Policia italiane ka vënë në pranga një 47-vjeçare, e cila i mashtronte meshkujt me të cilët dilte dhe shoqërohej duke përdorur qetësues për t’i droguar, në mënyrë që t’u merrte para.
Historitë e viktimave të mashtruara nga Tiziana Morandi janë të shumta, me të paktën gjashtë meshkuj të moshës nga 27 deri në 84 vjeç, që kanë rënë pre e skemës së saj.
Karabinierët, të komanduar nga majori Mario Amengoni, nisën të mbledhin ankesat e para, duke filluar nga ajo e një 83-vjeçari të cilit i është afruar gruaja me justifikimin e një koleksioni bamirësie. Ai ka raportuar se e ka zënë gjumi në shtëpi pasi ka pirë çaj kamomili me 47-vjeçaren.
Në spital, më pas kuptoi se gjerdani që mbante dhe unaza e martesës në gisht ishin zhdukur.
E njëjta procedurë për një 84-vjeçar të takuar në një lokal, i cili u gjend pa 50 eurot që kishte në portofol, por edhe për një 51-vjeçar nga Milano, i ftuar në kinema për të parë filmin më të fundit të agjentit 007 dhe e gjeti veten në urgjencë pa 150 eurot që kishte në portofol.
Aty përfshihet edhe një pensionist 71-vjeçar, i mbetur në rrugë i shtangur në stacionin e Torinos.
“Menduan se isha i dehur, por në të vërtetë më kishin droguar dhe më kishin braktisur në mes të rrugës”, u shpreh ai.
Ndërkohë, një 67-vjeçar nga Brianza, i cili u zgjua në shtëpinë e tij, i grabitur dhe i pavetëdijshëm për atë që kishte ndodhur një natë më parë, tha për mediat: “Më kujtohet vetëm një pije së bashku, një sodë portokalli. Pastaj rashë në një gjumë të thellë”.
Në listë është edhe një 27-vjeçar, i cili kishte zbritur nga Val Badia për të takuar personalisht gruan të cilës i është afruar përmes chat-it në rrjetet sociale.
“Duke u kthyer në shtëpi me makinë po kryeja gabime në lëvizje, më duhej të ndaloja në rrugë në Rovereto, ku më gjetën pasi isha këputur nga qetësuesit”, rrëfeu ai për mediat italine.
Ndërkohë pas drogimit ajo iu kishte vjedhur viktimave të saj sende ari, para cash dhe karta krediti.
Gruaja, shpesh i ftonte viktimat në shtëpinë e saj në qytetin Brianza të Bellusco-s, i vinte në gjumë dhe më pas bënte pazar me ATM-në e tyre, ose hiqte unazat dhe zinxhirët e tyre, siç ndodhi me një 67-vjeçar nga Como.
“Ne u takuam duke biseduar. Tashmë ishim takuar në një qendër tregtare, së bashku me dy shokë të saj. Në atë rast, asgjë e çuditshme nuk ndodhi. Një vit më parë më ftoi në shtëpinë e saj. Pasi piva një pije, u rrëzova në ekstazë. U zgjova në shtëpinë time. Zinxhiri i arit që mbaja në qafë më mungonte dhe më pas, pasi kontrollova llogarinë bankare, kuptova se me bankomatin tim ishte bërë një tërheqje prej 250 eurosh, për të cilën nuk dija asgjë”, tha ai për Corriere.
Për disa ishte “një përvojë për t’u harruar”. Të tjerët nuk e kanë problem të thonë, si një 71-vjeçar nga Irpinia.
“Nuk ndihem naiv. Unë e konsideroj veten një person shumë solid psikologjikisht. Sigurisht, nuk ishte e lehtë, pasi u zgjova në spitalin Umberto dhe më shpëtuan mjekët pasi isha në një gjendje të pavetëdijshme. Ata menduan se kisha pirë, por nuk kishte alkool në gjak, në të vërtetë isha droguar dhe lënë në dorë të fatit tim”, rrëfen ai.
Edhe në këtë rast njohja ka ndodhur nëpërmjet Facebook-ut.
“Ishte thjesht një miqësi, pa seks, pa ndjenja. Madje ishim takuar një herë më parë dhe asgjë nuk kishte ndodhur. Më pas, kur shpreha qëllimin tim për të shitur një koleksion monedhash ari, ajo më tha se kishte gjetur një blerës në Torino”, shton i moshuari më tej.
Dhe pikërisht aty, pas një pije në një lokal, burrit i ndodhi e prapritura.
“I kisha lënë monedhat në makinën time, poshtë shtëpisë së kësaj gruaje. Kur u zgjova në spital, nuk i kisha më çelësat e makinës dhe më pas zbulova se një pjesë e koleksionit ishte zhdukur”, zbulon ai.
Tiziana Morandi, e cila mësohet se ka një histori vjedhjeje dhe goditjesh të personave të paaftë, akuzohet se i ka vjedhur një pjesë të sendeve me vlerë, si dhe se ka shpenzuar 4 mijë euro me kartën e tij të kreditit.
Edhe një i ri nga Tiroli i Jugut e ka kaluar keq periudhën kur u mashtrua nga Morandi. “U ndjeva keq në makinë teksa isha duke vozitur”, tha ai në polici./m.j