Këta njerëz me zhgun i ranë kryq e tërthor shkrepave të veriut shqiptar. Nga ata doli At Gjergj Fishta, At Gjeçovi, V.Prendushi, A.Harapi, J.Rrota, M.Gjoka, B.Palaj, krijesa që e kishin të plazmuar pavarësinë e vendit, kur Shqipëria nuk ekzistonte. Ndaj duket si e zakonshme dhënia e territorit të tyre – për të ngritur një shkollë për fëmijët shqiptarë
Nga Ben Andoni
Sa histori ka për ta. Por një popull, i privuar me dhunë nga praktikimi i fesë ngatërrohet shpesh… dhe më shpesh humbet kontributi i tyre në analet e historisë… apo në zgafellet e kujtesës mosmirënjohëse të bashkatdhetarëve. Kush nuk e ka dëgjuar At Gjergj Fishtën, At Gjeçovin, V.Prendushin, A.Harapin, J.Rrotën, M.Gjokën, B.Palajn…? Janë pak, ata që nuk i njohin, por të shumtë ata që i ngatërrojnë. Por françeskanët shqiptarë erdhën edhe njëherë në evidencë ditët e fundit – teksa dhanë një pjesë të territorit të tyre për t’u ngritur një shkollë teknike. Kjo shkollë, që do të përgatisë specialistë kompjuterësh, diplomat e të cilëve do të njihen në gjithë vendet e Bashkimit Evropian, sapo hapi dyert për të rinjtë shqiptarë. “E iniciuar kohët e fundit në Shkodër, ajo mbahet si e para shkollë austriako-shqiptare për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit”, do të thonin burimet e shtypit të Ministrisë së Arsimit, pa munguar që të na tregojnë sesa vlejnë në fakt miqësitë e vjetra shqiptaro-austriake.
…
Flitet për françeskanët. Ata ishin grupimi që u mbështet më shumë në kishën katolike shqiptare, gjithmonë me probleme mesveti dhe me një autoritet jo shumë të madh të të dërguarit të Romës në Shqipëri. Gjithmonë Roma duket se nuk e gjeti gjuhën e mirëkuptimit me françeskanët, qëllimi i të cilëve ishte që të qëndronin mes popullit dhe ndryshe nga jezuitët, të merrnin pjesë aktive në luftën e tij.
Fishta, një nga më të njohurit prej tyre, që thuri eposin e luftës së shqiptarëve të veriut, e pranoi pozicionin e Akademikut italian, jo për ‘mëshirë’ por thjesht t’u tregonte italianëve sesa vlente… zhguni i tyre shqiptar, do justifikoheshin ata më vonë (kanë edhe ata disa pika të errëta, që koha i nxjerr më shumë). Por është e vërtetë se françeskanët nuk e pranuan kurrë flamurin italian me sëpatat e Liktorit mbi këmbanaren e tyre. U internua Athanas Gegaj; eshtrat e Fishtës u terrën; të shumtë ishin ata që komunistët i lanë në burg; Profesor Pater Gjon Shllaku, drejtori i “Yllit të Dritës” u arratis dhe kështu të tjerë e të tjerë…, por kuptohet se kurrë nuk reshti shpirti i tyre për t’u dhënë pak kulturë shqiptarëve.
Për të kuptuar më shumë këtë frymë shqiptarike të tyre mund të kujtojmë se që në vitin 1903, françeskanët dhe Fishta, si drejtor i shkollës së tyre, vuri gjuhën shqipe të detyrueshme dhe Kuvendi Françeskan u kthye realisht në qendrën aktive të nacionalizmit shqiptar. Figura e qashtër e Shtjefën Gjeçovit dhe e mirësisë dhe punës së tij janë dhe më tej një udhërrëfyese për djemurinë shqiptare, ndërsa studentët e rinj françeskanë përbëjnë një bërthamë shumë intelektuale për vendin tonë në kushtet e një analfabetizmi masiv…”. Nji akademi e vërtetë që përgatiste intelektualët e rinj të Shqipnisë me ndjenjat patriotike, kulturë, art e shkencë…”, do të thoshin për Kuvendin Françeskan… Nga ky formacion dikur ishte At Francesk de Leçe, i cili botoi gramatikën e parë të shqipes, Fr.Pali bashkëpunëtorin e Budit, apo At Daniel Gjeçaj, priftin e shquar që përktheu dhe botoi Liturgjinë e vjetër kishtare…
Kthim pas në histori
Ka mbetur e fiksuar prej kohësh që nuk mbahen mend se katolikët shqiptarë përbëjnë vetëm 10% të popullsisë. Dhe, në statistikat që rreken të thonë se janë më seriozët është sërish e njëjta gjë. Dhe nuk ka luajtur fare. Pavarësisht se struktura moshore e shqiptarëve ka ndryshuar, kjo është sërish njësoj… në evidencat e të huajve.
Me pak ndryshime në vitet e fundit është e njëjta gjë… Statistikat e vitit 1937 i llogarisnin shqiptarët katolikë në 10.2% të popullsisë, ku baza mbetej Shqipëria e Veriut në zonën e Shkodrës, ku edhe ekzistonin bashkësitë më kompakte të besimtarëve, e cila vazhdonte deri në Durrës, vendin ku kjo bërthamë zë e fashitet. Territori, ku shtrihet në dekadat e fundit Shqipëria, ka qenë nga kohë që nuk mbahen mend një vatër e përplasjes së interesave të ndryshme. Që nga ndarja e Perandorisë romake më 395 në Perëndimore dhe Lindore, ka qenë e ndërthurur nga luftëra pa fund të ndikimeve të Kishës Bizantine dhe asaj Latine. Në fillim, Krishtërimi shqiptar – iu referua Romës deri më shekullin e VIII dhe pastaj juridiksionit të Patriarkanës së Kostadinopojës. “Por lidhjet me Romën nuk u prenë kurrë plotësisht dhe në shekullin e XI, Kisha Latine – u riafirmua në Shqipërinë e Veriut, nëpërmjet degëzimeve të skajshme dalmate”, thotë në librin e tij “Kombi dhe Feja”, Roberto Moroco dela Roca.
Duhet sqaruar një fakt, se ishin pikërisht fiset shqiptare të Veriut, ku ushtronin veprimtarinë e tyre priftërinjtë katolikë, që mbeteshin unanime në vend përballë pushtuesit osmanë. Ndërsa do të vinte shekulli i XIX, kur është koha reale që Austria mori përsipër edhe zyrtarisht mbrojtjen e katolikëve shqiptarë përballë Portës së Lartë. Ajo i mbështet deri me para, përveç shkollimit …Por këtu duhet pak vëmendje. Shqiptarët sa përfitonin aq edhe dëmtoheshin. Siç ndodh rëndom në historinë tonë… aty ku ke përfitimin ke edhe sikletin. Miqësia me Habsburgët e kishte koston e vet, sepse në periudha krizash politike dhe ushtarake ndërmjet Vjenës dhe qeveritarëve të Bosforit, paguhej shumë shtrenjtë edhe miqësia…
Kisha katolike shqiptare
Megjithëse në një trevë jo shumë të zhvilluar, kisha katolike shqiptare kishte shumë forcë, ndërsa të huajt e shikonin atë më shumë – mbushur me atribute ekzotike dhe piktoreske. Priftërinjtë në disa vende… ishin aq të shkrirë me popullin, sa ishte e vështirë që t’i dalloje nga masa laramane dhe e varfër e popullit, thuhej në dokumentet e udhëtarëve që përshkonin Shqipërinë. Jetonin njësoj me aq kushte të vështira dhe ishin shumë të përkushtuar… Por ishte i gjallë paradoksi. Dhe, ky ishte në faktin se katolicizmi shqiptar mbartte në vetvete vulën e një kulture perëndimore, do të vërejnë specialistët – që i diferenconte në mënyrë shumë të prerë nga bashkësitë e tjera të vendit… ”E favorizuar disi dhe nga natyra, ajo ishte një bastion i Shqipërisë së lirë… por të mbetur pas. Zogu do të ishte i pari, që organizimit shoqëror mijëravjeçar të Shqipërisë së Veriut do t’i jepte konturet e një shteti ligjor…”, vëren Dela Roka. E veçanta e klerit katolik ishte se ajo mundohej të futej në shoqëri pa refuzuar në tërësi doket, mendësinë dhe kanunin e Lekë Dukagjinit… E veçanta për ta ishte se shpesh do të mbeteshin vetëm ata, të cilët i jepnin fund zinxhirit të gjakmarrjeve, një element që po e zhdukte popullsinë e vendit. E gjitha bëhej vetëm falë ndërhyrjeve të tyre… Duhet të kujtojmë se deri në shekullin e XIX, sikurse dhe më vonë, kleri shqiptar ishte i vendosur në famulli, të cilat ishin të shtrira në një territor tepër të vështirë… Ishte terreni ku gëlonin gjakmarrja dhe mizeraliteti plus injoranca. Nga këtu mundoheshin që t’u jepnin kulturë vocrrakëve shqiptarë, shumë syresh në zgrip të varfërisë. Françeskanët përfshiheshin dhe kishin të njëjtat shqetësime, por edhe ishin të shtrirë deri në famulli, që ishin të vendosura në territore tepër të vështira…
Françeskanët dhe të tjerët
Duhej thënë se ata shpesh përfshiheshin në jetën e përditshme të popullsisë, pavarësisht se vetë nuk vuanin për përditmërinë e tyre… Por përvijoheshin saktë dallimet mes françeskanëve dhe të tjerëve… ”Një pjesë e klerit vuante nga sëmundjet veneriane, sidomos françeskanët, siç ankoheshin me trishtim të deleguarit apostolikë të Selisë së Shenjtë”, thotë në librin e tij “Kombi dhe Feja” në Shqipëri, Dela Rocca, pa i shpëtuar me sa duket një shpotie për klerin, që ishte më i lidhur me vendasit.
Prania e përbashkët e priftërinjve vendas dhe atyre të huaj ishte evidente dhe mes tyre kishte një konflikt të gjatë mes dy tipave, si të klerit shekullar dhe atij rregulltar. Ashtu siç e dimë mirë, por që në Shkodër ta thonë me shembuj konkretë, nuk vihej re mirë hierarkia e kishës katolike, sepse françeskanët ishin shumë të ndarë me jezuitët… Deri nga mesi i shekullit të XVIII, françeskanët ishin më të njohur dhe më me pushtet ndër shqiptarët, derisa nga mesi i shekullit të XIX, vjen koha që në skenë të dalin jezuitët…
Konsulli italian më 1936 në Shkodër e përshkruan kështu emërtimin e ipeshkivit Gaspër Thaçi: ”…Dihet se françeskanët akuzohen (dhe jo më kot) për egoizëm dhe përzierje në punët e të tjerëve, se nuk dinë veçse të kujdesen për interesat e tyre të kastës klerikale. Ndonjë ipeshkv nuk arrin gjithmonë të bindë: ka raste sidomos në transferimet, në të cilin ndonjëri nuk arrin të imponojë vullnetin e vet. Shkak për grindje janë anarkia e lindur e shqiptarëve, që e kanë të vështirë nënshtrimin, interesat e veçanta, për të cilat shpesh përkujdesen tepër: ndarja e keqe e beneficeve: caktimi i famullive më pak të varfra, që bëhet në përgjithësi në mënyrë tekanjoze dhe në favor të atyre, që e meritojnë më pak: karakteri autoritar i ipeshkvijve, të cilët në shumicën e rasteve janë kryelartë dhe gjithmonë të shurdhër ndaj çdo këshille… pavarësisht se këta priftërinj nuk janë të imunizuar nga veset e shumta, të cilat mbizotërojnë në masat dhe nga një mungesë e theksuar karakteri…”.
Katolikët shqiptarë në shekullin e shkuar
Në vitin 1936 ekzistonin më shumë se 100.000 besimtarë të disiplinuar në dy argjidioqeza (Shkodra dhe Durrësi) dhe katër dioqeza (Lezha, Sapa, Pulti, Oroshi). Kleri shekullar kishte 84 anëtarë, të gjithë shqiptarë, të cilët duhet të mbulonin 83 famulli. Kishte françeskanë që ishin të gjithë shqiptarë, ndërsa jezuitë ishin edhe të huaj, aq sa shqiptarë – mbeteshin vetëm një e treta e tyre. Duhet sqaruar se kishte rreth 200 murgesha dhe sipas rastit ato ishin shqiptare ose italiane, por gjithsesi të huaja… Me shumë autoritet, kjo kishë e kishte të vështirë që të orientohej përballë direktivave të Romës… Tre delegatët apostolikë në mesin e shekullit të shkuar, që mbërritën në Shkodër – Dela Pietra, Antoniuti dhe Nigris, nuk e krijonin dot autoritetin e duhur, duke iu referuar Dela Rokës. Me sa duket të tre nuk krijonin dot një figurë që të vlerësohej përpara, sepse përballë kishin një qëndrueshmëri autoritare, e cila merrte frymë nga komponentët më autoktonë të kishës shqiptare, d.m.th. ndër ipeshkvijtë e françeskanët dhe mbështetje nga jezuitët… këta të fundit pretenduan se vetëm brenda pak kohësh e njohën kulturën shqiptare më mirë se françeskanët dhe filluan, në fakt, të jepnin dhe shumë kontribut…. ”Midis françeskanëve, kaq krenarë për shqiptarizmin e tyre, kishte letrarë e poetë; përkundrazi, jezuitët bënin studime dhe analiza të realitetit shqiptar me pretendime shkencore… Për jezuitët, të mësuar të gjejnë Heimat-in e tyre në universalizimin e Kishës katolike, ishte shumë pak tërheqës patriotizmi i flaktë i françeskanëve”… bëhen cinikë autoritete të ndryshme… italiane, që gjithsesi nuk mund të fshehin dot se edhe me primitivitetin e tyre dhe me gjithë të mirat dhe të këqijat e tyre, ata i shërbyen më shumë kombit… At Anton Harapi, në Regjencën shqiptare, mundej të largohej. Por do të preferonte që shqiptarët ta kuptonin… U pushkatua në agun e Shqipëria post Luftës së Dytë… bashkë me kujtimin e një prifti të mirë… ashtu si u zhdukën dhe eshtrat e Fishtës… Në fakt, kujtimi i tyre kurrë nuk humbi në kujtesën e popullit. Krijuan respekt me shqiptarizmin e tyre frenat, por me shumë përpjekjen e tyre për Shqipërinë…
Françeskanët shqiptarë
Françeskanët xhelozë për “shqiptarizmin” e tyre ishin jo më pak se për autonominë e vet nga çdo autoritet kishtar jashtë urdhrit, të cilët paraqiteshin në Kishën Katolike shqiptare si një trup më vete, por jo të izoluar dhe pa ndikim në masën e besimtarëve. Nga brenda, ngandonjëherë, ata ishin të përçarë, por jo për çështje fetare, por politike. Në fund të viteve ’30 pati një dallim të qartë ndërmjet krahut të “të rinjve”, kishte shumë kritikë ndaj regjimit të Zogut dhe atij të “të vjetërve”… që donte të ruante marrëdhënie me qeverinë e Tiranës. Pavarësisht nga mosmarrëveshjet e brendshme, fretërit ishin sidoqoftë të bashkuar në rivendikimin e parësisë së tyre në çështjen e patriotizmit. Ky pretendim justifikohet me praninë, në radhët e françeskanëve, të personazheve si Gjergj Fishta, i konsideruar nga disa si poeti kombëtar shqiptar, por edhe nga veprimtaria kulturore dhe nga interesat gjuhësore të anëtarëve të tjerë të urdhrit, të cilëve u atribuoheshin merita të mëdha në rilindjen e gjuhës shqipe…
Ipeshkvijtë shqiptarë nuk ishin në gjendje të kontrollonin françeskanët krenarë, që vareshin vetëm nga eprorët e tyre vendas shqiptarë, të cilët nga ana e tyre kishin një autonomi të gjerë nga mbikëqyrja e eprorit të përgjithshëm, që e kishte selinë në Romë. Ndër vetë pjesëtarët e episkopatës shqiptare kishte françeskanë, të cilët qenien e tyre si ipeshkvij ia nënshtronin përkatësisë ndaj urdhrit. Më 1939, ndër gjashtë ipeshkvij shqiptarë kishte dy françeskanë, Prendushi dhe Shllaku; pas pushtimit italian këta e quajtën të udhës t’u bënin vizitë autoriteteve të reja pushtuese jo me ipeshkvijtë e tjerë, por në gjirin e një delegacioni françeskanësh. Të kritikuar nga prelatët e tjerë për ndjenjë të paktë uniteti, ata u përgjigjën se “ishin ipeshkvij, por se kishin vepruar si fretër” dhe jo anasjelltas…
Katolikët dhe Shkollat
Nga Roberto Moroco dela Roka
Debati i njohur i françeskanëve me Ministrin Hilë Mosi
Përplasja e autoriteteve të Tiranës dhe kishës latine ndodhi për shkollat katolike, të mbyllura nga Zogu më 1923 dhe të rihapura vetëm më 1936… Për tre vjet katolikët shqiptarë i quajtën të cënuara të drejtat e tyre më të shenjta dhe protestuan ashpër kundër qeverisë së Tiranës…
Mbyllja e shkollave katolike përfshihej në masën më të përgjithshme të mbylljes ose të shtetëzimit të të gjitha shkollave private dhe të huaja, të cilat ekzistonin në Shqipëri. Përveç liceve të jezuitëve dhe të françeskanëve në Shkodër dhe shkollave të tjera të mesme dhe fillore, të drejtuara nga kongregacione fetare dhe nga kleri katolik i malësive, ligji i ri godiste para së gjithash: disa shkolla private myslimane, shkollat e pakicës serbe në Veri dhe vllehve në Jug, liceun francez të Korçës, shkollat e shumta të pakicës greke pranë kufijve helenikë, disa institucione të financuara nga amerikanët dhe, ajo që synohej me shumë, shkollat teknike të administruara nga italianët në qytete të ndryshme shqiptare…
Në ato rrethana politike, në të cilat Shqipëria përpiqej të shkëputej nga përqafimi mbytës i Italisë, shndërrimi i sistemit shkollor shqiptar kishte kuptimin e një mase thjesht anti-italiane, që synonte të riafirmonte pavarësinë e vendit të vogël adriatikas përballë ndërhyrjes së fqinjit të vet…
Më 1932, Ministri i Arsimit i Zogut, Hilë Mosi, në polemikë me françeskanët e “Hyllit të Dritës”, kishte qenë edhe më i hapët në kriterin ndaj një sistemi shkollor pluralist:
“Ne nuk mund të edukojmë popullin tonë, veçanërisht masën e të rinjve, mbi themele të kalbura, që mbështeten në hipokrizinë, në shpifjen, në poshtërimin… Qëllimi, ose themeli i kulturës kombëtare dhe i mësimdhënies sonë duhet të jetë formimi i një karakteri të shëndoshë, të lëvruar me një frymë të sinqertë, pa sëmundje shpirtërore… Shtetit, që është udhëheqësi i popullit, do t’i sigurojmë një të drejtë dhe një kontroll më rrënjësor në arsim, për të mos edukuar një rini me ndjenja materiale… por plot vetëmohim për shoqërinë dhe kombin e vet. Kombi dhe Shteti duhet të kenë një parim të vetëm të shenjtë: të shkojmë gjithmonë përpara drejt lumturisë dhe progresit. Duhet të përparojmë pa u ndalur, pikërisht siç thotë fjala e vjetër shqipe: ”Qentë le të lehin, karvani shkon përpara”…
“Qentë” në këtë rast ishin françeskanët shqiptarë, që ishin kritikë ndaj sistemit edukativ publik, i akuzuar se përjetësonte prapambetjen dhe “aziatizmin” e Shqipërisë dhe e çonte rininë në korrupsion. Klerikët e Shkodrës iu përgjigjën me ashpërsi ministrit, duke shtuar dozën e nacionalizmit, sikur ky të ishte mjeti kryesor për të pasur epërsinë në një polemikë ndërmjet shqiptarësh.
“Zoti Hilë, sa vjet ose më mirë sa orë mësim u keni dhënë të rinjve shqiptarë në shkollë gjatë jetës tuaj? Sa shkolla, gjimnaze, kolegje keni ngritur në Shqipëri, mbi parimin kombëtar? Ku janë librat që keni shkruar, revistat, gazetat, që Ju, me iniciativën tuaj private, keni krijuar për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe të Shqipërisë?… A keni pajtuar kund gjakmarrje, a keni liruar nga hipoteka toka të punueshme, livadhe, shtëpi, ose ia keni fshirë lotët ndokujt? Na e thoni: cili shqiptar ka përfituar nga patriotizmi juaj? Keni luftuar për atdheun. Edhe ne jemi ndodhur në luftim, krah për krah me popullin tonë, dhe më shpesh se Zotnia juaj. Madje, ne kemi derdhur edhe gjak për Shqipërinë. Ndërsa Zotnia juaj u kthye, lavdi Zotit, shëndoshë e mirë”…













