Ish- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës ditën e sotme ku do t’i komunikohen edhe akuzat, lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 mln lekëve thesarit.
Fullanit pritet t’i komunikohen akuzat e shpërdorimit të detyrës. Burime pranë organit të akuzës bënë me dije se prokurorët që kanë hetuar ish- Guvernatorit i kanë dhënë fund veprimeve hetimore të procedimit penal në ngarkim të tij.
I vetmi moment procedurial i pakryer ishte njoftimi i akuzës ndaj ish-guvernatorit, veprim që u krye sot. Pas këtij momenti hetimi konsiderohet zyrtarisht i përfunduar dhe dosja depozitohet në gjykatë. Fullani akuzohet se në kohën që ka ushtruar detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, Zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni.
Po sipas akuzës, përmes mosushtrushtrimit të disa kompetencave të tij, ishguvernatori ka krijuar kushte për cenimin e sigurisë së parave të Bankës së Shqipërisë. Në të njëjtën dosje, Fullani është hetuar dhe për dyshimet për abuzime të kryera prej tij gjatë procedurave të blerjes së hotel “Dajtit” si dhe dhënien e disa ambienteve me qira gjatë kohës që ishte guvernator.









