Më 28 qershor 1914, trashëgimtari i fronit të Perandorisë Austro-Hungareze, Arkiduka Franc Ferdinandi dhe bashkëshortja e tij Sofia, u vranë në një atentat, gjatë vizitës që po kryenin në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës.
Vrasësit ishin pjesëtarë të një organizate sekrete serbe. Tensionet pasuese diplomatike midis Austro-Hungarisë dhe mbretërisë së Serbisë u përshkallëzuan, derisa mes tyre shpërtheu lufta. Aleancat e ndryshme tërhoqën shpejt në luftë Rusinë, Gjermaninë, Francën, Britaninë dhe perandoritë e tyre në konflikt.
Tridhjetë e shtatë ditë pas vrasjes, kishte filluar Lufta e Parë Botërore. Deri në fundin e saj, ajo do të shkaktonte 39 milionë të vdekur nga të dyja kampet. Por Lufta e Madhe, mund të ketë ndodhur vetëm për shkak të një gënjeshtre.
Lufta e Parë Botërore, filloi në thelb kur Austria i shpalli luftë Serbisë. Kjo nxiti aktivizimin e një sërë traktatesh të nënshkruara më herët- premtime të bëra vite më parë nga fuqitë europiane, që i detyronin ato t’i vinin në ndihmë njëra-tjetrës.
Sigurisht, ironia është se këto traktate ishin hartuar me synim dekurajimin e fuqive europiane për të hyrë në luftë kundër njëra-tjetrës – një lloj Shkatërrimi i Sigurtë Reciprok (MAD) i epokës para-bërthamore.
Arsyeja madhore e Austrisë për të hyrë në luftë me Serbinë, ishte vrasja e Arkidukës Ferdinand. Njeriu që qëlloi mbi të ishte Gavrilo Princip, një anëtar i “Dorës së zezë”, një shoqëri sekrete e nacionalistëve ushtarakë serbë. Ajo synonte shkëputjen e të gjitha vendeve sllave nga Perandoria Austro-Hungareze.
Pas vrasjes, Austria lëshoi një ultimatum ndaj Serbisë, duke kërkuar që qeveria serbe të denonconte dhe asgjësonte të gjitha grupimet terroriste nacionaliste në territorin e saj. Serbia nuk u pajtua me atë ultimatum, ndaj Austria-Hungaria i shpalli luftë.
Por sipas historianit Tim Baçer, kjo është gënjeshtra që shtrihet në zemër të “luftës që do t’i jepte fund të gjitha luftrave”. Ai argumenton se Austria i manipuloi faktet, për të krijuar një pretekst për të pushtuar Serbinë. Gavrilo Princip ishte në fakt boshnjak, dhe për këtë arsye një qytetar i Perandorisë Habsburase.
Familja e tij kishte rrënjë serbe, por nuk kishte jetuar atje prej qindra vjetësh. Është e vërtetë se ai u zhvendos në Serbi, ku dhe u radikalizua. Por urrejtja e tij ndaj Austrisë, u rrit kur Perandoria aneksoi në mënyrë të paligjshme Bosnje Hercegovinën më 1908.
Perandoria e zhvendosi vëmendjen nga Princip, tek njeriu që e trajnonte dhe e furnizonte atë: Majori Vojisllav Tankosiç, një oficer në ushtrinë serbe, dhe një anëtar themelues i “Dorës së Zezë”. Nëpërmjet tij, zyrtarët në Vjenë mund të fajësonin inteligjencën ushtarake dhe mbretërinë serbe për vrasjen.
Në fakt, Serbia i druhej Austrisë, dhe Major Tankosiç shkeli politikën serbe, kur formoi “Dorën e Zezë”. Për më tepër, ambasadori serb e kishte paralajmëruar ministrin austriak të Financave se Arkuduka Franc Ferdinandi mund të vritej në Sarajevë.
Austro-Hungarezët e shpërfillën këtë fakt, kur dorëzuan ultimatumin e tyre në korrik 1914. Kjo për shkak se ultimatumi u hartua në një mënyrë të tillë që të refuzohej. Ministri i Jashtëm, Konti Leopold Bertold, sipas fjalëve të tij, bëri “kërkesa të papranueshme” në ultimatum.
Në listën e kërkesave, ai kërkoi që Serbia të shkatërronte mënjëherë të gjitha lëvizjet propagandistike anti-austriake, të shpërndante të gjitha organizatat nacionaliste serbe, dhe të arrestonte të gjithë ata që ishin të përfshirë në vrasje në territorin serb, duke lejuar austriakët të merrnin pjesë në hetimin dhe gjykimin e kësaj çështje.
Për habinë e Bertoldit, Serbia i pranoi të gjitha kërkesat – me përjashtim të të fundit. Austria u inkurajua nga aleatja e saj, Gjermania. Britania u përpoq të organizonte një konferencë ndërkombëtare për të parandaluar një luftë botërore, por Gjermania e refuzoi.
Ajo i premtoi Austria një mbështetjeje të gjerë ushtarake. Madje Ministria e Jashtme gjermane, e mbajti Kajzerin Vilhelm II jashtë vendit gjatë gjithë krizës, në mënyrë që ai të mos kishte mundësi të “ndërhynte me idetë e tij pacifiste”. Vrasja e Franc Ferdinandit, thjesht i dha Austrisë justifikimin që i duhej.
Perandoria e Habsburgëve donte të zgjerohej në Ballkan, dhe Serbia ishte rivalja e saj më e madhe në rajon. Qeveria austriake, ishte në gjendje të shfrytëzonte një sulm të tmerrshëm nga një grup i vogël ekstremistësh për të justifikuar ambiciet e saj imperialiste, në emër të mbrojtjes nga terroristët.
Mjerisht, shumë gënjeshtra të tjera u thanë nga çdo komb. Kjo është natyra e propagandës, e cila arriti ekstreme të reja gjatë Luftës së Parë Botërore. Britania, i mblodhi “baronet” e saj të mediave për të udhëhequr ministrinë e re të Informacionit. Përveç censurimit të lajmit të keq për dështimet ushtarake të Britanisë në frontin e luftës, ajo përhapi histori se gjermanët kryenin masakra, përdhunonin dhe gjymtonin gra dhe fëmijë.
Hetimet gjatë dhe pas luftës, nuk gjetën prova që t’i mbështesin këto pretendime. Kur një nëndetëse gjermane mbyti anijen “Lusitania” dhe vrau 1200 civilë, kjo u paraqit si një krim lufte. Por SHBA-ja dhe Britania e fshehën faktin se ajo anije transportonte në fakt armatime, dhe Gjermania kishte paralajmëruar se ishte një objektiv i luftës.
Sikurse shkroi gazetari i luftës Filip Najtëll:”I gjithë aparati i shtetit, hyri në veprim për të shtypur të vërtetën”. Në vitin 1917, presidenti Udrou Uillson tha se Amerika duhej t’i bashkohej luftës, për t’i dhënë fund tiranisë, dhe për të ruajtur demokracinë. Në vitin 1919 ai tha:”A ka ndonjë fëmijë që nuk e di se fara e luftës në botën moderne, është rivaliteti industrial dhe tregtar? Kjo është një luftë industriale dhe komerciale”.
Kjo është arsyeja, se përse lufta u përshkallua aq shpejt. Perandoritë e ndryshme të përfshira në të, ishin kaq konkurruese, sa që do të shfrytëzonin çdo mundësi që u jepej për të rrëmbyer territorin, dhe për të dobësuar njëra-tjetrën.
Ata nuk prisnin që lufta t’i dobësonte të gjithë deri në atë përmasë, sa që do t’i hapte rrugën Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’u bërë fuqia hegjemone në botë – dhe të hidhnin themelet për një Luftë të Dytë Botërore. Edhe atëherë, lufta mund të ishte shmangur.
Austro-Hungaria shpërfilli paralajmërimin për rrezikun që i kanosej Arkidukës në Sarajevë. Ajo fajësoi me dashje qeverinë serbe për veprimet e një grupi të fshehtë terrorist, vrasësi i të cilës ishte lindur në Perandorinë e tyre.
Ata manipuluan të vërtetën për të justifikuar luftën me rivalen e tyre. Të gjitha fuqitë kryesore, e fshehën të vërtetën, për të inkurajuar miliona njerëz të zakonshëm të luftonin dhe vdisnin. Fuqia shtytëse pas Luftës së Parë Botërore, ishte një seri e pafundme gënjeshtrash.
AllTimeCons – bota.al