Pas parkimit te sheshi “Skënderbej”, Tiranës i është shtuar edhe një tjetër parkim publik nëntokësor te Bulevardi i Ri, i cili përveçse si një arterie kryesore e kryeqytetit, ofron edhe mundësi parkimi për qytetarët. Parkimi nëntokësor do t’i shërbejë si atyre që vijnë në Tiranë përmes këtij aksi, edhe banorëve të zonës që frekuentojnë institucionet përreth. Në dy vjetorin e zgjedhjes si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Ervin Bushati inspektuan sot ambientet e parkimit nëntokësor të ndërtuar në Bulevardin e Ri të Tiranës, i cili ka një kapacitet prej 328 vendesh dhe nga sot është në shërbim të qytetarëve.
Veliaj vlerësoi transformimin që ka pësuar Tirana në kaq pak kohë duke mundësuar realizimin e projekteve, të cilat deri para pak kohësh as që mund të mendoheshin, siç është edhe rasti i këtij parkimi. “Sot hapim një pjesë të dytë të projektit të bulevardit, i cili është parkingu i dytë nëntokësor në Tiranë, pas atij te sheshi “Skënderbej”. Dy vite më parë as imagjinohej që Tirana të kishte disa parkingje nëntokësore. Sot hapim të dytin, ndërkohë që brenda vitit do të fillojmë parkingun te stadiumi “Qemal Stafa”, te sheshi “Italia”, për të zgjidhur edhe aty problemin e parkingut. Sot është një ditë shumë e veçantë për mua sepse bëhen fiks dy vjet nga zgjedhja ime si kryetar bashkie, kur populli i Tiranës më bekoi me ndoshta punën më të bukur që një njeri mund të ketë në jetë, t’i shërbejë qytetit të vet. Më vjen mirë që ky investim përkon me këtë ditë shumë të shënuar dhe shumë emocionale për mua”, tha Veliaj.
Ai bëri të ditur se ky investim përveçse do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së parkimit për shumë qytetarë, do të lehtësojë edhe trafikun e makinave që vështirësohet shpesh herë prej parkimeve të gabuara nëpër rrugë.