Në ‘Studio Live’ të Report Tv u analizua pikërisht ky raport i publikuar sot, gjendja politike brenda PD-së dhe akuzat e Berishës për vjedhje votash, por edhe dështimi i partive të reja për t’u bashkuar dhe maksimalizuar votën.
Për gazetarin Anri Bala, kryetari i PD-së Sali Berisha po përdoret si nga të tijët, ashtu edhe nga Rama, pasi tani janë kthyer në ‘parti karagjozësh’, ku qëllim ka qenë që të shpëtohej Berisha nga akuzat penale që ka dhe hallet me drejtësinë.
“Çdo lajm që del nga PD nuk besohet, janë kthyer në parti karagjozësh, madje as vartësit aty nuk besojnë liderin e tyre. Kjo gjendje mosbesimi ka qenë edhe më parë, por tani shqiptarët nuk i besojnë më kësaj opozite. Gjithë forca, paratë, retorika dhe teoria e liderit të PD-së ka pasur një funksion, lirimi nga akuza apo mbrojtja e zotit Berisha, ku pamë se Gjykata e çoi në gjyq vetëm pas zgjedhjeve. Ose edhe në vendimin e zbutjes së masës së sigurisë ku gjyqtari theksonte se duhet liruar Berisha se ka fushatë. Pra nuk ka qenë qëllim rotacioni, por mbrojtja e Berishës, ta mbajmë Berishën me gjylpera, derisa larg qoftë politikisht të largohet”, tha Bala.
Madje ai shkoi më tej, duke theksuar se Berisha po përdoret aq shumë, sa “po varroset për së gjalli” politikisht, teksa edhe fizikisht është parë gjatë fushatës së lodhshme që nuk ka pasur gjendje të mirë shëndetësore edhe për shkak të moshës.
“Faktikisht këta po e varrosin për së gjalli Berishën dhe mua më vjen keq që e shoh kështu. Media që e mbështet po e varros për së gjalli, po e përdorin deri në fund. Po e marrin më qafë, mediat, njerëzit e tij dhe madje halli i tij. Ai duhet të jetë të shijojë pleqërinë, nipër dhe mbesa. Nuk drejton dot një fushatë në atë moshë, sikurse organizimi i strukturave, sikurse është kundërshtari”, vijoi Bala.