“Pas dështimit të negociatave për një koalicion mes konservatorëve, liberalëve dhe të gjelbërve në Gjermani kancelarja Angela Merkel qëndron si shkëmb para valëve të stuhishme. Kritikat drejtohen kundër 38-vjeçarit Christian Lindner, i cili, siç thuhet, në çastin vendimtar i iku përgjegjësisë.”
Nga Enver Robelli*
Gjermania nuk mund të krahasohet me Kosovën, por nganjëherë krahasimet ndihmojnë për të parë si krijohet një qeveri- dhe si dhe pse dështon krijimi i saj në një vend demokratik dhe- nga ana tjetër- si lidhen koalicionet në Kosovë. Dy-tri faqe, jo më shumë, i patën mbushur PDK dhe LDK kur e lidhën koalicionin e fundit. Njëra parti premtonte 200 mijë vende të punës, tjetra 120 mijë. Të gjithë e dimë si mori fund kjo shfaqje teatrale. Në Gjermani marrëveshjet e koalicionit janë aq voluminoze, saqë mund të krahasohen me vëllimin e veprave të filozofëve si Immanuel Kant apo të Karl Marxit dhe Friedich Engelsit.
Në katër javët e fundit konservatorët gjermanë (CDU/CSU), liberalët (FDP) dhe të gjelbërit (Grüne) zhvilluan negociata gjithëpërfshirëse. Rezultati i tyre do të shkrihej pastaj në një marrëveshje të përbashkët koalicioni, e cila do të zbatohej pikë për pikë në katër vitet e ardhshme. Koalicioni i synuar quhej Xhamajka për shkak të ngjyrave të partive gjermane, të cilat të kombinuara krijojnë flamurin e shtetit të Xhamajkës. Dallimet mes këtyre partive janë të mëdha, një koalicion i tillë nuk ka ekzistuar kurrë në Gjermani. Sidomos mes liberalëve dhe të gjelbërve nuk shihet ndonjë pajtueshmëri në shumë tema. Të gjelbërit angazhohen për një politikë humanitare ndaj refugjatëve, ata kërkojnë që refugjatët e pranuar tashmë të kenë të drejtë të sjellin në Gjermani familjet, shumë për zemër të gjelbërit e kanë edhe mbrojtjen e ambientit, mbylljen e termocentraleve me qymyr dhe ndalimin e motorëve me lëndë djegëse në periudhën afatmesme. Qëndrime krejt të tjera mbajnë liberalët: ata angazhohen që ekonomisë t’i lihet një hapësirë e gjerë veprimi, ku shteti mundësisht luan rol minimal, ndërmarrjet, sipas kësaj logjike, duhet të paguajnë sa më pak tatime, mbrojtja e ambientit nuk duhet të pengojë zhvillimin ekonomik, po ashtu liberalët janë për një politikë më të ashpër ndaj të huajve. Mes këtyre dy pozicioneve qëndronin konservatorët – CDU dhe CSU (partia simotër nga Bavaria).
Të dielën pak para mesnatës shefi i liberalëve, Christian Lindner, i cili është vetëm 38-vjeçar dhe akoma duket sikur të ketë braktisur gjimnazin para dhjetë ditësh, doli para mediave dhe tha se partia e tij po largohej nga negociatat për shkak se dallimet programore me të gjelbërit ishin të pakapërcyeshme. Lindner mbante në duart që i dridheshin një letër nga e cila lexonte qëndrimet e FDP-së, partisë së Hans-Dietrich Genscherit, Klaus Kinkelit dhe Guido Westerwelles, që të tre personalitete të njohura edhe në viset tona.
Në mesin e konservatorëve dhe të gjelbërve mbretëroi habi e madhe pas këtij vendimi. Me gjasë ata nuk prisnin një kthesë aq të madhe. Në historinë e Republikës Federale të Gjermanisë një dështim i tillë i partive për të krijuar qeverinë nuk ka ndodhur kurrë. Domethënë: nuk ka bërë vaki në 70 vitet e fundit. Në mediat gjermane fajtori i madh për këtë dështim është emëruar qartë: ai është Christian Lindner. Në një koment të gazetës liberale «Süddeutsche Zeitung» që në hyrje nënvizohet: «Një njeri kishte një ëndërr. Ai dëshiron të jetë Emmanuel Macron ose së paku Sebastian Kurz. Por, ai është vetëm Christian Lindner. Jo, nuk duhet të mbivlerësohet ndikimi i personave ndaj zhvillimeve politike. Por, nëse në një rreth shumë të ngushtë të krerëve partiakë zhvillohen bisedime vendimtare dhe përfaqësuesit e një partie – që të dy – janë lojtarë rolesh me prirje narcisoide, atëherë kjo ka efekte». Partia për të cilën e ka fjalën komentatori quhet FDP, ndërsa narcisët janë Christian Lindner dhe nënkryetari i partisë Wolfgang Kubicki, i cili para pak ditësh nga gazeta britanike u akuzua se mbante lidhje të dyshimta me një kompani ruse të gazit.
Në mediat gjermane Lindner përshkruhet si politikan i pavendosur, i cili në çastet vendimtare tërhiqet. Kështu ka qenë në vitin 2011, kur po ashtu ishte larguar nga negociatat mes konservatorëve të Merkelit dhe liberalëve. Raporti i tij me kancelaren nuk është i mirë. Lindner mban inat, sepse pas qeverisjes së përbashkët me kancelaren Merkel mes viteve 2009-2013 liberalët dështuan keq, në zgjedhjet e vitit 2013 FDP nuk arriti të futej as ne parlament. Në natën pas zgjedhjeve Lindner kishte qarë. Kështu ka treguar ai vetë. Merkel atëbotë kishte thënë se i vinte keq që FDP nuk do të ishte më pjesë e parlamentit, por në selinë e CDU-së krerët e kësaj partie kishin festuar me këngën «Tage wie dieser» (Ditë si kjo) të grupit të famshëm «Die Toten Hosen». Raportin mes Merkelit dhe Lindnerit e shpjegon mirë kjo skenë: pas lidhjes së koalicionit mes konservatorëve dhe liberalëve në vitin 2009 ishin takuar funksionarët e të dy partive për të vazhduar muhabetin në një atmosferë joformale. Në një moment Merkel i ishte afruar tavolinës së Lindnerit, i cili kishte thënë: «Tani, më në fund, mund ta çojmë vendin përpara dhe t’i qasemi reformave». Merkel, sipas Lindnerit, ishte përgjigjur se ajo do të kujdesej «që ne të mos ia vëmë zjarrin vendit».
Pas dështimit të negociatave të dielën në mediat gjermane kishte komente alarmante, thuhej madje se kjo krizë nuk është vetëm e Gjermanisë, por edhe e Perëndimit, sidomos pas fitores së Donald Trumpit në Amerikë dhe Brexitit. Një krizë e Gjermanisë domethënë një fitore e Kinës, e presidentit rus Vladimir Putin dhe e autokratit turk Rexhep Taip Erdoan. Pa Gjermaninë edhe planet e presidentit francez Emmanuel Macron për thellimin e procesit të integrimeve në Bashkimin Europian nuk mund të realizohen. FDP ishte kritike e ashpër e planeve të Macron, i cili në një fjalim të mbajtur para disa javësh kërkoi që BE të ketë edhe një politikë të përbashkët mbrojtëse dhe një ministër të përbashkët të financave.
Kancelarja Merkel ende beson se është e mundshme të krijohet një qeveri e koalicionit Xhamajka. Ndërsa të tjerët janë dorëzuar, disa madje duke luftuar kundër lotëve, Merkel po qëndron si shkëmb para valëve të stuhishme. Megjithatë, është vështirë të mendohet se FDP do të kthehet në tavolinën e bisedimeve, sepse kështu do të humbte çdo kredibilitet. Me sa duket FDP spekulon se në fund Merkel nuk do të arrijë të krijojë një qeveri dhe në zgjedhjet e ardhshme liberalët do të fitojnë edhe më shumë vota, duke i dobësuar konservatorët. Nëse koalicioni Xhamajka nuk është i mundshëm, atëherë ekziston mundësia të krijohet një qeveri e pakicës e konservatorëve, eventualisht me të gjelbërit.
Ndërkohë në mediat gjermane është shtuar presioni ndaj socialdemokratëve (SPD) që të tërhiqen nga përbetimi për të qëndruar në opozitë dhe të krijojnë sërish një qeveri me kancelaren Merkel. Në zgjedhjet e fundit socialdemokratët pësuan debakël (morën vetëm 20 për qind të votave). Kreu i socialdemokratëve Martin Schulz është i mendimit se qëndrimi në një kabinet me Merkelin vetëm po e dobëson SPD-në. E vërtetë është se që nga ardhja në pushtet Merkel e ka lëvizur partinë nga e djathta në drejtim të qendrës, duke kopjuar shumë tema socialdemokrate, kështu socialdemokratët për shumë gjermanë janë bërë të tepërt.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u ka bërë thirrje partive të bëjnë gjithçka për të krijuar një qeveri dhe u ka përkujtuar atyre se në fushatën elektorale të gjitha kanë thënë se duan të marrin përgjegjësi për vendin. Nëse nuk arrihet në asnjë mënyrë krijimi i një qeverie, atëherë zgjedhjet e parakohshme janë rruga e vetme. Merkel ka thënë se do të rikandidojë. Por, me dështimin e negociatave të dielën fundi i saj si kancelarë ka filluar. Në tërë këtë situatë janë shquar edhe humoristët si Harald Schmidt. Në një postim në Twitter ai (ose ata që mbajnë këtë profil) ka propozuar që pas dështimit të negociatave për koalicionin Xhamajka, presidenti gjerman ta emërojë diktatorin e Zimbabvesë Robert Mugabe në postin e kancelarit të Gjermanisë. Përtej humorit: demokracia gjermane është funksionale dhe në fund një zgjidhje do të gjendet.