SPECIALE JAVANEWS/ Po bëhen disa kohë që një grup banorësh të Tropojës kanë ngritur zërin nëpër media dhe rrjete sociale, për një masakër ekologjike që po përgatitet ndaj lumit të Valbonës. Arsyeja që banorët e Valbonës dhe Rrogamit të Shalës janë alarmuar është se ka nisur të zbatohet një projekt për ndertimin e 10 hidrocentrave, (11 bashkë me një hidrocentral ekzistues), përgjatë rrjedhës së lumit të Valbonës dhe kjo jo në të gjithë rrjedhën, por vetëm në 25 kilometrat e rrjedhës së epërme, rrjedhës së rrëmbyeshme të këtij lumi, deri sa zbret në fushë. Të ndërtohen 11 hidrocentrale në gjatesinë e 25 kilometrave, do të thotë dënim kapital për lumin e njohur në mbare viset shqiptare! Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Lumi Valbona është si një Faltore e shenjtë e natyrës sonë të bekuar të Alpeve shqiptare. Lumi bashkë me Luginën e vet ku rrjedh është një nga të paktat vende që kanë mbetur pa u dëmtuar, duke mundur të ruajnë bio-diversitetin. Vazhdimisht ka pasur kërcenime nga individë , gjuetarë të paligjshëm, tregtare të vegjël lëndësh drusore, që kanë synuar të përfitojnë në kohëra rrëmujash. Por për fat deri më sot dëmtimet kanë qenë jo të mëdha. Sot kjo pritet të ndryshojë.
SHKATËRRIMI I TURIZMIT TË ZONËS
Kësaj rradhe kërcënimi ketij Lumi dhe Luginës së tij po i vjen jo nga individë që shkelin ligjin, por nga shteti shqiptar që kërkon të zbatojë disa projekte shkatërrimtare në këtë zonë. Të ndërtohen 11 hidrocentrale në Luginën e Valbonës është masakër ekologjike më së pari; dhe së dyti, duke ditur rëndësinë që ka turizmi rajonal për ekonominë e kësaj zone, përbën një tjetër masakër me ndikim fatal. Për të bërë një parantezë – të ndërtohen hidrocentrale në Luginën e Valbonës në Shqipëri – është njësoj sikur të ngrihen amerikanët e të ndërtojnë hidrocentrale në Parkun Yellowstone! Lugina e Valbonës është Park Kombëtar. Nëse ky term ende ruan ndonjëfarë kuptimi, atëhere kjo që duan të kryejnë ndaj Valbonës është vepër kriminale që duhet ndaluar sa më parë.
Vërtetë që furnizimi me energji elektrike është një problem në rritje, por rruga e zgjedhur për ta zgjidhur këtë problem në zonën e Tropojës tregon një miopi të vërtetë sepse të ardhurat nga Turizmi Rajonal janë disa herë më të larta se ato që do të sjellë ndertimi i atyre 10 hidrocentraleve. A mendojnë me logjike ekonomike specialistët e shteti shqiptar kur vjen puna te shqyrtimi i këtyre projekteve shkatërrimtare!? A mos vallë është më me interes kombëtar është ruajtja e kësaj Lugine si e ka falur Zoti dhe të mos e rrënojnë për të shuar makutërine e disa personave që fshihen mbrapa këtyre projekteve!?
MASAKRA NË EKO- SISTEM
Të shkatërrohet Valbona me vullnet të lirë në vitin 2016, ështe e pafalshme, është një masakër ekologjike e aprovuar nga shteti shqiptar?! Kjo është e papranueshme. Banorët e Tropojës duhet të ndërgjegjësohen se kjo masakër do u kushtojë shumë shtrenjtë për ardhmërinë e tyre. Jo vetëm që do të humbin turizmin që sjell përfitime dhe ka pasur impakt të madh në ekonominë e zonës, por do të jetë edhe katastrofë ekologjike, pasi ndalimi i rrjedhës direkt do të zhdukë përgjithmone troftën e famshme të Valbonës dhe do të ndikojë në gjithë eko-sistemin e kësaj Lugine përrallore. Siç dihet nga mënyra se si zbërthehet znixhiri i eko-sistemit kur këputet një hallkë, kjo shoqërohet me pasoja.
APELI
Apelojmë këtu edhe te të gjithë malësorët e Tropojës, kudo që janë, të ngrihen e të protestojnë në Tropojë, në Tiranë, në emigrim! Ata që jetojnë në emigrim mos të harrojnë se ajo Valbona e bukur, me atë kaltersinë poetike të saj, nuk do të jetë më, pasi një projekt po zbatohet për ta dënuar me vdekje! Nuk do të jetë më ajo Valbona e kaltër në sfondin e së cilës nxitonin të gjithë që të bënin fotografi. Apelojmë te të gjithë shqiptarët, tek të gjithë ata që kanë pasur rastin dhe janë mahnitur me mrekullinë e Luginës së Valbonës, qoftë edhe një herë edhe tek ata që kanë pasur plan ta vizitojnë, ta ndalojmë këtë masakër para se të jetë vonë! Apelojme te pushteti i sotëm, mos e kryeni këtë masakër! Apelojmë te e ashtëquajtura opozitë e sotme, e cila as është ndier e gjallë këto kohë, lidhur me masakrën në pergatitje ndaj Valbonës! Mjaft ka vuajtur Tropoja këto vite. Lëreni të qetë në pune e vet! Askush nuk ka dashur t’ia dije për atë zonë. Qeveria e Sali Berishës ishte në pushtet 13 vjet gjatë 25 viteve demokraci dhe nuk kreu asnjë investim të konsiderueshëm në vendlindjen e vet dhe tani qeveria e sotme vjen e kërkon të investojë një projekt të miratuar në vitin 2010! Kush janë ata që duan të zbatojnë këto projekte? Pse heshtet në këtë rast, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita? Për Skavicën u fol e u diskutua, kurse projekti i hidrocentraleve të Valbonës kalon në një heshtje mediatike.
ILIR SECI
Projektet që paralajmërojnë masakrën mbi Lumin e Valbonës
“RELACION KUSHTET GJEOLOGO-INXHINERIKE TE SKEMES HIDROENERGJITIKE
H9/A, H9/B, H10, H11, H12, H13, H14, H15, H16, MBI LUMIN E VALBONES DHE PERRENJEVE QE DERDHEN NE KETE LUME”
(FAZA E FIZIBILITETIT)
…Projekt te cilin synojne ta zbatojne sot :
“II. – VENDODHJA E OBJEKTIT.
Objekti yne i studimit,
Skema hidroenergjitike e Valbones, ndodhet ne Qarkun e Kukesit, ne zonen e Tropojes. Si burim furnizimi me uje jane ujerat e lumit te Valbones dhe perrenjt dhe proskat malore qe derdhen nekete lume.
Zona jone e studimit pershkrohet nga rruget automobilistike
qe lidh komunat me qytetin e B.Currit, por vende vende keto rruge mungojne apo jane krejtesisht te amortizuara. Me poshte do te japim nje pershkrim te shkurter te pozicionimit te veprave hidroteknike te skemes sone.
H/C 9A. Vepra e marrjes se H/C 9A do te pozicionohet ne nje gryke te ngushte, mbi lumin e Valbones ne kuoten 530m.m.n.d. Baseni i presionit te ketij H/C do te ndertohet ne nje zone kodrinore ne kuoten 527.5m.m.n.d. Godina e turbinave do te ndertohet ne nje zone te qete ne
kuoten 402m.m.n.d.
H/C 9B. Vepra e marrjes se H/C 9B do te pozicionohet ne nje gryke te
ngushte, mbi perrojin e Otergi i Dragobise ne kuoten 955 m.m.n.d. Baseni
i presionit te ketij H/C do te ndertohet ne nje zone kodrinore ne kuoten
954 m.m.n.d. Godina e turbinave do te ndertohet ne nje zone te qete ne
kuoten 402 m.m.n.d. Per H/C 9A dhe H/C 9B nga ana e projektit eshte menduar qe godina e
turbinave te jete e perbashket.
H/C 10. Vepra e marrjes se H/C 10 do te pozicionohet ne nje gryke te ngushte, mbi lumin e Valbones ne kuoten 313m.m.n.d. Per kete H/C nuk eshte parashikuar basen presioni.. Godina e turbinave do te ndertohet ne nje zone te qete ne kuoten 244m.m.n.d.
H/C 11. Vepra e marrjes se H/C 11 do te pozicionohet ne nje gryke te
ngushte, mbi lumin e Valbones ne kuoten 242m.m.n.d. Baseni i presionit
te ketij H/C do te ndertohet ne nje zone kodrinore ne kuoten
239.5m.m.n.d. Godina e turbinave do te ndertohet ne nje zone te qete ne
kuoten 216m.m.n.d.
H/C 12. Vepra e marrjes se H/C 12 do te pozicionohet ne nje gryke te
ngushte, mbi lumin e Valbones ne kuoten 214m.m.n.d. Baseni i presionit
te ketij H/C do te ndertohet ne nje zone kodrinore ne kuoten
212.6m.m.n.d. Godina e turbinave do te ndertohet ne nje zone te qete ne
kuoten 174m.m.n.d.
H/C 13. Vepra e marrjes se
H/C 13 do te pozicionohet ne nje gryke te
ngushte, mbi perrojin e Otergi i Kaut ne kuoten 910m.m.n.d. Per kete
H/C nuk eshte parashikuar basen presioni.. Godina e turbinave do te
ndertohet ne nje zone te qete ne kuoten 402m.m.n.d.
H/C 14. Vepra e marrjes se H/C 14 do te pozicionohet ne nje gryke te
ngushte, mbi perrojin e Shudenices ne kuoten 925m.m.n.d. Per kete H/C
nuk eshte parashikuar basen presioni. Godina e turbinave do te ndertohet
ne nje zone te qete ne kuoten 453m.m.n.d.
H/C 15. Vepra e marrjes se H/C 15 do te pozicionohet ne nje gryke te
ngushte, mbi perrojin e Shudenices ne kuoten 451m.m.n.d. Baseni i
presionit te ketij H/C do te ndertohet ne nje zone kodrinore ne kuoten
450.5m.m.n.d. Godina e turbinave do te ndertohet ne nje zone te qete ne
kuoten 220m.m.n.d.
H/C 16. Vepra e marrjes se H/C 16 do te pozicionohet ne nje gryke te
ngushte, mbi perrojin e Shpella e Kaurit ne kuoten 852m.m.n.d. Baseni i
presionit te ketij H/C do te ndertohet ne nje zone kodrinore ne kuoten
851.5m.m.n.d. Godina e turbinave do te ndertohet ne nje zone te qete ne
kuoten 350m.m.n.d. “
Reagimi ndërkombëtar
Projektet e hidrocentraleve në Valbonë kanë ngjallur shqetësim edhe në kompanite turistike në Angli, siç është Kompania “Black Mountain LTD” me Drejtuese Hayley Ëright, e cila i ka dërguar edhe një letër kryeministrit, Edi Rama, ku përcjell shqetësimin e saj.
Përmbajtja e letrës
“…Klientët tanë të cilët kanë vizituar Shqipërinë dhe janë njohur me mikpritësit lokalë kanë qenë të kënaqur me përvojat e tyre dhe rrinë duke përmendur mjedisin natyror spektakolar, si dhe kulturën autentike. Në të vërtetë udhëtimi i njohur si “Shtegu i Majave te Ballkanit”, që kalon në rajonin nga Thethi në Valbonë, ka fituar famë ndërkombëtare, si një nga destinacionet me të pëlqyera botërisht për ngjitje dhe ecje malore.
Ne kemi dëgjuar këto kohët e fundit, lidhur me planet për të zbatuar një projekt hidroenergjetik në Valbonë. Mbasi e pamë këtë çështje me vemendje ne jemi shumë të shqetësuar, lidhur me këtë propozim. Sot në Europë ka shumë pak rajone të tilla, të egra, të pa prishura nga dora e njeriut. Valbona është një nga ato të pakta. Pasojat e mundshme të ndërtimit të hidrocentraleve do të ishin shkatërrimtare për mjedisin, për komunitetet lokale dhe trashëgiminë e tyre kulturore, si dhe për industrinë e turizmit në rajon.
Në botën e sotme, vlera gjendet gjithnjë e më shumë në ato fusha të cilat nuk janë te “mbi-zhvilluara” dhe që ruajnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe natyrore.
Në respekt ju nxisim që të rishqyrtoni këtë propozim, dhe të vendosni për të ruajtur kulturën autentike dhe mjedisin e paprishur për të ardhmen e vendit tuaj.”
Hayley Ëright
Drejtuese e Kompanisë
“Black Mountain Ltd” me qendër në Londër, Angli.