Cikli: “Antiheronjtë e “qyteteve të harruara”*
Nga Armando Meta & Javanews.al/
Liqeni i Komanit është një stil jetese, përveçse një përcaktues natyror i brigjeve, ku kanë gjalluar gjithnjë shqiptarë, arbnorë apo ilirë. Në metropolin tonë real dhe virtual diskutojmë shpesh për nevojat që “modernizmi” ynë ka për energji duke marrë për të mirëqenë jo vetëm bujarinë e lumit dhe natyrës, por edhe të banorëve, që si flora dhe fauna i janë përshtatur një mënyre të re jetese për t’i mbijetuar lumit të kthyer në liqen. Ndryshe nga ç’besohet, Komani nuk ndodhet shumë larg nga Tirana, diçka më shumë se një orë larg ndodhet Vau i Dejës për ku ndahet rruga për në Koman. Gjatë rrugës ndeshim disa grupe turistësh, që edhe ata si ne sa mahniten me bukuritë përreth, aq mallkojnë rrugën në të cilën nuk është vënë dorë as për mirëmbajtje prej të paktën 27 vitesh. Janë 32 km që të kujtojnë se je në Shqipëri përkundër peizazhit që të krijon iluzionin se ndodhesh në Alpet zvicerane, një peizazh aq frymëmarrës që të fton ta zbulosh pas çdo kthese duke të bërë të harrosh paksa shkundjet e makinës.
Drini ka filluar të na joshë me ngjyrën e tij të smeraldë dhe mban fshehur ishullin e Sardës apo të Shurdhahut, ku kishin selinë Dukagjinët, qendër ndërlidhëse e rëndësishme deri në shekullin e XV mes Malësisë, Mirditës dhe Zadrimës. Veç sa e përshëndesim nga larg ishullin e Sardës pasi udha gjarpëron drejt thesareve të tjera. Ndërsa natyra ka çelur e gjitha nga lartësia e malit dallojmë një rezervat gjigant peshku…(banorët do të na rrëfejnë më tej se rezervati një investim turk ka ndryshuar shumë morfologjinë e specieve natyrore të Drinit. p.sh trofta e rezervatit e çliruar nga rrjetat po han troftën e egër për të cilën Drini është aq i famshëm). E ti kujtohesh se në ç’kohë të egra jetojmë dhe se si koncensionet me bazë vetëm fitimin pa respektuar natyrën dhe mjedisin kthehen kundër njerëzve që ende nuk e kanë braktisur këtë vend të bekuar nga Zoti.
Pas ndoshta 40 minutave nga Vau i Dejës mbërrijmë në Koman, na pret Mirjani një djalosh që ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij nuk e ka braktisur natyrën e egër, por përpiqet ta zbusë atë duke e kthyer në burim jetese duke jetuar me të ardhurat e turizmit që ka filluar të shfaqë interes për këtë zonë. Ai na pret në portin e Komanit dhe ka bërë gati varkën e tij me motor. Për të shkuar deri në lagjen Berishë dhe në kullën e tyre do lundrojmë mbi liqenin e Komanit që na shfaq pak nga pak madhështinë e tij. Në gjithë Komanin kanë mbetur ndoshta rreth 200 banorë dhe ndër mbijetuesit, ose ata që nuk e shohin Drinin si armik, por si aleat janë edhe familja e zgjeruar e Mark Berishës. Nga oborri i shtëpisë ku kanë shtruar drekën për ne, na pret një peizazh piktoresk, fshati dhe kulla përballë dhe kryqet vendosur mbi maja kepash për të na kujtuar se ky territor ka luftuar shumë për të ruajtur identitetin e vet të krishterë. Marku i thinjur na rrëfen dhe historinë e kishës dhe atyre viseve “është bërë luftë e madhe këtu, rreth viteve 1100 aq sa thuhet se lumi u mblue n’gjak, e prej atëherë lumi në këtë pjesë u quejt dhe lumi i gjakut.” – thotë Marku. Por sot veç një kryq afër kullës tipike të malësisë tregon për histori të lashta betejash kryqtare.
Varret e mistershme të Komanit
Një zonë A, e cila për pak u shkatërrua nga lufta e përjetshme e trashëgimisë kulturore me projektet e zhvillimit siç ishte përcaktimi i linjës së Interjeksionit pikërisht në gjurmët e gërmimeve arkeologjike. Një dashamirësi fatlume e minutës së fundit i shpëtoi kishat e Shën Janit. Shën Todrit dhe Shën Nikollës si dhe Nekropolin e Komanit nga dëmtimi i pashmangshëm duke e spostuar linjën në largësi nga siti i rëndësishëm arkeologjik. Kur ngjitesh mbi pllajë, gurët janë rreshtuar si dëshmi e asaj që njëherë e një kohë ishte një qendër e banuar dhe me disa lagje, aq sa çdo lagje kishte kishën dhe varret e saj. Por gurët në kishën pa emër joshin jo pak.
Njohuritë për këtë kulturë të vjetër dolën në dritë rreth vitit 1898 kur arkeologë të huaj ranë në gjurmët e një varreze të madhe pranë kalasë së Dalmacës. Dalmacija e vjetër, vendbanimet e Komanit që datojnë (shek VI-VIII) në historiografinë dhe arkeologjinë shqiptare kanë një peshë shumë të rëndësishme si përkufizues të hipotezës së kalimit nga ilirët tek arbrit. Edhe pse ne nuk shohim dot pasuri nga objektet që vendoseshin bashkë me eshtrat në këto varre për ne është kurioze të mësosh se popullata e këtyre vendbanimeve vdiste relativisht e re ndër të paktën 150 varret e evidentuara.
E shkuara dhe e ardhmja natyrore e Drinit
Qytetërimet e mëdha kanë lindur përgjatë lumenjve të rëndësishëm. Drini fsheh jo pak site antike gjatë rrjedhës së tij, por po ashtu është një pasuri më vete për shkak të shumëllojshmërisë së specieve që e gjallojnë. Rrjedha e Drinit zotëron një pasuri prej 4 mijë speciesh dhe mikrogjallesash shumë prej tyre në rrezik zhdukjeje për shkak të ndryshimeve drastike që i janë bërë habitateve natyrore.
E tingëllon marrëzi dhe makutëri ekstreme kur mëson se vetëm gjatë viteve 2009- 2013 janë dhënë 160 leje për ndërtime HEC-esh vetëm në territorin shqiptar përgjatë kaskadës së Drinit. Dhe siç pohon edhe Mirjani, djaloshi që nuk e ka braktisur Komanin: “Drini është thesar që duhet mbrojtur dhe promovuar me krenari”.
*“Ky botim u realizua me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë- Soros. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit Soros”.