Nga Ilva Tare
Në Turqi ka ndodhur ajo që shumë analistë e shpresonin dhe me sa rezultoi nga votimet e djeshme shumë turq e dëshironin. Ndëshkim autokracisë së Erdogan dhe fitore të votës së protestës ndaj politikave dhe ideve të tij për modelin e qeverisjes së vendit, që edhe pse ekonomikisht njeh rritje, vota popullore e stopoi.
Për Erdoganin, rezultati I zgjedhjeve mund të lexohet si një shuplakë e mirëfilltë (nëse ia huazon vëllait Rama këtë tërm) pas fitoreve të njëpasnjëshmë që prej viti 1994 kur u zgjodh Kryetar I Bashkisë së Stambollit. Pyetja nëse këto zgjedhje mund të shënojnë dhe fundin e epokës Erdogan në Turqi mund të marrë përgjigje brenda 45 ditëve kur partia e tij duhet të krijojë qeverinë, ose ta cojë vendin në zgjedhje të parakohshme.
A ka gjasa që zgjedhësit shqiptarë në 21 Qershor ta shohin kutinë e votimit si një moment proteste apo mbështetje ndaj maxhorancës së majtë? Apo më tej akoma si një votë proteste ndaj elitës politike në vend që edhe kur bën rifreskim në dukje, e ruan mentalitetin autokrat në thelb dhe në mënyrën si operojnë në vendimarrje?
Mendoj se po. 21 Qershori do të jetë një mundësi për të konfirmuar ose rrëzuar platforma dhe strategji, në të dyja krahët të majtë dhe të djathtë, që duket se I kanë lodhur qytetarët shqiptarë. Nëse kandidatë të pavarur si Bojaxhi do të dinë ta maksimalizojnë këtë votë proteste ndaj elitës politike, do të ishte një sinjal I qartë për zgjedhjet e 2017 se më në fund edhe klasa politike shqiptare ka mundësi të përtërihet jo përmes listave të Kryetarëve të partive, por përmes individëve që frymëzojnë dhe premtojnë shkëputje nga metodat e vjetra të të drejtuarit të vendit.









