Presidenti Donald Trump më në fund iu drejtua ndërprerjes masive të kontrollit të trafikut ajror që la në tokë fluturimet në të gjithë SHBA-në, dhe, çuditërisht, ai fajësoi Joe Biden.
Në një postim të së dielës në mëngjes në Truth Social, Trump shkroi: “Administrata Biden ishte një katastrofë e FAA-së. Çdo gjë që ata prekën u përkeqësua. Para të mëdha të shpenzuara pa mençuri, duke e bërë një sistem të vjetër dhe të prishur më keq se kur filluan.”
Presidenti shtoi: “Ne kemi njohuritë dhe planin për Sistemet e Kontrollit të Fluturimit, kemi nevojë që Kongresi të japë paratë, SHPEJT! FAA jonë po bën një punë të shkëlqyer dhe është gati të fillojë.”
Komenti i Trump-it hera e parë që ai flet për katastrofën që ka lënë mijëra njerëz të bllokuar në mbarë vendin erdhi pothuajse 48 orë pasi nisi ky makth.
Pas postimit të tij të parë të së dielës lidhur me kaosin në transportin ajror, Trump shtoi: “Nëse Kongresi miraton fondet tejet të nevojshme për Kontrollin e Trafikut Ajror, ne mund ta ndërtojmë atë shpejt dhe me efikasitet. Do të jetë SISTEMI MË I MIRË në mbarë botën. Një pjesë e madhe e sistemit tonë aktual të kontrollit ajror është 50 vjeç – E ABSURDE! Ne e kemi nisur tashmë punën, por ajo duhet të kryhet e gjitha menjëherë, e jo me faza të shkëputura e të fragmentuara. Kongresi duhet ta miratojë. Administrata Biden e ka kthyer situatën pas me vite të tëra!”
Në postimin e tij të gjatë në “Truth Social” të shtunën pasdite, Trump kritikoi gjyqtaren e qarkut, Ana C. Reyes, për pengimin e administratës së tij që të procedonte me shpejtësi me rinovimin e “East Potomac Golf Links” – një park publik dhe fushë golfi me sipërfaqe prej afro 400 akrash përgjatë lumit Potomac, të cilin presidenti e ka quajtur “Ishulli i Plehrave” (Trash Island).
Sekretari i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se ndërprerja masive e shërbimit lidhej me një kontraktor që po zëvendësonte telat e vjetër prej bakri të një sistemi të amortizuar.
Para mesazhit të tij në rrjetet sociale të dielën, Trump në një prononcim për korrespondentin e “Fox News”, Peter Doocy, të premten vonë ishte shprehur vetëm se fajin e kishin “gjëra të vjetra e të prishura”.
Duffy u tha gazetarëve se kontraktori i sektorit të mbrojtjes, “L3Harris”, po punonte për zëvendësimin e një pjese të telave të vjetër prej bakri të sistemit me kabllo të reja me fibra optike, dhe se këto punime, në njëfarë mënyre, shkaktuan mbingarkesën e sistemit. Ai shtoi se zyrtarët e tij po hetojnë nëse shkaku ishte “paaftësia” e kontraktorit apo një pajisje rrjeti (ruter) me defekt.
Pas orësh të tëra kaosi në aeroporte gjatë të cilit mijëra fluturime u vonuan ose u anuluan, duke i lënë pasagjerët në pritje nëpër aeroporte dhe duke shkaktuar një efekt zinxhir masiv zyrtarët federalë hoqën urdhrin e ndalimit të lëvizjes në tokë, i cili kishte bllokuar avionët në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Më shumë se 9 000 fluturime u vonuan të premten, sipas FlightAware. Megjithatë, disa prej tyre mund të jenë vonuar për shkak të motit ose çështjeve të tjera, përpara se të jepej urdhri.










