Pas një vere plot me aktivitete të panumërta në çdo orë të ditës, duke tërhequr mjaft vizitorë vendas dhe të huaj, Pazari i Ri i është nënshtruar këto ditë pastrimit të tij të plotë. Punonjës të shumtë kanë nisur larjen dhe dizinfektimin e sheshit kryesor ku organizohen panaire dhe ngjarje të shumta artistike, ndërkohë që vëmendje i është kushtuar dhe pastrimit të stolave apo të bordurave të ndryshme.
Pazari i Ri, i cili konsiderohet si një nga xhevahirët e rinj që i është shtuar Tiranës pas rehabilitimit të plotë nga ana e Bashkisë së Tiranës, është tashmë gati për të pritur vjeshtën me akoma më shumë gjallëri.
Në 2016, Bashkia e Tiranës projektoi rinovimin arkitekturor të tregut në vend të kompleksit të vjetër, një strukturë moderne në qelq dhe çelik e hapur në anët e saj, me një mbulesë asimetrike që kujton çatitë e shtëpive tradicionale të Tiranës.
Që prej muajit mars, kur Pazari i Ri u inaugurua zyrtarisht, përmes tezgave mund të shohësh gjithnjë e më shumë turistë të cilët gjejnë rastin të shijojnë specialitetet e kuzhinës tradicionale shqiptare.
Sot janë mëse 300 subjekte të cilët kanë vendin e tyre në këtë strukturë të re, 135 tregtarë të fruta-perimeve, 25 janë tezgat që kanë si specialitet tregtimin e mishit e të peshkut, në tregun e restauruar otoman të peshkut. Një hapësirë e veçantë i është dedikuar artizanatit tradicional.
Fasadat shumëngjyrëshe të pallateve që rrethojnë tregun, në një alternim motivesh dekoruese tradicionalë dhe tavolinat plot me njerëz në çdo orë, e bëjnë vërtet një projekt të denjë.