Një ditë para fillimit të takimit në Berlin, gazeta «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» shkruan se për aq kohë sa në Serbi mediat e kontrolluara nga Vuçiçi shpifin kundër Bashkimit Europian Serbia nuk e ka vendin në BE.
Për aq kohë sa shumica e duan Rusinë kurse BE-në e quajnë një shoqatë të miqve të shqiptarëve dhe lobi të homoseksualëve, Serbia nuk është kandidate e përshtatshme.
Gazeta gjermane shkruan se tani për tani vetëm Maqedonia e Veriut e ka merituar të shpërblehet me fillimin e negociatave për hyrje në BE. Shqipëria nuk përmendet.
Të hënën kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron do t’i presin udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit – Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë. Këto gjashtë vende duan të anëtarësohen në BE, por asnjëri nuk është vërtet i gatshëm për këtë, shkruan gazeta «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» (FAS). Se çfarë bën vaki kur BE pranon vende që nuk janë të gatshme, ka treguar shembulli i Rumanisë dhe Bullgarisë. Ato kanë hyrë në BE në vitin 2007, por ligji në këto vende nuk sundon ende si duhet. Në Rumani ka përpjekje për të kufizuar kompetencat e prokurorëve dhe gjykatësve.
Kudo në Ballkan, sipas «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung», shtete të ndryshme po kërkojnë ndikim – Rusia në Serbi, Turqia sidomos në Bosnjë, Kina gjithkund. Kriza e refugjatëve e viteve 2015/16 u ka treguar europianëve se Ballkani nuk gjendet në Azi, por në këtë kontinent.
«Shtetet e rajonit meritojnë përkrahje edhe më tutje, por integrimi i mëtutjeshëm i tyre në BE do të ishte sinjal i gabuar. Me një përjashtim: Maqedonia e Veriut ka një qeveri reformatore, e cila për ëndrrën europiane ka bërë kompromise të guximshme dhe madje e ka ndërruar edhe emrin e shtetit për t’i dhënë fund ngatërresës së vjetër me shtetin anëtar të BE-së, Greqinë. Fillimi i negociatave për anëtarësim do të ishte një mirënjohje e duhur për aq shumë guxim. Se ku çojnë negociatat në fund do të shihet. Ato gjithsesi do të zgjasin me vite», shkruan gazeta gjermane.
Sa i përket Serbisë, «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» nënvizon se ekonomikisht Serbia qëndron mirë, investitorët e huaj janë të kënaqur, buxheti është solid – dhe ndoshta Volkswagen së shpejti do të hapë një fabrikë të madhe në Serbi. Megjithatë, vazhdon kjo gazetë me ndikim në Gjermani, Serbia nuk është kandidat i përshtatshëm për t’u integruar në BE. Shumica e popullit serb prej vitesh deklarohet indiferente apo refuzuese ndaj BE-së. Ndërsa 84 për qind e njerëzve në Kosovë mbështesin BE-në, 83 për qind në Shqipëri dhe 59 për qind në Maqedoninë e Veriut, në Serbi janë vetëm 29 për qind.
Prej nga vjen ky refuzim? Nëse e pyetni presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ai thotë se shumica e vendeve të BE-së e kanë pranuar Kosovën dhe kjo nuk shihet me sy të mirë nga popullsia serbe. Gazeta gjermane thotë se ky argument nuk mund të hidhet tërësisht poshtë për shkak se edhe gjermanët gjatë nuk e kanë pranuar si kufi vijën Oder-Neisse si kufi mes Gjermanisë dhe Polonisë. Por argumenti i Vuçiqit nuk mjafton për të shpjeguar qëndrimin anti-BE të shumë serbëve. Ndërsa Vuçiq thotë se dëshiron ta anëtarësojnë vendin në BE, në mediat që janë besnike ndaj tij çdo ditë zhvillohet fushatë sistematike kundër Europës. Si shembull «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» përmend televizionin «Pink», të cilin Vuçiq ka qejf t’i japë intervista dhe gazeta agresive bulevardeske «Informer». Të dyja këto media janë elemente përcaktuese të sundimit të Vuçiqit. Redaksitë e tyre furnizohen nga administratat tatimore, policia dhe shërbimet sekrete me material mbi gazetarët kritikë dhe opozitarët. Pasojnë fushata disajavore kundër viktimave. Shpesh materiali është i shpifur, por mjafton për dëmtimin e viktimave.
Kur nuk shpif kundër kundërshtarëve të Vuçiqit, «Informer» së paku njëherë në javë parashikon luftëra kundër Serbisë. Vazhdimisht Serbia infiltrohet nga agjentët shqiptarë. Kur u dogj Notre-Dame «Informer» shkroi me ton triumfalist se ky është ndëshkim nga zoti për shkak se Franca e ka pranuar Kosovën. Nëse i besoni kësaj gazete, atëherë BE është një shoqatë e miqve të shqiptarëve dhe lobit të homoseksualëve. Dhe synimi i tyre na qenkësh islamizimi i Europës. Po të mos e mbronin Serbinë Vuçiqi dhe Vladimir Putini, Serbia do të merrte fund, shkruan «Informer». Kjo gazetë në të vërtetë kërkon që Serbia të anëtarësohet në Federatën Ruse, jo në BE. Vuçiq e quan mik personale shefin e «Informer». Si është e mundur kjo? – pyet «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung». Njerëz të afërt me Vuçiqin thonë se duhet kuptuar këtë, sepse në Serbi ekziston një valë e madhe proruse dhe antiperëndimore, andaj nëse Vuçiqi nuk do ushqente këtë atmosferë, atëherë këtë do ta bënte dikush tjetër dhe kjo nuk do të ishte në interes të Europës.
«Po të ishte i vërtetë ky përshkrim, atëherë natyrisht do të ishte argument vendimtar kundër anëtarësimit të Serbisë në BE. Përse t’i dhurojë BE participim politik një shteti në të cilin urrejtja kundër BE-së është instrument për sigurimin e pushtetit? Kush dëshiron ta pranojë Serbinë në BE, duhet ta di se me të do të hynte një Hungari tjetër në BE. Një shtet në të cilin me urrejtje ndaj BE-së fitohen edhe zgjedhje. Një anëtar i tillë do të dobësonte BE-në. Prandaj duhet thënë: Serbia është pjesë e Europës, por nuk e ka vendin në Bashkimin Europian. Së paku jo sot dhe jo nesër», përfundon «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung».
Përktheu, përgatiti dhe plotësoi: E. R.