• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, April 8, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Fjalëkryqi i Kosovës: President i ri apo sërish zgjedhje?

by Java News
08/04/2026 20:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Sandra Cvetkoviq, REL

Gjasat ekzistojnë, por ato janë të kufizuara.

Kështu i komentojnë mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës përfaqësuesit e shoqërisë civile – Mexhide Demolli nga Lëvizja Fol dhe Emir Abrashi nga Demokraci Plus.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, zhvilloi këtë javë një takim me udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe paralajmëroi bisedime edhe me udhëheqësin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kurti dhe Abdixhiku deklaruan pas takimit se nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje, por thanë se do t’i vazhdojnë bisedimet për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi Zyrën e kryeministrit Kurti për të pyetur se çfarë pritjesh ka nga këto bisedime dhe nëse zgjidhja politike është në horizont, por nuk mori përgjigje.

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se kreu i kësaj partie më të madhe opozitare, Bedri Hamza, do t’i përgjigjet ftesës së Kurtit kur të specifikohet propozimi, përkatësisht kur të jetë e qartë se çfarë do të diskutohet.

“Ky konkretizim do të na ndihmonte që ne ta shqyrtonim atë në organet tona më të larta, për shembull në Këshillin Drejtues të PDK-së, dhe pastaj, pas shqyrtimit, të dalim me përgjigje konkrete”, thotë Abdullahu.

Kurti duhet të sigurojë mbështetjen më të gjerë të anëtarëve të Kuvendit të Kosovës deri më 28 prill – afat i caktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Mandati i presidentes Vjosa Osmani skadoi më 4 prill dhe pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentes e mori kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, kandidati për president duhet të sigurojë dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 deputetë – pra të paktën 80 vota.

Nëse në dy rundet e para asnjë kandidat nuk i merr votat e nevojshme, në rundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë – prej së paku 61 votash – me kusht që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje ka 57 mandate dhe e ka formuar Qeverinë me mbështetjen e nëntë deputetëve nga komunitetet joshumicë.

Partia Demokratike e Kosovës ka 22 ulëse në Kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.

Kurti ka thënë më herët se synon të sigurojë më shumë se 80 vota, në mënyrë që zgjedhja e presidentit të jetë e garantuar.

Demolli thotë se të gjitha partitë politike kanë shprehur dëshirë për t’i shmangur zgjedhjet e reja dhe se takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut ka lënë hapësirë për vazhdimin e negociatave.

Megjithatë, ajo nënvizon se për arritjen e një konsensusi, duhet të plotësohen disa kushte: Lëvizja Vetëvendosje të pranojë një kandidat jopartiak, PDK-ja ose AAK-ja të mos i bojkotojnë seancat dhe të sigurojnë kuorumin, ndërsa LDK-ja me 15 deputetët e saj të luajë rolin e “urës” mes palëve.

“Gjasat që këto tri kushte të përmbushen brenda tri javësh, janë të vogla, por jo të pamundura, sidomos nëse ka presion të jashtëm, veçanërisht nga partnerët ndërkombëtarë si BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara”, thotë Demolli.

Abrashi vlerëson se nuk ka pasur negociata serioze me PDK-në dhe AAK-në, ndërsa bisedimet me LDK-në nuk kanë sjellë rezultate konkrete.

“Nëse kjo situatë vazhdon, ka shumë gjasa që afati të skadojë pa zgjidhje, dhe më pas të pasojë një tjetër manovër politike me zhvendosje të përgjegjësisë tek opozita”, thotë Abrashi.

Ai shton se Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në Kuvend, duhet ta lehtësojë arritjen e konsensusit.

“Kjo mund të nënkuptojë pranimin e disa kërkesave të opozitës për të shmangur zgjedhjet e parakohshme”, thotë Abrashi, duke shtuar se dështimi mund të tregojë mungesë vullneti real për zgjidhje ose përpjekje për të ruajtur kontrollin mbi postin e presidentit.

Abrashi vlerëson se një figurë jopolitike mund të sigurojë konsensus, pasi presidenti, sipas Kushtetutës, përcaktohet si “simbol i unitetit kombëtar”.

Në këtë kontekst, ai shton se nevojitet një kandidat që garanton neutralitet institucional, stabilitet dhe besueshmëri.

“Duke pasur parasysh polarizimin e thellë, është e vështirë të imagjinohet që dikush nga elita ekzistuese politike, mund ta kryejë në mënyrë efektive këtë funksion. Rruga më reale është të zgjidhet një figurë me reputacion dhe jopartiake”, thotë Abrashi.

Më 5 mars, Lëvizja Vetëvendosje emëroi Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçakun për pozitën e presidentit, por procesi nuk u përfundua për shkak të mungesës së kuorumit.

Një ditë më vonë, ish-presidentja Osmani nxori një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, por Gjykata Kushtetuese e anuloi atë me arsyetimin se nuk kishte efekt ligjor.

Demolli vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje po përpiqet të paraqitet si parti konstruktive, por shton se në praktikë nuk ka përparim të mjaftueshëm drejt një zgjidhjeje.

Sipas saj, edhe opozita shpesh ka përdorur obstruksionin, duke e bërë bojkotimin e seancave pothuajse reagim rutinor – gjë që ka dëmtuar edhe kulturën parlamentare.

“Në fund, kemi dy palë që pretendojnë se duan stabilitet, por secila e sheh atë përmes dominimit të vet. Kjo do të thotë se nuk është më vetëm një krizë kushtetuese, por një krizë me qëllim të përbashkët politik”, thotë Demolli.

Abrashi vlerëson se opozita është duke treguar gatishmëri për dialog, ndërsa qasja e Kurtit dhe Vetëvendosjes është më pak fleksibile.

“Pritet që opozita të mbështesë kandidatin e pushtetit, gjë që nuk është e qëndrueshme në një sistem parlamentar që kërkon bashkëpunim”, shpjegon ai.

Ai shton se Kurti, më herët, ka pasur mundësi për një marrëveshje më të gjerë, përfshirë rizgjedhjen e Vjosa Osmanit, por se kjo nuk ka ndodhur.

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, tha më 7 prill se është e gatshme të ndihmojë në procesin e zgjedhjes së presidentit.

Next Post
Kryeministri izraelit: Një armëpushim me Iranin nuk do të përfshijë Hezbollahun! Ne do të vazhdojmë ta godasim

Kryeministri izraelit: Një armëpushim me Iranin nuk do të përfshijë Hezbollahun! Ne do të vazhdojmë ta godasim

Comments 1

  1. Don Mihali says:
    3 hours ago

    Loja e Albin Kurtit, është që të bëjë Elisa Spiropalin, Presidente të Kosovës, për ballancim Ramës, me shefen e SHISH-it që e mori Rama, mbasi e pushoi Kurti.
    Kështu përflitet koridoreve të Ministrisë Drejtësisë së Kosovës, të përhapura nga Donika Gërvalla, për ta djegur Spiropalin, mbasi ka vetë ambicie për presidente.

    Reply

Leave a Reply to Don Mihali Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

VIDEO / Tentoi t’i arratisej Policisë, drejtuesi i mjetit shkakton aksident

VIDEO / Tentoi t’i arratisej Policisë, drejtuesi i mjetit shkakton aksident

April 8, 2026
Vance: SHBA nuk premtoi kurrë armëpushim për Libanin

Vance: SHBA nuk premtoi kurrë armëpushim për Libanin

April 8, 2026
Alarmi i ekspertit amerikan: Shqipëria të bëjë kujdes! Irani mund ta bëjë shembull!

Alarmi i ekspertit amerikan: Shqipëria të bëjë kujdes! Irani mund ta bëjë shembull!

April 8, 2026
Preç Zogaj: Katër mesazhet që na vijnë nga takimet e Salianjit dhe Alimehmetit

Zogaj: Tërheqja e Trump shmangu një skenar apokaliptik

April 8, 2026
Afro 57 mijë brenda një muaji, rritet numri i vizitorëve në Kosovë, kryeson Shqipëria

Afro 57 mijë brenda një muaji, rritet numri i vizitorëve në Kosovë, kryeson Shqipëria

April 8, 2026
Qëllimi i Ramës për krijimin e “Shtetit Bektashi”… Vangjeli: Me një gur vret 3-4 zogj

Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e Metës, Vangjeli: Politika frymëzuese e një sistemi represiv

April 8, 2026
Alimehmeti e kalon ‘topin’ te Tabaku, vetë pret 2027-n: Manastirliu, kandidatja më e dobët

Ilir Alimehmeti zbulon nëse do kandidojë në garën për Tiranën

April 8, 2026
Kryediplomati i Iranit: SHBA-të të zgjedhin midis armëpushimit ose luftës “përmes Izraelit”

Kryediplomati i Iranit: SHBA-të të zgjedhin midis armëpushimit ose luftës “përmes Izraelit”

April 8, 2026
VIDEO / Nga Miami në zemër të Ballkanit: Djali i Donald Trump në oborrin e Dodikut

VIDEO / Nga Miami në zemër të Ballkanit: Djali i Donald Trump në oborrin e Dodikut

April 8, 2026
Ministrja Antikorrupsion, Pirdeni: 4 fushat me rrezikun më të lartë dhe masat e qeverisë

Pirdeni shuan zërat e opozitës: KE prezanton raportin e Shqipërisë para 27 vendeve anëtare

April 8, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In