Në kuadër të vizitës së tij në Paris, Ministri Bushati kreu një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme të Francës, z. Gérard Collomb. Në vijim të takimit të Kryeministrin Rama me Presidentin Macron javën e kaluar në Trieste, dy ministrat patën një shkëmbim shumë pozitiv pikëpamjesh mbi marrëdhëniet midis Francës dhe Shqipërisë, bashkëpunimin në fushën e sigurisë, reformat e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit, të cilat lidhen edhe me procesin e integrimit të vendit tonë në BE.
Ministrat u ndalën mbi situatën e krijuar nga rritja e kërkesave për azil në Francë, përfshirë nga fëmijë të mitur të pashoqëruar. Me iniciativë të Shqipërisë, palët ranë dakord për të zbatuar një plan veprimi për të forcuar masat për reduktimin e kërkesave për azil nga qytetarë shqiptarë, brenda një kuadri kohor tremujor. Një prej masave është dhe stacionimi në Shqipëri i oficerëve të policisë franceze për të kryer operacione të përbashkëta me policinë tonë kufitare.
“Jemi të ndërgjegjshëm për liritë dhe detyrat që ofron lëvizja e lirë në hapësirën Schengen dhe shume të vendosur për të mos toleruar kërkesat abuzive për azil”, u shpreh Ministri Bushati në përfundim të takimit.
Nga ana e tij Ministri Collomb theksoi se Franca është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj në këtë drejtim. “Shqipëria është një vend i sigurt, dhe dua të përshëndes planin e veprimit ambicioz si dhe vullnetin e qeverisë shqiptare.” theksoi Collomb.
Ministri Bushati informoi ministrin Collomb mbi ecurinë e reformave kyçe për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE, duke u ndalur tek zbatimi i vetting-ut dhe impakti që reforma në drejtësi do të ketë edhe në fushën e sigurisë.
Gjithashtu, në kuadër të Partneritetit Strategjik të nënshkruar këtë vit midis dy vendeve, Shqipëria dhe Franca do të iniciojnë një bashkëpunim të përforcuar në luftën kundër terrorizmit. Në përmbyllje të vizitës së tij, Ministri Bushati u takua me Ministren e ngarkuar me Çështjet Europiane, Nathalie Loiseau.
Ministrja Loiseau çmoi se reforma në drejtësi mbetet kyçe për sundimin e ligjit dhe do të jetë transformuese edhe në fusha të tjera. “Franca do të vijojë t’ju inkurajojë dhe t’ju mbështesë në këtë drejtim”, u shpreh Loiseau.
Nga ana e tij Ministri Bushati u shpreh se në kontekstin e gjerë të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në, ka ardhur momenti për të vijuar me hapin tjetër në procesin e integrimit Europian. “Ne shpresojmë në mbështetjen e Francës për të shndërruar periudhën e negociatave në kantierin e madh të transformimit për të cilin kemi nevojë” tha Bushati.
ma.me