• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, September 20, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Gazeta gjermane: “Revolucioni i Flamingove” nuk është shndërruar në lëvizje masive

by E B
20/09/2026 17:53
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Protestat e përditshme në Tiranë, të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, dhe përballja me Kryeministrin Edi Rama janë në fokus të një artikulli të publikuar nga gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Sipas artikullit, pavarësisht vijimësisë së tyre prej më shumë se 100 ditësh, protestat nuk kanë arritur të shndërrohen në një revoltë masive. Kryeministri Rama i konsideron ato një provë besimi për qeverinë e tij dhe një mundësi për reflektim.

“Për mua është një sfidë. Por kjo është diçka e mirë. Gjatë gjithë jetës sime politike, gjërat nuk kanë shkuar kurrë vërtet mirë kur nuk jam sfiduar. Zakonisht jam më i mirë kur sfidohem. A do të jem më i mirë edhe këtë herë? Shpresoj. Nuk e di. Koha do ta tregojë. E ardhmja do ta dëshmojë”, citohet Kryeministri Rama.

 Sipas kryeministrit, protestat janë një shenjë pozitive kur qytetarët dalin në rrugë për biodiversitetin, mbrojtjen e mjedisit dhe çështje të tjera me interes publik.

Kryeministri thekson se tashmë nevojitet një “shtet përkujdesës”, i cili dëgjon dhe merr seriozisht përvojat e qytetarëve, përmirëson cilësinë e shërbimeve dhe investimeve dhe forcon besimin e qytetarëve te shteti. Këto qëndrime lidhen edhe me reflektimet e qeverisë dhe të grupit parlamentar mbi mënyrën se si institucionet duhet t’u përgjigjen shqetësimeve të qytetarëve.

Sa i përket investimeve të mundshme në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit, Kryeministri Rama thotë se nuk mund të flitet për një “shitje” të Shqipërisë.

Kryeministri sqaron se ishulli i Sazanit vijon të jetë pronë e shtetit shqiptar dhe se nuk është arritur ende një marrëveshje për zhvillimin e ish-zonës ushtarake nga investitorë privatë.

“Rama këmbëngul se promovimi i investimeve të huaja direkte, veçanërisht në sektorin e turizmit, nuk e bën atë një vegël të Trumpit. Sipas tij, perspektiva e investimeve me vlerë mbi katër miliardë euro në projektet e planifikuara nga Jared Kushner dhe partnerët e tij nuk është diçka që një kryeministër mund ta refuzojë thjesht, nëse mendon për interesin e vendit”, shkruhet në artikull.

Lidhur me ndikimin e protestave në turizëm, artikulli vëren se ato sollën një ngadalësim të lehtë të rritjes së sektorit, por situata duket se është kapërcyer. Shqipëria pritet të regjistrojë këtë vit 14 deri në 15 milionë vizitorë, krahasuar me rreth 12.5 milionë një vit më parë.

Artikulli i plotë:

Nga Matthias Rüb, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”

Prej më shumë se njëqind ditësh ata mblidhen çdo mbrëmje. Rreth orës 19:00 njerëzit grumbullohen në zemër të Tiranës dhe ecin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Afërsisht në gjysmën e rrugës ndodhet zyra e kryeministrit, për të cilin kërkojnë dorëheqjen. 

Pikërisht aty protesta bëhet më e zhurmshme. Hera herës, para godinës ka përplasje me efektivët e policisë dhe arrestime, por shumicën e kohës situata mbetet paqësore.

Kështu ndodh mbrëmje pas mbrëmjeje. Gjatë ditëve të javës, protestuesit janë dukshëm më të shumtë në numër sesa në fundjavë, kohë kur edhe protestuesit më këmbëngulës zgjedhin ndonjëherë detin, në vend që të qëndrojnë gjithmonë në rrugët e Tiranës. Këto të fundit mbushen nga të rinjtë që dalin për të festuar. Ata festojnë të paktën po aq zhurmshëm dhe gjatë sa protestuesit demonstrojnë. Janë dy botë paralele që duket sikur nuk priten me njëra-tjetrën.

I vetëshpalluri “Revolucion i Flamingove” në Shqipëri, deri tani nuk është shndërruar në një lëvizje masive. Megjithatë, ka treguar këmbëngulje. Të njëjtën gjë po bën edhe kreu i qeverisë Edi Rama. Ai është në pushtet që prej vitit 2013 dhe është i vendosur të qëndrojë deri në fund të legjislaturës në vitin 2029. 

Cila palë do t’ia dalë të rezistojë deri në fund?

Protestat në kryeqytetin shqiptar nisën në fund të majit. Shkak u bë ndërhyrja e ashpër e punonjësve të një kompanie private sigurie pranë një gardhi kantieri. Gardhi ishte ngritur në skajin verior të gadishullit të Zvërnecit, ku do të nisnin punimet paraprake për një projekt turistik luksoz. Kundër projektit, që po shtyhet përpara nga kompania e investimeve Affinity Partners e Jared Kushnerit, dhëndrit të Donald Trumpit, kishin protestuar në vend disa qindra persona. 

Gjatë protestës pati përplasje pranë gardhit. Rojet tërhoqën zvarrë disa protestues mbi zhavorr për t’i larguar nga gardhi i kantierit. Pamjet e regjistruara me celular të ndërhyrjes, ku askush nuk u lëndua rëndë, u bënë virale.

Por si mundi një incident relativisht i parëndësishëm të shndërrohej në një lëvizje proteste kombëtare, që madje e quan veten revolucion? 

Kjo lidhet edhe me flamingot, të cilët lëvizja i ka zgjedhur si simbolin simpatik të ndryshimit që synon. Ambientalistët druhen se kolonitë e flamingove rozë dhe të shpendëve të tjerë shtegtarë mund të rrezikohen nga bumi turistik në jug të Shqipërisë – veçanërisht nga resortet luksoze të planifikuara nga investitorët arabë dhe nga Katari të lidhur me grupin e Kushnerit. Habitati i flamingos rozë është pikërisht Laguna e Nartës, një zonë e mbrojtur pranë Zvërnecit.

‘Lëvizja e Flamingove’ e akuzon qeverinë për korrupsion dhe kërkon zgjerimin e zonave të mbrojtura, fundin e favorizimit të investitorëve të mëdhenj dhe zgjedhje të reja demokratike.

Fillimisht Rama, i cili drejton Partinë Socialiste që prej vitit 2005 dhe qeverinë që prej vitit 2013, u përpoq t’i linte protestat të vetëkonsumoheshin. Protestuesve u tha se nuk mund të shfaqeshin një ditë të bukur dhe të rrëzonin nga detyra kryeministrin e zgjedhur dhe qeverinë e tij. 

“Kështu nuk funksionon. Duhet të prisni deri në zgjedhjet e ardhshme.” Ishte një argument i vështirë për t’u hedhur poshtë. Në zgjedhjet parlamentare të majit 2025, Rama dhe socialistët e tij kishin fituar më shumë se 52 % të votave. Ishte fitorja e katërt radhazi e socialistëve në zgjedhje, ndërsa Rama dhe partia e tij kishin rritur vazhdimisht përqindjen e votave.

Megjithatë, pikërisht pasi kishte marrë mandatin më të fortë nga zgjedhësit, Rama u përball papritur me kërcënimin më serioz ndaj pushtetit të tij. Pak më pak se dy muaj pas nisjes së protestave, ai ndryshoi taktikë. Në vend që t’u tregonte më tej “grushtin” protestuesve nëpërmjet retorikës, tani po përpiqet t’u rrahë shpatullat. Protestat, thotë tani, janë shenjë e vitalitetit dhe stabilitetit të demokracisë shqiptare. Ai bën dallimin mes atyre që paraqesin kërkesa legjitime dhe duhen dëgjuar, dhe atyre që, sipas tij, po përdoren nga kundërshtarët e tij brenda dhe jashtë vendit për qëllime politike.

Në një fjalim të fortë para grupit parlamentar të socialistëve në fund të korrikut, Rama paraqiti strategjinë e re të qeverisë. Ai foli për një krizë të thellë të besimit publik. Përpara figurave të partisë së tij, të mësuara me fitore elektorale, Rama u ankua për “paradoksin e suksesit”: sa më shumë zhvillohet dhe begatohet një shoqëri, aq më pak ajo gjykon atë që është arritur dhe funksionon, dhe aq më shumë përqendrohet te ajo që mungon dhe nuk funksionon.

Shoqëritë e varfra, tha ai, janë më tolerante ndaj mangësive, sepse mbizotëron mendësia se “mund të ishte edhe më keq”. Shqipëria, sipas Ramës, e ka lënë pas këtë fazë dhe ka hyrë në një tjetër, ku mbizotëron ideja se “mund të ishte edhe më mirë”.

Prandaj, sipas tij, tani nevojitet një “shtet përkujdesës”, që të dëgjojë dhe marrë seriozisht përvojat e qytetarëve, të përmirësojë cilësinë e shërbimeve dhe investimeve dhe në këtë mënyrë të forcojë besimin e qytetarëve te shteti.

Fjalimi i Ramës u prit, pozitivisht nga deputetët dhe funksionarët e Partisë Socialiste. Përfaqësuesit e Lëvizjes së Flamingove e hodhën poshtë si një manovër retorike për të shmangur vëmendjen nga problemet themelore: korrupsioni, mungesa e transparencës dhe shkatërrimi i mjedisit.

Sali Berisha, kreu i opozitës konservatore nga Partia Demokratike, hodhi dyshimin se Rama kishte përdorur inteligjencën artificiale për të hartuar dokumentin 40-faqësh, të cilin e cilësoi pa përmbajtje dhe të shkruar keq.

Vetë Rama nuk të jep përshtypjen se ndihet i vënë në mbrojtje nga “Revolucioni i Flamingove”. Ai të pret në zyrën e tij në Kryeministri. Atletet e bardha i ka poshtë tavolinës. Me pantallonat e gjera të zeza, pulovrën e zezë dhe me çorape të zeza. Në një varëse rrobash varen fanella basketbolli që ish-lojtari i kombëtares shqiptare i ka marrë dhuratë. Dollapët dhe raftet janë të mbushura me objekte të ndryshme arti.

Rama nuk beson se vendi ndodhet në një pikë kthese, e aq më pak në një pikë thyerjeje. “Por pa dyshim është një provë besimi.” Ai thotë se përpiqet ta shohë gotën njëkohësisht gjysmë plot dhe gjysmë bosh. 

“Nëse dikush tjetër e sheh gotën gjysmë bosh, është në rregull. Ai sheh më pak atë që kemi arritur dhe kërkon më shumë. Ndërsa ai që e sheh gotën gjysmë plot, sheh pikërisht atë që kemi arritur.”

Në parim, sipas tij, është shenjë pozitive kur njerëzit dalin në rrugë – për biodiversitetin, për mbrojtjen e mjedisit dhe për çështje të tjera.

“Për mua është një sfidë. Por kjo është diçka e mirë. Gjatë gjithë jetës sime politike gjërat nuk kanë shkuar kurrë vërtet mirë kur nuk jam sfiduar. Zakonisht jam më i mirë kur sfidohem. A do të jem më i mirë edhe këtë herë? Shpresoj. Nuk e di. Koha do ta tregojë. E ardhmja do ta dëshmojë.”

Sa i përket shkakut të drejtpërdrejtë të protestave në rivierën shqiptare, Rama kujton se kontakti i parë me Jared Kushner dhe Ivanka Trump për një investim të mundshëm në Zvërnec dhe në ishullin e Sazanit kishte ndodhur në një kohë kur Donald Trump nuk ishte ende sërish president.

“Jeta e Trumpit në atë kohë lëkundej mes burgut dhe Shtëpisë së Bardhë.”

Rama këmbëngul se fakti që, si kryeministër shqiptar, promovon investimet e huaja direkte në vendin e tij, veçanërisht në sektorin kyç të turizmit, nuk e bën atë një vegël të Trumpit.

Dhe perspektiva e më shumë se katër miliardë eurove investime në projektet e planifikuara nga Kushner dhe partnerët e tij, thotë Rama, nuk është diçka që ai si kryeministër mund ta refuzojë thjesht, nëse mendon për interesin e vendit.

Megjithatë, sipas tij, nuk mund të flitet për një “shitje” të Shqipërisë. Ishulli i Sazanit vazhdon të jetë pronë e shtetit shqiptar dhe do të mbetet i tillë. Ende nuk është arritur asnjë marrëveshje për zhvillimin e mundshëm të ish-zonës së mbyllur ushtarake nga investitorë privatë në një resort luksoz.

Në qershor, protestat sollën një ngadalësim të vogël në rritjen e turizmit shqiptar. Tani kjo duket se është kapërcyer. Këtë vit Shqipëria pritet të regjistrojë 14 deri në 15 milionë vizitorë, krahasuar me rreth 12.5 milionë një vit më parë.

Next Post
Tajani: Italia nuk është në luftë, por BE-ja duhet të forcojë misionin detar në Detin e Kuq

Tajani: Italia nuk është në luftë, por BE-ja duhet të forcojë misionin detar në Detin e Kuq

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Haradinaj ngjitet në majën e Rupës, publikon pamje me flamurin e UÇK-së

Haradinaj ngjitet në majën e Rupës, publikon pamje me flamurin e UÇK-së

September 20, 2026
Ekspertët: Demenca po prek më shumë njerëz dhe rastet po shfaqen në moshë më të re

Ekspertët: Demenca po prek më shumë njerëz dhe rastet po shfaqen në moshë më të re

September 20, 2026
Trafik i rënduar në aksin Lezhë-Milot, radhë kilometrike pas kthimit nga bregdeti

Trafik i rënduar në aksin Lezhë-Milot, radhë kilometrike pas kthimit nga bregdeti

September 20, 2026
“Epsteini” ynë

Vendimi i Gjykatës Speciale rrëzoi arsyet për të cilat ajo ishte ngritur

September 20, 2026
Krisafi: Shqipëria mund të anëtarësohet në BE deri në 2030, Serbia ka ngecur për mungesë vullneti politik

Krisafi: Shqipëria mund të anëtarësohet në BE deri në 2030, Serbia ka ngecur për mungesë vullneti politik

September 20, 2026
Zogaj sfumon protestën e PD në Kuvend: Nuk është më aktore në betejën kundër korrupsionit

Dënimet në Hagë: Midis solidaritetit njerëzor ndaj të akuzuarve dhe keqkuptimeve alla shqiptare për drejtësinë

September 20, 2026
Rusia thellon bashkëpunimin me Iranin, nga energjia bërthamore te kanalet financiare dhe industria ushtarake

Rusia thellon bashkëpunimin me Iranin, nga energjia bërthamore te kanalet financiare dhe industria ushtarake

September 20, 2026
Paaftësia e një deputeti “antikomunist” për të kuptuar krimet e komunizmit

Paaftësia e një deputeti “antikomunist” për të kuptuar krimet e komunizmit

September 20, 2026
Zgjedhjet në Gjermani, goditje për CDU-në e Merz, AfD kryeson në Mecklenburg, e Majta në Berlin

Zgjedhjet në Gjermani, goditje për CDU-në e Merz, AfD kryeson në Mecklenburg, e Majta në Berlin

September 20, 2026
Trump i hap rrugë sanksioneve ndaj Rusisë, DASH miraton në parim shitjen e pajisjeve ushtarake për Ukrainën!

“Huthitë kanë rënë dakord të mos sulmojnë SHBA”, Trump: Jemi në fazën e vendimmarrjes për Iranin

September 20, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com