bindjen time të palëkundur se kjo elitë politike e sotme duhet shporrur nga drejtimi aventuresk e rrokopujë gati 30 vjecar i vendit. Përndryshe Shqipëria do lëngojë gjatë ! Madje do të vazhdojmë të mërmërisim a belbëzojmë përditë vargjet e famshme agolliane të poezisë “Majtas dreqër, djathtas djaj”! Tejendanë atdhetare, realiste, e kulluar si burimet e bora në male. U lodhëm, u raskapitëm e u shkoqëm brenda e jashtë vatanit ! U dëshpëruam e u zhgënjyem tmerrësisht, padrejtësisht e djallëzisht nga Polit(h)ika pa moral. Politikë që e bëri trokë Shqipërinë dhe milionere “shkërdhatokracinë” ! U përmbysën e u bënë copë e thërrime, shpresa e ëndërrime ! Shkoi për lumë djersa dhe sakrificat e një brezi të tërë idealist gjer në dhimbje. Brez që nisi udhën drejt Botës së Re pa shtypës e të shtypur, me pushkë e me penë për mëmëdhenë, me djersë të ndershme. Dhe sot, shumicës së tyre u dridhen duart të pijnë një kafe a një shishe ujë të ambalazhuar ! E nisën nga rrugët e urat e rrafshuara nga pushtuesit nazifashistë dhe sahanlëpirësit e tyre në Veri e në Jug; nga qetë e parmenda; nga Arsimimi përballë analfabetizmit; nga fabrikat, uzinat e kombinatet, nga pallatet e apartamentet falas; nga vatrat, shtëpitë e pallatet e Kulturës; nga hidrocentralet e minierat që zbukuronin e mbanin gjallë edhe zyrat e rrugët e Evropës; nga Universitetet e deri Institutet prestigjioze dhe Akademia e Shkencave etj.
Së dyti, militantët e verbër partiakë dhe lukunia e nepotizmit, një ditë mund të mbeten si peshku pa ujë, pa mbështetje me dy gishtat lart e pa zulmë. Duke u tjetërsuar në zullumqarë e mujsharë të pandreqshëm, që ditë e natë ia qepin sytë partisë e aspak Shqipërisë ! Sepse njerëzve të thjeshtë e fukarenjve nuk ua fshin dot memorien, fjala vjen, nga zezonat ulërimë të Otrantos; nga depot e shqyera të Ushtrisë që të nesërmen sosën e groposën qindra djem nënash të pafajshme (asnjë politikan e pinjoll i tyre !) nga Jugu në Veri; nga 30 të djegurit e të pjekurit për së gjalli në flakët e korrupsionit galopant të Gërdecit pranë zemrës së kryeqytetit; nga fundshkallët e përgjakura të Kryeministrisë me gjak protestuesish që mbanin duart në xhepa; nga hajdutëria e pashembullt e trojeve apo nëpër veprat punëtore të monizmit dhe gjer te shtëpitë e pushimit të punëtorëve pa asnjë punëtor të vërtetë; nga vdekja e minierave dhe e qyteteve të tyre fatkob; nga Universitetet shitblerëse të Diplomave kallpe e të doktoraturave kallpazane etj. etj. Dhe nuk janë thjesht ca gjynahe a mëkate të ca gjytyrimëve gjynahqarë që “u zuri rrota bishtin”! Përkundrazi. Dhe as u hyn dikush në gjynah. Pa i pagëzuar si gjynahqarë të gjorë !…
Së treti, “kauza e kolltuqeve qeveritare” duket sheshit dhe nuk mund të fshihet dot nën maskën e cjerrë të vjedhjes së votave. Maska që sot na bëjnë për të qeshur e për të qarë, sa herë vishen mbi kokat e “mosbindjes civile”! Pandëshkueshmëria “ligjore” e krerëve të krrimbur në pasuri e katandi vjedharake, i bën ata rondokopë të “ngrenë kala me mendtë e veta” si në ëndërrimet stafidhe e aguridhe. Përshembull, ditët e fundit, mileti dëgjoi deklarata të njoma e të thata :-Njëri na thotë se “do e pranojmë të ulet në tavolinë, vetëm si kryetar i PS, jo si Kryeministër”. Tjetri ia këputi të enjten në mbrëmje:”S’ka tryezë dialogu me shkaktarin e krizës !”. Pra, njeri i bie gozhdës e tjetri i bie patkoit ! Populli nuk di si t’i thëërasë publikisht: “Qëndrestarë”, kolltukofagë apo zullumqarë ?! Dhe pret të votojë vetëm partitë shushunja, e më tepër yxhym e në tym. Sepse askush nuk duhet ta dijë se për kë kandidat voton(?). Mbi 11 vite kështu : Vendosin e vulosin vetëm Njëshat, timonierët e plotfuqishëm të partive poltike ! Elektorati ka 11 vite që torollepset “përtej Urës së Qabesë”…
Së fundi, le ta themi troc : Mjaft prej atyre hipokritëve sipërorë që organizojnë e drejtojnë paturpësisht bllokime rrugësh, janë tamam si ata që historikisht “hanë bajga, pastaj protestojnë kur gjejnë një qime”! Të lyer e ngjyer kokë e këmbë me para të qelbura, sot gjoja përgjërohen për qytetarët e këputur e të ndukur nga dhëmbët e florinjtë të korrupsionit e të hajdutërisë majtas e djathtas. Hajdutëri që po u fal arratinë fëmijëve të shtresave të paprivilegjuara (aspak trashëgimtarëve të tyre lindur e rritur mbi pupla). Të mos keqkuptohemi hic : Unë e adhuroj shpirtin e pastër të protestës, si në monizëm dhe në pluralizëm ! Madje kam paguar edhe një kosto jo të vogël herët. Por ama urrej djegjet e shkatërrimet, nëpërkëmbjen e Ligjit e të Kushtetutës, vetë rrumpallën në rrokullimë politike, sociale e ekonomike. Nuk thotë kot i mencuri, përvec hajdutëve e vagabondëve të papunë, nga anarkia e bllokimi anadollak nuk përfiton asnjë njeri i ndershëm që nuk pranon kurrsesi dhunën e shkatërrimin. Por një miku im mësues pensionist nga Dangëllia, pasi dëgjoi debatet rreth kësaj teme, i vuri kapak muhabetit me 4 vargjet e Naimit të pavdekshëm :
Lërini se do ta gjejnë;/
Të vërtetën do ta njohin;/
Se tani s’e dinë c’bëjnë/
Janë të verbët e s’shohin !…
Po i ashtuquajturi “elektorat gri”, a po peshohet mirë nga liderë-kalanderët tanë të pispillosur e të karfosur në zyra, vetura, vila e apartamente luksoze ? Me sa duket, po maten me hijet e mëngjezit ! Shkurt, votat e tyre nuk i blen dot as sot e as mot, as majtas e as djathtas. Mirëpo, ata janë shumuar jo pak dhe kërkojnë forca të reja politike me djem e vajza të pakorruptuar e të shkolluar për së mbari. Apo është e largët kjo ditë ? Dhe pastaj, pas “pilafit” tradicional le ta shtyjmë me atë urtësinë e bukur gjirokastrite : Ikën Pilua e vjen Dilua ?!”…