Ai zgjohet herët, ulet pranë shtratit të saj dhe pret që gruaja me të cilën ka kaluar jetën, të nisë ditën duke i thënë: “Mirëmëngjes”! Edhe pse ka kohë që nuk ndodh më, ai sërish shpreson se kjo mund të jetë dita kur diçka mund të ndryshojë… Kështu nis dita e Foti Sofronit, bashkëshortit të Mallamasë, zonjës dikur energjike që tani dergjet në shtrat e sëmurë. Nuk ishte e lehtë që Foti të ndante këtë rrëfim për lexuesit e Living, prej ngarkesës emocionale, por edhe prej shqetësimit nëse të tjerët do ta kuptonin gjendjen e saj. Në fillim as për të nuk ishte e lehtë ta pranonte dhe iu desh të lexonte shumë e të informohej. Ndërsa e dëgjoja Fotin të fliste, para syve më kalonin pasazhe të filmit “The notebook”. Ai prej 4 vjetësh përjetonte situata të njëjta me ato të Noah Calhoun (Ryan Goslin), ndërsa ajo që kishte qenë dashuria e tij e madhe tani ishte e përhumbur, njësoj si Allie (Rachel McAdams). Unë takova Noah- n e vërtetë, i cili ishte një njeri i fortë, aq sa edhe i ndjeshëm, i kujdesshëm e i përkushtuar deri në vetëmohim. Kur u përshëndeta me të kuptova se kështu është dashuria dhe kështu duhej të ishte personi me të cilin çdo vajzë do të donte të plakej. Foti sapo ka festuar ditëlindjen e 90-të, ndërsa Mallamaja këtë vit mbush 84 vjeç. Ata kanë 62 vjet martesë, kanë sjellë në jetë një djalë dhe e kanë shtëpinë plot me nipër e mbesa. “Kemi kaluar një jetë bashkëshortore shembullore, e kuptonim dhe e mbështesnim njëri- tjetrin në çdo provë që na dilte përpara. Ajo ka qenë një grua e jashtëzakonshme, kam qenë me fat. Më ka kushtuar jetën dhe është kujdesur për mua pa kushte, këtë po bëj edhe unë për të. Jeta jonë filloi të merrte një kthesë tjetër pak vite më parë. Pikërisht atëherë kur vura re disa ndryshime në sjelljen e bashkëshortes sime. Kuptoja që diçka po ndodhte me të, por nuk e dija çfarë, ishin gjëra të vogla të rutinës së ditës, harresa aty- këtu. Ndodhte kur kishim miq në shtëpi të bënte një pyetje dhe 10 minuta më vonë i drejtonte mikut saktësisht të njëjtën pyetje. Kjo gjë filloi të më shqetësonte dhe kërkova mendimin e mjekut të familjes që në të njëjtën kohë është edhe i afërmi ynë. Pas një vizite të tij në shtëpinë tonë, Mallamaja gjatë bisedës ndau me të shqetësimin e madh që mbante brenda vetes prej muajsh: “Kam filluar të harroj! Harroj shumë!” Ndërsa mua nuk më del nga mendja ajo ditë sepse pas një bisede të gjatë me të mjeku më tha se këto ishin të gjitha shenjat e Alzhaimerit. Kjo ishte hera e parë që u përmend fjala Alzhaimer në shtëpinë tonë. Jo vetëm që u shqetësova, por për të parën herë në jetë nuk dija si të sillesha dhe çfarë të bëja për ta ndihmuar. Pas harresave që po bëheshin më të shpeshta dhe ndonjëherë problematike, ajo filloi të ndihej e pasigurt për veprime që i kryente me shumë lehtësi. Çdo ditë e më shumë ishte e largët, e tërhequr, pasive. Mundohesha të depërtoja në mendimet e saj, ta kuptoja e t’i jepja përgjigje. Mendova se kjo gjendje i vinte si pasojë e gjithë trishtimit që kishte kaluar vitet e fundit pas humbjeve të njëpasnjëshme në pak kohë të njerëzve të saj të dashur; në fillim vëllai, në një moshë të re, më pas nëna dhe dy motrat e saj. Fillova të lexoj e të informohem për Alzhaimerin. Mësova se ishte shumë e rëndësishme të ngadalësoja procesin e degradimit të trurit të saj, sepse që ajo të rikthehej edhe një herë ashtu si ishte më përpara, nuk do të ndodhte. Nuk kishte kohë për të humbur dhe ajo duhej të niste menjëherë trajtimin nën kujdesin e një mjeku specialist. Ishte viti 2010, por në vendin tonë nuk gjendeshin medikamentet e duhura, kështu që i porosita në Gjermani. Me përdorimin e tyre isha i bindur se sëmundja nuk do të përparonte. Kishte ditë që më dukej vërtet shumë mirë. Pas diagnostikimit rrinim në shtëpi, nuk e lija asnjëherë vetëm dhe e përkëdhelja, mundohesha t’i zgjoja kujtimet dhe t’ia lehtësoja dhimbjen. Dukemi “si dashnorët e Venedikut” i thoja me humor, ndërsa ajo për një moment ishte gazmore pastaj ngrysej, bëhej e zymtë. Përveç ndryshimit të gjendjes së humorit, filloi të ecte ngadalë, të “humbiste” nëpër shtëpi (nisej për në kuzhinë dhe shkonte në dhomën e gjumit, nuk gjente derën e tualetit …) por edhe për këtë isha përgatitur gjatë këtyre 3 vjetëve. Ajo që më zuri në befasi ishte ikja e saj nga shtëpia. Ka qenë dita më e vështirë e jetës sime, sepse gruaja ime doli jashtë kontrollit, u bë agresive dhe u largua nga shtëpia. Sado u përpoqa, nuk e ktheva dot. Njoftova djalin me urgjencë dhe ishte ai që ia doli ta rikthente sërish këtu. Ajo nuk më njihte më, nuk njihte më as djalin, asnjë nga ne. Mjekja psikiatre na tha se kjo situatë mund të ripërsëritej dhe zgjidhja më e mirë për të dhe për ne do të ishte që ajo të shtrohej në spital. Zgjodha një klinikë private dhe pranova që të shkonte aty me shpresën se do të përmirësohej. Çdo mëngjes shkoja në klinikë në orën 8:00 të mëngjesit, me ushqimin që përgatisja në shtëpi e ushqeja, e shëtisja në oborrin e klinikës, i flisja për jetën tonë, për periudhën kur u njohëm, për rininë, për kohën kur ajo ishte mësuese në Kolonjë. E lija të pushonte dhe shkoja në shtëpi e përgatisja drekën. Isha këshilluar me mjekët për dietën dhe i gatuaja vetë. Pasi i jepja drekën, qëndroja aty për disa orë, i flisja, i këndoja, bëja gjithçka që ajo të ndihej mirë. Më dilte zemra nga kraharori ditën që ajo më njihte apo më përgjigjej. Më kujtonte ndonjë moment kur ishim të rinj, emrat e nxënësve të klasës, kërkonte të fliste me motrën apo mamanë e saj (ndonjëherë zhvillon biseda me to sepse mendon se po jeton atë periudhe kur ishin të reja, në të njëjtën shtëpi…) rrallëherë e kujtonte djalin tonë apo nipin për të cilin u largua nga puna (kuadër në Ministrinë e Bujqësisë) vetëm që të kujdesej e ta rriste me dashurinë e gjyshes. Largohesha nga klinika vetëm pasi ajo qetësohej për të ardhur sërish të nesërmen në të njëjtat orare për të kaluar ditën me të. Refuzoja të rrija në shtëpi pa Mallamanë! Në muajin dhjetor të vitit 2013, pasi atë e zuri gjumi i drekës u nisa për në shtëpi për të përgatitur darkën. Sapo mbërrita në shtëpi më telefonuan nga klinika dhe më kërkuan të kthehem me urgjencë. Ajo kishte rënë nga krevati dhe kishte thyerje të rëndë të kockave dhe mjekët më thanë se i kishin mbetur pak ditë jetë. Me çdo kusht doja t’u tregoja se nuk kishin të drejtë, e ndieja se ky nuk mund të ishte fundi i saj. Pasi doli nga terapia intensive kërkova të kthehej në shtëpi. Kjo ishte shtëpia jonë për 40 vjet, edhe pse ajo nuk e njihte isha i sigurt se këtu do të ndihej më mirë. I qëndroja mbi kokë 23 orë, ulur në një karrige, ndonjëherë më zinte gjumi duke i mbajtur dorën në krevatin tonë. Prej atëherë kanë kaluar 18 muaj që ajo qëndron në shtrat, pa lëvizur. Është e heshtur, pa humor, e përgjumur,por më flet me sy dhe unë e kuptoj. Paradite kam punësuar një zonjë që kujdeset për higjienën e saj ndërsa ushqimin ia përgatis vetë. Ka një dietë të përcaktuar që e respektoj dhe jam strikt në oraret e vakteve. Tani merr shumë medikamente, të cilat ia bluaj e ia hedh në pjata të ndryshme të ushqimeve, sepse ajo nuk i gëlltit dhe po t’ia hedh në gotën e ujit apo në një pjatë të vetme, kam merak se bëhet shumë e hidhur. Jam bërë aktor; qesh, qaj, sepse e di që ajo më kupton dhe nuk do të më bëjë të ndihem keq. I këndoj këngë popullore dhe ndryshoj emrat e personazheve të këngës me emrat tanë. “Tek burimi i çardakut/ Foti dhe Mallamaja… Ajo reagon, hap sytë dhe unë jam në kërkim të diçkaje tjetër që mund të zgjojë interesin e saj. Nuk e kam parë buzëqeshjen e saj të mrekullueshme prej muajsh. E dëgjoj të flasë, i afrohem sa mundem, por nuk e kuptoj sepse nuk artikulohet qartë. Ka ndonjë moment që më përqafon dhe unë fluturoj; kaq, nuk kërkoj më shumë!” Foti, i cili ka kryer 4 ndërhyrje kirurgjikale, nuk ankohet për shëndetin e tij; gjithë energjitë dhe forcën ia ka kushtuar bashkëshortes. Rutinën e ditës nuk e prish për asnjë arsye. I kërkova me mirësjellje të bisedonim pak më gjatë, por ai më tha se po shkonte ora dhe duhej patjetër t’i jepte vaktin e drekës. E pyeta nëse dikush tjetër mund ta bënte këtë gjë në vend të tij, sepse zonja ndoshta nuk do ta kuptonte që për një çast ai nuk ishte pranë saj, por ai më përshëndeti me nxitim dhe më tha: “Ndoshta ajo nuk më njeh më, por unë dua të jem aty, me të, në çdo moment sepse unë e di kush është ajo dhe sa e rëndësishme ka qenë dhe mbetet për mua!
Bruna Lahe / Living