Nga Fatos Çoçoli
Tirana ka që nga 13 tetori 2026 që gdhihet dhe ngryset nën shenjën e dhunës. Fillimisht, dhunë e fortë, e papritur, pothuajse e pakontrolluar, gjatë dhjetë ditëve të para. Më pas, dhunë më e kontrolluar, por gjithsesi e pranishme, që prej tri javësh shoqëron jetën politike të kryeqytetit.
Një skenë që na kujton se Shqipëria nuk e ka mbyllur ende llogarinë me të kaluarën e saj konfliktuale. Por, ndryshe nga shumë momente të mëparshme të tranzicionit, sot përballë dhunës po shfaqet edhe një forcë tjetër: shpresa. Shpresa e një vendi që, me të gjitha kontradiktat, gabimet dhe deformimet e veta, po ecën drejt një të ardhmeje tjetër.
Një vend që ka jetuar gjatë nën hijen e dhunës
Dhuna nuk është një mysafir i panjohur në historinë e tranzicionit shqiptar. Pas 46 vitesh dhune bolshevike e Partisë së Punës 1944-1990, ajo ka qenë një bashkudhëtare e shpeshtë e 36 viteve të fundit, duke marrë forma të ndryshme, por duke prodhuar pothuajse gjithmonë të njëjtin rezultat: pasiguri, mosbesim dhe largim të qytetarëve nga politika dhe nga vendi.
Në 21 vitet e para të tranzicionit, 1992–2013, dhuna u shfaq në forma të ndryshme. Ishte dhuna e hakmarrjes primitive, e luftës për pushtet, e shtetit të trajtuar si pronë familjare, e dëshirës për të djegur vendin, në mbrojtje të familjes së korruptuar, e institucioneve të dobëta dhe e një politike që shpesh nuk njihte kufij, në përpjekjen për të eliminuar kundërshtarin.
Më pas erdhi dhuna e vitit 1997, kur shteti pothuajse u shpërbë, ekonomia u shemb dhe vendi u përfshi nga një kaos që la plagë të thella në shoqërinë tonë. Ishte një nga momentet më të rënda të historisë sonë moderne, kur mungesa e institucioneve dhe e besimit publik e ktheu konfliktin në një kërcënim për vetë ekzistencën e shtetit.
Edhe më vonë, dhuna politike dhe përplasjet e forta institucionale nuk munguan. Ato kulmuan në momente të caktuara, duke treguar se demokracia shqiptare kishte fituar zgjedhje, por ende nuk kishte ndërtuar plotësisht kulturën e pranimit të humbjes dhe të kundërshtarit.
Në këto 21 vite, politika u soll sikur pushteti ishte një pronë që fitohej për t’u përdorur, dhe jo një përgjegjësi që merrej për t’u ushtruar në interes të publikut.
2014–2026: Dhuna e zhgënjimit dhe e pafuqisë
Dymbëdhjetë vitet e tjera 2014–2026 sollën një realitet tjetër. Shqipëria nuk përjetoi të njëjtën formë të dhunës së hapur dhe të shpërthimeve shkatërruese të periudhave të mëparshme, por u përball me një dhunë tjetër, më të heshtur dhe më të shpërndarë në jetën e përditshme.
Ishte dhuna e detyrimit për të ikur nga vendi, sepse nuk po arrinim të ndërtonim një shtet ku të gjithë të ndiheshin të barabartë përpara ligjit dhe ku merita të kishte më shumë vlerë se lidhjet politike.
Ishte dhuna e zhgënjimit të të rinjve që nuk shihnin perspektivë, e familjeve që mendonin se e ardhmja e fëmijëve të tyre ishte diku tjetër, jashtë Shqipërisë.
Ishte edhe dhuna psikologjike e një zhvillimi ekonomik që dukej sikur ndodhte para syve të të gjithëve, por veçse jo për të gjithë. Kullat ngriheshin gjithnjë e më lart, qytetet ndryshonin pamje, investimet shtoheshin, ndërsa qytetari i zakonshëm shpesh ndihej gjithnjë e më i vogël dhe më i pafuqishëm përballë fuqisë së oligarkisë, çmimeve të pronave dhe pabarazisë së mundësive.
Kullat e larta u bënë simbol i dy Shqipërive që bashkëjetojnë: i asaj që ndërton, investon dhe fiton, dhe i asaj që sheh nga poshtë, pa qenë gjithmonë në gjendje të përfitojë nga ky zhvillim.
Kjo është një nga kontradiktat më të mëdha të tranzicionit tonë. Shqipëria është bërë më e pasur në shumë tregues, por jo të gjithë qytetarët tanë e ndiejnë veten pjesë të kësaj pasurie. Është bërë më moderne në pamje, por jo më e drejtë në funksionimin e institucioneve.
Dhe pikërisht këtu buron një pjesë e madhe e zhgënjimit shoqëror.
Tetori 2026: Rikthimi i dhunës si instrument politik
Prej 13 tetorit 2026, Tirana është rikthyer në një skenë të përditshme të përplasjeve politike. Dhuna e dhjetë ditëve të para ishte e fortë dhe e paparashikuar në intensitetin e saj. Në javët e fundit ajo është dukur më e kontrolluar, por vazhdon të mbajë peng debatin publik.
Problemi nuk është vetëm ajo që ndodh gjatë protestave. Problemi është mesazhi që përcillet tek qytetarët.
Kur dhuna bëhet pjesë e përsëritur e komunikimit politik, ajo fillon të normalizohet. Kur përplasjet shndërrohen në një rutinë të së shtunës, rrezikohet që shoqëria të mësohet me një realitet që nuk duhet të konsiderohet normal.
Por ka edhe një problem tjetër: dhuna e konsumon vetë kauzën politike.
Një protestë mund të nisë me një kërkesë të drejtë, me një shqetësim real apo me një kundërshtim legjitim ndaj qeverisë. Por, nëse ajo përfundon e dominuar nga aktet e dhunës, si opozita e vjetër, dhe ajo e re e protestës paqësore 133 ditore 31 maj-12 tetor 2026 rrezikojnë të mbeten të kufizuara tek mobilizimi i një pakice militante.
Dhuna mund të krijojë frikë, por nuk krijon besim. Mund të imponojë vëmendje, por nuk prodhon domosdoshmërisht bindje për një kauzë proteste. Mund të trondisë edhe një vend të tërë, sikurse ndodhi më 13-22 tetor 2026, por nuk ndërton dot një alternativë qeverisëse.
Përtej dhunës, shpresa është shpalosur e plotë
Këtu qëndron ndryshimi më i rëndësishëm i Shqipërisë së vitit 2026 nga Shqipëria e shumë viteve më parë.
Sot, përtej dhunës politike, përtej gabimeve të qeverisjes dhe zhgënjimeve të qytetarëve, ekziston një shpresë shumë më e prekshme për të ardhmen e vendit.
Është shpresa e një Shqipërie që po ndërtohet, në të mirë e në të keq të saj. Një Shqipëri me një administratë publike që në shumë hallka vazhdon të jetë e dobët, me mungesë profesionalizmi, me burokraci, me zyrtarë fodullë dhe me personazhe që dinë të fitojnë besimin e pushtetit, por jo të respektojnë qytetarin që duhet t’i shërbejnë.
Një Shqipëri ku korrupsioni nuk është zhdukur, ku klientelizmi vazhdon të jetë problem i mprehtë dhe ku shumë prej atyre që duhet të jepnin shembullin e integritetit kanë dhënë shembullin e të korruptuarit.
Por, njëkohësisht, është edhe një Shqipëri që ka përpara një horizont të ri evropian.
Bashkimi Evropian, shpresa më e madhe për ndryshimin e vendit
Perspektiva e anëtarësimit në Bashkimin Evropian është sot një nga burimet më të rëndësishme të shpresës për Shqipërinë.
Nuk bëhet fjalë vetëm për një objektiv diplomatik, për një flamur tjetër në institucionet ndërkombëtare apo për një datë që mund të vendoset në kalendarin politik.
Anëtarësimi në BE është, mbi të gjitha, mundësia për të ndryshuar mënyrën se si funksionon shteti ynë.
Është shpresa për institucione më profesionale, drejtësi më të besueshme, administratë më efiçiente, konkurrencë më të ndershme dhe një ekonomi ku rregullat të vlejnë për të gjithë.
Është mundësia që qytetari të mos ketë nevojë për mik ose për të paguar nën dorë, për të marrë një shërbim. Që biznesi të mos ketë nevojë për lidhje politike, për të fituar një kontratë shtetërore dhe që i riu të mos e shohë emigracionin si të vetmen rrugë për të ndërtuar jetën.
Sigurisht, Bashkimi Evropian nuk do të vijë të na zgjidhë problemet. Nuk do të na japë automatikisht administratë të mirë, paga të larta apo institucione të pakorruptuara. Mirëpo procesi i integrimit na imponon standarde, afate, reforma dhe mekanizma kontrolli që Shqipëria do ta kishte shumë më të vështirë t’i realizonte vetëm, përmes vullnetit të politikës sonë të brendshme.
Kjo është forca e shpresës që kemi të gjithë ne qytetarët jo të dhunës, fuqia e vërtetë e perspektivës evropiane. Jo të na premtojë një të ardhme pa probleme, por të na detyrojë të ndërtojmë një shtet më të mirë.
Shqipëria që ndërton: fuqia e zhvillimit ekonomik dhe e turizmit
Një tjetër burim i rëndësishëm shprese është ndryshimi i ritmit të zhvillimit fizik dhe ekonomik të vendit.
Shqipëria po ndërton me një ritëm të jashtëzakonshëm. Kullat, hotelet, aeroportet, rrugët, portet, zonat turistike dhe investimet private po ndryshojnë hartën ekonomike dhe urbane të vendit.
Turizmi është shndërruar në një nga motorët kryesorë të ekonomisë. Mbi 12 milionë vizitorë të huaj gjatë vitit 2025 janë një tregues i rëndësishëm i potencialit të vendit. Të ardhurat nga turizmi, zgjerimi i lidhjeve ajrore dhe rritja e interesit të investitorëve të huaj po krijojnë një realitet të ri ekonomik.
Bukuria natyrore e Shqipërisë, bregdeti, malet, trashëgimia kulturore, mikpritja dhe pozicioni gjeografik janë avantazhe që shumë vende do të dëshironin t’i kishin.
Por këto avantazhe duhet të kthehen në zhvillim të qëndrueshëm. Shpresa nuk duhet të jetë verbëri ndaj problemeve. Ajo duhet të jetë besimi se vendi mund t’i zgjidhë ato.
Dy Shqipëri që duhet të pajtohen me njëra-tjetrën
Sot kemi një Shqipëri që proteston dhe një Shqipëri që ndërton. Një Shqipëri që është e zemëruar me politikën dhe një tjetër që kërkon të ardhmen në turizëm, investime, tregti dhe integrim evropian.
Kemi qytetarë që nuk i besojnë institucioneve dhe të rinj që ende besojnë se Shqipëria mund të bëhet vendi ku ia vlen të jetosh. Kemi njerëz që shohin vetëm dështimet e tranzicionit dhe të tjerë që shohin mundësitë e një ekonomie që po ndryshon.
Këto dy Shqipëri nuk janë domosdoshmërisht kundërshtare. Përkundrazi, duhet të takohen.










