Nga Fatos Çoçoli
Të dhënat e INSTAT për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 tregojnë një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja direkte në Shqipëri. Për periudhën janar–qershor 2026, investimet e huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro, duke u rritur me rreth 50 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Kjo është një shifër me rëndësi të veçantë për ekonominë tonë, sepse investimet e huaja direkte nuk përfaqësojnë vetëm hyrje kapitali. Ato lidhen me pasuri të paluajtshme, kapital financiar, energji, tregti, teknologji, shërbime, punësim, konsum dhe zgjerim të aktivitetit ekonomik.
Një element veçanërisht i rëndësishëm është struktura e këtyre investimeve. Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 53% e fluksit të investimeve të huaja direkte në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 lidhej me blerjet nga të huajt të apartamenteve dhe zyrave tek ne.
Kjo do të thotë se nga 1.14 miliardë euro investime, rreth 604 milionë euro kanë qenë të lidhura me blerjen e pasurive të paluajtshme nga investitorë të huaj, ndërsa rreth 536 milionë euro kanë ardhur nga kategori të tjera investimesh.
Shtimi 50 përqind: sinjal për forcimin e interesit të kapitalit të huaj
Kalimi në 1.14 miliardë euro nga investimet e huaja direkte në vetëm gjashtë muaj, tregon se Shqipëria vazhdon të jetë një destinacion me interes për kapitalin ndërkombëtar.
Tabela 1: Investimet e huaja direkte 2023-2026
– 2023 1.49 miliardë euro (+8.7%)
– 2024 1.58 miliardë euro (+5.7%)
– 2025 1.64 miliardë euro (+3.7%)
– 2026 1.14 miliardë euro (si gjashtëmujor) (+50%)
Një shtim me rreth 50 përqind të investimeve, në raport me janar–qershor 2025 do të thotë se ritmi i hyrjes së kapitalit të huaj është përshpejtuar ndjeshëm, duke u bërë pothuajse një galop. Po pse? Sepse çdo italian, spanjoll, gjerman, anglez, nordik, madje edhe polak që vjen si turist tek ne, mbjell një dëshirë dhe interes për investim në blerje apartamentesh tek ne.
Për një ekonomi të vogël si e jona, investimet e huaja direkte kanë peshë të konsiderueshme, pasi plotësojnë kapitalin vendas dhe financojnë aktivitete që kërkojnë investime më të mëdha, sesa të përballoheshin vetëm nga kursimet e emigrantëve dhe nga kapitali vendas.
Mbi 1 miliard euro kapital i huaj rrit aktivitetin ekonomik
Një fluks prej 1.14 miliardë eurosh krijon efekte të drejtpërdrejta dhe indirekte në ekonominë tonë. Investimet krijojnë kërkesë për ndërtim, materiale ndërtimi, shërbime profesionale, banka dhe sigurime, transport, tregti, energji, teknologji, shërbime juridike dhe financiare, administrim të pasurive të patundshme dhe punësim.
Prandaj dhe ndikimi i investimeve të huaja direkte nuk duhet matur vetëm me shumën fillestare të kapitalit të futur në vend. Ai ka efekt të shtuar domino, pasi një pjesë e këtij kapitali qarkullon më pas në ekonominë tonë, përmes kompanive, punonjësve dhe furnitorëve.
Fakti që 53 përqind e investimeve të huaja direkte lidhen me blerjen e apartamenteve dhe zyrave tregon se pasuritë e paluajtshme vazhdojnë të jenë një prej kanaleve kryesore për hyrjen e kapitalit të huaj në Shqipëri.
Kjo ka disa përfitime ekonomike. Së pari, sjell kapital të huaj në tregun shqiptar të pasurive të paluajtshme. Së dyti, stimulon aktivitetin e sektorit të ndërtimit. Së treti, rrit kërkesën për shërbime të lidhura me pronat, si administrimi, mirëmbajtja, projektimi, financimi, sigurimi dhe ndërmjetësimi. Së katërti, blerësit e huaj që përdorin pronat në mënyrë sezonale ose të përhershme gjenerojnë kërkesë edhe në turizëm, gastronomi, transport dhe tregti.
Investimet në financë dhe sigurime forcojnë sistemin ekonomik
Një tjetër pjesë e rëndësishme e investimeve të huaja është e orientuar drejt sektorëve financiarë dhe të sigurimit. Kapitali i huaj në këta sektorë sjell produkte të reja financiare, teknologji, standarde të reja menaxhimi, konkurrencë më të madhe, zgjerim të shërbimeve për bizneset dhe individët, si dhe përmirësim të menaxhimit të riskut.
Për një ekonomi që po kalon drejt një përdorimi më të madh të pagesave elektronike dhe shërbimeve financiare moderne, investimet e huaja në financë dhe sigurime kanë rëndësi edhe për modernizimin e tregut.
Shumëllojshmëria e vendeve të origjinës në investimet e huaja direkte
Sipas të dhënave të INSTAT, Austria kryeson për fluksin e investimeve të huaja direkte, me rreth 121.9 milionë euro, ose rreth 80% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo tregon forcimin e interesit të kapitalit austriak ndaj ekonomisë shqiptare.
Pas Austrisë renditet Turqia, me rreth 111.6 milionë euro investime. Në grupin e vendeve me flukse të konsiderueshme përfshihen gjithashtu Italia, Holanda dhe Kosova, ku Italia regjistron rreth 88.7 milionë euro, ndërsa Holanda dhe Kosova rreth 66.7 milionë euro secila, sipas shifrave të dhëna.
Tabela: Flukset e investimeve të huaja sipas vendeve, janar-qershor 2026
Austria 121.9 mln €
Turqia 111.6 mln €
Italia 88.7 mln €
Holanda 66.7 mln €
Kosova 66.7 mln €
Totali i IHD-ve 1.14 mld €
Këto të dhëna tregojnë se burimet e kapitalit të huaj janë relativisht të diversifikuara dhe se Shqipëria po tërheq investitorë nga disa tregje evropiane dhe rajonale.











