Vidhnin traktorë, trajlerë dhe pajisje të tjetra të shtrenjta bujqësore në Itali dhe i shisnin në tregun e zi në Shqipëri, arrestohen 7 shqiptarë dhe një italian. Karabinierët e Borgo Panigale kanë zbuluar zinxhirin kriminal që fillonte nga Ballkani dhe zbatohej më pas përpikmërisht në Itali përmes një grupi shumë të sofistikuar.
Banda e hajdutëve e cila dominohej nga shqiptarët vidhte materiale shuma e të cilave arrinte miliona. Sipas mediave italiane mallrat e vjedhura ndërthureshin me mallrat e tjerë të rregullt dhe kalonin nga Adriatiku përmes portit të Barit dhe Ankonës.
“Sot për ne është Krishtlindje. Kemi gjetur 4 traktorët që na kishin vjedhur. Banda me 7 hajdutë shqiptarë dhe një italian është arrestuar. Faleminderit nga zemra karabinierëve për mrekullinë”, ka shkruar në facebook njëri nga fermërët të cilit i janë vjedhur disa traktorë.