Nga Mero Baze
Ndërsa Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, shkoi sot në takim me Edi Ramën, qëndrestarët e revolucionit të shuar të flamingove tentuan të përplaseshin me policinë, për të treguar mospranimin e tyre ndaj Edi Ramës nën parullën: “Arrestoni Ramën!”.
I gjithë përfytyrimi i tyre për protestën është se dikush do t’ia përkthejë zonjës Ursula von der Leyen parullën e tyre dhe ajo do ta lërë në mes konferencën për shtyp për të shkuar e për t’u bashkuar me flamingot.
Gjëja e parë që duhej të bënin në këtë rast, tani që kanë mbetur aq pak dhe janë bërë të papranueshëm edhe për njëri-tjetrin, ishte të mos ia zbukuronin Edi Ramës skenën ku ai vazhdon të luajë i qetë.
Për një udhëheqëse europiane, një vend që arreston përditë zyrtarë të korruptuar dhe që ka edhe një grup prej 50 vetash që protestojnë si “flamingo”, është vendi ideal që europianët duan të shikojnë në Ballkanin Perëndimor.
Një vend ku arrestimet e përditshme të zyrtarëve të lartë tregojnë shkallën e lartë të betejës kundër korrupsionit, ndërsa durimi për të dëgjuar një grup linçuesish, që janë vetëshpallur revolucionarë nën simbolin e flamingove, dëshmon pjekurinë e demokracisë shqiptare.
Kjo është një pasqyrë e gënjeshtërt, fal tyre.
E vërteta është se në Shqipëri, përfshirë qeverinë dhe zyrat e pushtetit, askush nuk është i lumtur me betejën e drejtësisë kundër korrupsionit. Dhe e vetmja bezdi që kanë nga flamingot është ajo orë kur rëndojnë trafikun në bulevard.
Por kjo nuk shihet në Bruksel. Në Bruksel, fotografia e një vendi që kërkon të hyjë në Europë është e përkryer. Në rrugë ka çdo ditë një grup të vogël njerëzish që protestojnë, ndërsa në SPAK ka përditë vizita nga politikanë dhe zyrtarë të lartë të Shqipërisë.
Madje, Ursula von der Leyen mund të ketë arritur të dëgjojë edhe sloganin “Arrestoni Ramën!”, ndërkohë që ai mund të ketë qenë duke bërë ndonjë batutë me të.
Kjo është një skenë ideale për çdo burokrat apo udhëheqës politik europian. Ideja se duke protestuar do ta diskreditojnë Edi Ramën në sytë e Europës është naive. Vetëm sa ia zbukurojnë pushtetin, i cili, në të vërtetë, nuk është aq i bukur.
Pastaj, ideja se arrestimet janë arsye për të rrëzuar qeverinë është edhe më e pakuptueshme në Europë, ku tanimë janë të bindur se këtu drejtësia është e pavarur, së paku nga qeveria jonë, por jo domosdoshmërisht nga qeveritë e tyre.
Ndaj është mirë të mendojnë një formë më të zgjuar proteste për ta sulmuar Edi Ramën si diktator apo si të korruptuar, jo si tolerant dhe si viktimë të drejtësisë.
Ky imazh i dytë është i vetmi nder që mund t’i bëhet në këto kohë të vështira. Më shumë do ta kishin dëmtuar sikur sot të abstenonin nga protesta dhe të linin një parullë ku të shkruhej: “Edi Rama na e ka shkatërruar protestën”, sesa duke bërtitur para zyrës së tij “Rama në burg!”, ndërsa policët i përcjellin duke i përkëdhelur mbi shpatulla.
Vite më parë, Europa dërgonte nga Brukseli të dërguar të posaçëm për të negociuar dorëzimin e gardistëve që vranë njerëz në një miting me urdhër të kryeministrit. Quhej fitore kur ai falte katër gazetarë të shpallur puçistë, që të mos merreshin në pyetje.
Sot, natyrisht, Brukseli e quan një hap të madh përpara faktin që, në atë shesh ku vriteshin demonstrues, dëgjohen protesta kundër kryeministrit, të pashqetësuara si prej tij, ashtu edhe prej drejtësisë.
Duhet pak më shumë fantazi për ta dëmtuar Edi Ramën si kryeministër. Për kryeministrat nuk vlen shprehja “kush të rreh, të do”, por shprehja “kush të shan, të do”. Në këtë rast ka kuptimin se “i duan të mirën”, pasi flamingot shndërrohen në një dekor demokracie për të.
Një dekor për diçka që në të vërtetë nuk është ashtu siç duket.











Një shprehje labe, nga fshati Vajzë i labërisë (nga kemi kryetarin e Gjykates Lartë Sokol Maliq Sadushi), kanë një shprehje “QIJU NËNËN, TË TË THONË BABA”.
Deri këtu dakord, sepse është edhe brenda ligjeve të natyrës.
Po kur SPAKU, merr e të qi edhe babanë, a duhet ti themi baba ?
SPAKU dhe spakistet, duhen trajtuar si gjithë nënpunësit e këtijë vëndi, e jo si supermenë, që o burra erdhën këta, dhe natën na e bënë dritë, dhe na hëngërtin munë, me pordhëtë e shumë.