Mijëra qytetarë po marrin pjesë në protestën e organizuar në qendër të Prishtinës, me kërkesën për lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në paraburgim nga autoritetet franceze. Protesta është organizuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, lider i së cilës parti është Haradinaj, ndërsa është përkrahur edhe nga partitë tjera opozitare dhe shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Në protestë për lirimin e Ramush Haradinajt po marrin pjesë edhe kryetari i Lëvizjes, Vetëvendosje, Visar Ymeri, bashkë me deputetin Rexhep Selimi, si dhe kryetari i Nismës së Kosovës, Fatmir Limaj me Jakup Krasniqin e deputetët e tjerë.
Nuk kanë munguar dhe deputetë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, si Ganimete Musliu, Luljeta Veselaj, Safete Hadërgjonaj e Arben Gecaj. Që nga ndalimi i Haradinajt më 4 janar nga policia franceze, në disa vende evropian ku ka qytetarë shqiptarë, është protestuar për lirimin e ish-kryeministrit.
Një gjykatë në Francë ka shtyrë vendimin për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, deri më 6 prill si “një afat shtesë për t’i shqyrtuar argumentet shtesë të deponuara nga Prokuroria Speciale e Serbisë”.
Pas shtyrjes së verdiktit për rastin Haradinaj, kanë reaguar institucionet dhe përfaqësuesit më të larta të Kosovës, presidenti, Qeveria, kryetari i Kuvendit, si dhe partitë politike në pushtet dhe opozitë. Ramush Haradinaj, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër- arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia nëpërmjet Interpolit.
Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte. Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi.