Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) është partnerja kryesore e Shqipërisë në procesin zgjedhor që do të kulmojë me zgjedhjet politike të 25 prillit. Këtë e pohon në një intervistë për “Agenzia Nova” ambasadori i OSBE-së në Tiranë, italiani Vincenzo Del Monaco, i cili e mori detyrën në tetor 2020, në fund të Kryesisë shqiptare të Radhës të organizatës ndërkombëtare me qendër në Vjenë.
“Përparësitë e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri janë ato të Kryesisë së tanishme suedeze të OSBE-së, të zbritura në rrafshin vendor dhe, për zbatimin e tyre, mund të mbështetemi te suksesi i Kryesisë shqiptare që sapo u mbyll”, thotë ambasadori, duke theksuar rëndësinë e punës së OSBE-së me autoritetet shqiptare, në kuadër të zgjedhjeve të rëndësishme të 25 prillit, punë kjo që realizohet “përmes një sërë nismash shumë konkrete që përfshijnë institucionet, shoqërinë civile dhe pakicat, duke punuar krah për krah me Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), që drejtohet prej pak ditësh nga Matteo Mecacci, si edhe me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së”.
Duke përmendur përparësi të tjera të përfaqësisë së OSBE-së të drejtuar prej tij, Del Monaco sjell në vëmendje edhe “mbështetjen për reformat në fushën e drejtësisë, përqendrimin te barazia gjinore dhe liria e medias. “Do të përmendja luftën kundër korrupsionit, me një projekt të mbështetur nga Italia dhe deklaratën e miratuar në Këshillin Ministror të OSBE-së, në Tiranë, 3 dhjetorin e kaluar. Do të shtoja bashkëpunimin e ngushtë që kemi me Kuvendin e Shqipërisë, pa harruar punën për temat më “klasike” të sigurisë, si lufta kundër kërcënimeve transnacionale dhe krimit, me një dimension të fortë rajonal, në sinergji me Sekretariatin e OSBE-së në Vjenë”.
Ambasadori Del Monaco i përgjigjet, më pas, pyetjes për ndryshimet në ligjin zgjedhor, të cilat do të zbatohen gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021. “Prezenca e OSBE-së ndihmoi dhe përshëndeti marrëveshjet politike që bënë të mundur ndryshimin e legjislacionit zgjedhor dhe pasqyrimin në të të pjesës më të madhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Risi të rëndësishme këto, që kanë përditësuar kornizën rregulluese të procesit zgjedhor, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thotë Del Monaco. “Mes risive kryesore do të përmendja ndryshimin e strukturës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, futjen e identifikimit biometrik të zgjedhësve, pilotimin e votimit elektronik në disa pjesë të vendit, mundësinë e votës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë, përmirësimin e mekanizmave për barazinë gjinore, disiplinimin e financimeve private të fushatës zgjedhore dhe votimin preferencial me lista të hapura”.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm, javët e fundit në Shqipëri, ishte zgjedhja e 7 prej 9 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke e ribërë kështu atë funksionale pas gati tri vitesh ngërçi, në kuadër të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve që kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare. “Gjykata Kushtetuese është që tani në gjendje të ushtrojë funksionet, por shpresojmë se i gjithë kolegji me 9 gjyqtarë të mund të plotësohet sa më shpejt të jetë e mundur, pse jo edhe përpara zgjedhjeve të prillit”, deklaron Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. “Përparësitë e Gjykatës janë ato të treguara në mënyrë të përsëritur nga institucionet shqiptare dhe shoqëria civile, duke filluar me shqyrtimin progresiv të çështjeve në pritje. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka një bashkëpunim të vazhdueshëm me Gjykatën,” shton ai. Sipas ambasadorit Del Monaco, “është fakt që reforma në drejtësi gëzon një mbështetje të fortë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërsa kuptohet se secili prej rezultateve të arritura deri më tani nga vendi është fryt i vullnetit dhe vendosmërisë shqiptare. Reformat, për shkak të kompleksitetit, shtrirjes dhe besueshmërisë së tyre, nuk mund të mos marrin kohë. Merrni, për shembull, procesin përmes të cilit përzgjidhen gjyqtarët, të ashtuquajturin ‘vetting’”, vëren diplomati ndërsa i përgjigjet pyetjes në lidhje me perspektivat e negociatave të pranimit të Shqipërisë në BE. “Prezenca është këtu për të ndjekur angazhimet në kuadër të OSBE-së dhe për të mbështetur përparësitë shqiptare. Delegacioni i BE-së në Tiranë është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm, në fusha përparësie të interesit të përbashkët, për të cilat kemi vendosur një bashkëpunim të frytshëm dhe të hapur, sipas mandateve përkatëse. Perspektiva e negociatave me BE-në është një ekuacion që, padyshim, përbëhet nga një mori faktorësh, ndër të cilët përparimi i dukshëm i reformave gjyqësore është thelbësor. Përmenda funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, por mund të përmend prokurorinë e posaçme të porsakrijuar për luftën kundër korrupsionit (SPAK) e të tjera”.
Në intervistën me “Agenzia Nova”, ambasadori i OSBE-së në Shqipëri shpjegon shkurtimisht, më pas, metodat e punës së organizatës ndërkombëtare me seli në Vjenë. “OSBE-ja qe organizata e parë e sigurisë që konceptoi dhe vuri në zbatim parimin gjithëpërfshirës të sigurisë, të riafirmuar nga vendet pjesëmarrëse në një sërë dokumentesh dhe vendimesh, duke filluar me Aktin Final të Helsinkit”, thotë Del Monaco, ndërsa flet për “një qasje revolucionare ndaj sigurisë, nga ku buron puna jonë e përditshme përmes Tri Dimensioneve (politiko-ushtarak, ekonomik e mjedisor, dhe njerëzor), të cilave u kushtohet e njëjta rëndësi. Shtoj këtu se shumica e projekteve tona kanë natyrë shumëdimensionale, në to punojnë së bashku departamente të ndryshme të Prezencës së OSBE-së, duke konfirmuar kështu qasjen e integruar në çështjen e sigurisë”.
Një aspekt tjetër, që karakterizon në mënyrë të pashmangshme, në këtë fazë, punën e OSBE-së në vendin ballkanik, lidhet me emergjencën shëndetësore të shkaktuar nga pandemia COVID-19. “Prezenca e OSBE-së tregoi që është një partnere e besueshme e Shqipërisë që në fazat e hershme të pandemisë: për shembull, duke dhuruar pajisje për policinë dhe pikat e kalimit kufitar; duke shpërndarë pako emergjence për grupet më të rrezikuara; duke i ofruar ndihmë Ministrisë së Shëndetësisë, në bashkëpunim me UNICEF-in, lidhur me udhëzimet për mbrojtjen e fëmijëve; si edhe duke ndihmuar Kuvendin e Shqipërisë për dixhitalizimin e punimeve”, thotë Del Monaco, sipas të cilit OSBE-ja mund të ndihmojë në drejtimin e rimëkëmbjes pas pandemisë edhe nga këndvështrimi i qëndrueshmërisë. “OSBE-ja është edhe një platformë për dialog, brenda së cilës Shtetet Pjesëmarrëse shkëmbejnë praktikat më të mira, përfshirë këtu edhe për temën e sigurisë mjedisore. Ne përveshim mëngët edhe në terren, duke punuar krah për krah me autoritetet kombëtare për të forcuar kapacitetet e monitorimit, promovimit dhe zbatimit të politikave, sipas dispozitave për zhvillim të qëndrueshëm”, përfundon ambasadori.
This e-mail message may contain confidential and/or privileged material. Delivery of this message to any person other than the intended recipient(s) does not in any way waive privilege or confidentiality. The information transmitted is intended only for the person or entity to whom or which it is addressed. Unauthorized use, disclosure or copying is strictly prohibited. The sender accepts no liability for the proper transmission of this communication or for any delay in its receipt.
/a.r