Nëse politika shqiptare nuk miraton Reformën në Drejtësi brenda qershorit, do të ketë pasoja të tmerrshme për integrimin e vendit në BE. Eshtë ky paralajmërimi që ka bërë raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein i cili i bën apel të gjitha palëve të gjejnë një kompromis të vendosin tani.
Në një intervistë për report tv, Fleckenstein tha qartë se ky është një shans unik për të miratuar reformën, në mënyrë që Komisioni Europian të propozojë në vjeshtë hapjen e negociatave për anëtarësim.
Intervista e plotë
Z. Fleckenstein, faleminderit për këtë intervistë. Në vizitën tuaj të fundit zyrtare në Tiranë në shkurt të këtij viti patët deklaruar se partitë politike po prisnin konkluzionet e Komisionit të Venecias dhe më pas puna do të niste me shpejtësi maksimale. Por tashmë jemi në maj, dhe ka ende debate të mëdha, ndërsa shumica dhe opozita akuzojnë njëra tjetrën se nuk duan që ta miratojnë Reformën në Drejtësi. A jeni i kënqur me ritmin e progresit që është bërë deri më tani?
Do të thosha në fakt që tani procesi është në full speed. kam pikërisht këtë përshtypje kur flas me palët, pra që ata duan të arrijnë diçka. Ata ende debatojnë për detajet, çka është mëse e natyrshme por unë mendoj se ka ardhur koha për të marrë vendime, ndaj shpresoj që deri maksimumi në fund të qershorit, të gjitha këto vendime të merren.
Vetëm një ditë më parë, Partia Demokratike prezantoi draft-rezolutën e vet për reformën, edhe pse palët tashmë kanë miratuar në parim draftin bazuar në konkluzionet e Komisionit të Venecias. A mendoni se ky është një hap pas në kohë për reformën?
Nuk është kaq e lehtë tju përgjigjem. shpresoj që kjo qasje e re nga Partia Demokratike të jetë pak a shumë me atë çka kemi deri tani në tryezë prej muajsh tani por mbase me disa ide shtesë. Unë nuk jam në dijeni se çfarë përmban ky propozim i PD-së dhe çfarë do të thotë kjo për diskutimet për reformën. Por mendoj që pas kaq shumë diskutimesh me të gjithë ekspertët, me Komisionin e Venecias, tani është vërtët koha që të gjithë politikanët të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të votojnë këtë reformë, sepse nuk mendoj se pas një viti situata do të jetë ndryshe. Ndaj ata duhet të vendosin tani të gjithë sëbashku…..
nëse vazhdoni të diskutoni pafundësisht dhe pastaj të paraqisni propozime të reja, apo ide të reja, pastaj edhe pala tjetër ka ide të reja, nuk mendoj se kjo do të sjellë zgjidhje më të mira.
Meqë përmendët kohën, vetëm pak ditë më parë lideri democrat Lulëzim Basha tha se procesi i reformës ka qënë i gjatë por mund të zgjasë edhe më shumë, sepse më i rëndësishëm është produkti dhe jo koha. Ju si mendoni? A është koha element kyç në këto momente?
Ai ka të drejtë për diçka, sepse natyrisht që produkti është më i rëndësishëm por unë kam dyshime nëse produkti do të jetë më i mirë nëse diskutimet zgjaten edhe më shumë. Unë natyrisht nuk jam një politikan shqiptar, i takon atyre të vendosin vetë por ata e dinë të gjithë se nëse nuk vendosin deri në fund të qershorit, kjo do të ketë pasoja të tmerrshme për fillimin e negociatave për anëtarësim, sepse, edhe pse s’më pëlqen tua them duhet ta dini se pak më vonë nis fushata zgjedhore në Francë, pas zgjedhjet në Gjermani dhe ky nuk është një moment i mirë për të nisur negociatat. Sepse fokusi i BE-së natyrisht është tek kriza e refugjatëve, kriza e euros, kemi aq shumë probleme në shtëpinë tonë që nuk i kemi zgjedhur ende. Kjo është arsyeja pse i bëj thirrje të gjithë politikanëve të gjejnë një zgjidhje TANI. Parlamenti Europian është institucioni që ka qënë gjithnjë në favor të anëtarësimit sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE, ndaj dhe na lejohet tu kërkojmë atyre (politikanëve shqiptarë) që të veprojnë tani.
Gjatë takimit që zhvilluat një ditë më parë në Shkodër, ju thatë se ka individë të caktuar që kanë interesa që kjo reformë të mos miratohet. Kush janë ata z.Fleckenstein?
Nuk mund tju them emrat por mund tju them se gjithmonë në procese të tilla, ata që po përfitojnë nga situata aktuale pa gjykatës të pavarur dhe pa reformë, janë pikërisht ata që nuk duan që të ndryshojnë asgjë.
E kuptoj që s’mund të thoni emra, por a janë ata politikanë apo gjykatës?
Mendoj se i gjeni ata në të gjitha grupet. janë ata që po përfitojnë nga situata që është sot. Jam shumë i lumtur që kam marr vesh se sipas sondazheve më shumë se 90 % e popullsisë në Shqipëri dëshiron që kjo situatë të ndryshojë. Ndaj mendoj që politikanët duhet të dëgjojnë pikërisht këtë 90 % të popullsisë dhe jo atë 3-2 apo 1 % që po përfitojnë nga sistemi i vjetër.
Kur 90 % e shqiptarëve kërkon që situata të ndryshojë, atëherë pse mendoni që ka kaq pengesa ndaj reformës?
Jam i sigurt se ka plot njerëz të fuqishëm që po përfitojnë nga situata siç është tani. Ndaj shpresoj që politikanët nga të gjitha partitë politike të shohin se ky është një shans unik që të mund të ndryshojnë diçka dhe nëse ata arrijnë ta ndryshojnë të mos harrojmë se reforma është thjesht në letër, më pas do të nisë implementimi dalëngadalë dhe kjo padyshim do të kërkojë pak kohë. Pra nuk do të quhet e përfunduar me një vendimarrje por të paktën është një fillim ndaj dhe nxisim të gjithë që ta bëjnë këtë pikënisje.
Nëse jam korrekte, dje ju thatë se keni marrë garanci nga partitë kryesore politike në vend se reforma do të miratohet brenda 6 javësh, dhe se vetëm atëherë mund të shpresojmë për një propozim nga Ke për të nisur negociatat për anëtarësim. Është miratimi i reformës i mjaftueshëm apo do të nevojiten hapa konkretë? Pra duhet edhe implementim?
Nëse presim për implementimin do të na duhet të presim pak më gjatë sepse natyrisht nuk mund ta ndryshojmë sistemin nga sot-nesër. Por nëse ka një votë të qartë për ndryshimet kushtetuese dhe nëse nisin implementimin, mendoj se kjo është pika kur Komisioni Europian do të ndjekë Parlamentin dhe do ti kërkojë Këshillit Europian që të nisë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë.
Rreth dy javë më parë, besoj e dini, që u bëmë dëshmitarë të një situate të pazakontë, kur dy ambasadorët Lu dhe Vlahutin morrën pjesë në mbledhjet e grupeve parlamentare të 3 partive kryesore politike. Edhe vetë ambasadori amerikan e pranoi që kjo ishte e pazakontë por disi e nevojshme. E megjithatë pati edhe kritika ndaj këtij veprimi. Kështu deputeti demokrat Genc Ruli, bashkë me ish kryeministrin Berisha nuk morrën pjesë në mbledhje dhe Ruli tha se reforma duhet bërë nga shqiptarët në mënyrë që të mos perceptohet sikur po imponohet nga jashtë. Cili është komenti juaj, fillimisht për veprimin e 2 ambasadorëve dhe për komentet e z. Ruli?
Besoj që ambasadorët nuk shkuan mezor në këto takime, ata u ftuan.
Po por ata e kërkuan vetë këtë pjesëmarrje.
Natyrisht, pas kaq shumë këshillime, asistencë nga ambasada Amerikane dhe delegacioni i BE-së, ata doni ti shpjegonin deputetëve se pse kjo është koha për vendimarrje. Dhe nëse grupet parlamentare ranë dakord dhe i ftuan ata (ambasadorët) kjo është gjë e mirë. Gjithësesi, në fund z.Ruli ka të drejtë sepse janë shqiptarët ata që duhet të votojnë, janë deputetët shqiptarë që duhet të vendosin, e jo deputetët e Parlamentit Europian apo anëtarët e Kongresit Amerikan. Pra është vendimi i të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë nëse ata duan të marrin një vendim tani dhe të nisin negociatat për anëtarësim në fund të vitit apo mendojnë që duhet të vazhdojnë të diskutojnë pambarimisht.
Në 20 prill, ju dhe eurodeputeti Hannes Sëoboda zhvilluat një takim me deputeten socialiste Mimoza Hafizi e cila ju kërkoi ndihmë për të ushtruar presion ndaj lidershipit të PS për të hapur kutitë e referendumit që u mbajt brenda partisë dhe sipas deklaratës së zonjës Hafizi ju i keni thënë “Mos u dorëzoni”. A keni bërë ndonjë gjë për ta ndihmuar atë dhe socialistët e tjerë që kundërshtojnë mënyrën se si drejtohet PS nga kryeministri Edi Rama?
Jo, unë nuk ndërhyj në punët e brendshme por nëse ata duan të ndryshojnë diçka, ata duhet të bindin anëtarët e Partisë dhe natyrisht nëse ata ndjejnë se kanë të drejtë, padyshim që ata duhet të mos heqin dorë, por duhet të vazhdojnë ta ngrejnë atë çështje sërish dhe sërish por në fund duhet të respektojnë vendimin e shumicës.
Z. Fleckenstein a keni ndonjëherë ndjesinë se partnerët ndërkombëtarë dhe vecanërisht BE dhe SHBA e duan reformën në drejtësi më shumë se politikanët shqiptarë?
Jo në fakt, nuk e shoh kështu. Mendoj se politikanët shqiptarë e duan këtë reformë gjithashtu por duhet të kuptojnë se duhet të gjejnë tani kompromise dhe të marrin vendime sepse diskutimet e pafund nuk do të sjellin domosdoshmërisht një rezultat më të mire.
a.k