Protestat e nxënësve po përhapen në Francë, ndërsa të rinjtë kanë vijuar bllokimin e shkollave dhe demonstratat në rrugë, duke kërkuar nga qeveria masa konkrete për përmirësimin e kushteve në arsim.
Në Paris dhe Strasburg, nxënës të shkollave publike dhe private, si dhe studentë të klasave përgatitore, ngritën barrikada të improvizuara përpara institucioneve arsimore. Protestuesit kërkojnë më shumë investime në shkollat e amortizuara dhe zgjidhje për mungesën e personelit.
Lëvizja nisi rreth dy javë më parë në periferitë e varfra të Parisit, por është shtrirë gradualisht në pjesë të tjera të vendit. Qeveria ka angazhuar forcat e rendit, duke argumentuar se në disa raste protestat kanë degjeneruar në dhunë.
Përballë presionit në rritje, kryeministri Sébastien Lecornu u ka kërkuar ministrave të trajtojnë kërkesat kryesore të nxënësve. Mes tyre janë zëvendësimi i mësuesve që mungojnë, rishikimi i orarit të gjatë mësimor, zgjatja e pushimit të drekës dhe riparimi i ndërtesave të vjetruara të shkollave.
Ministrat duhet të paraqesin propozimet e para deri në fund të tetorit, ndërsa protestat shtojnë presionin mbi qeverinë franceze në një periudhë kur vendi po përballet edhe me probleme ekonomike dhe rritje të deficitit buxhetor.











