Regjisori Ilir Butka ka bërë një reagim të fortë në llogarinë e tij, për aktorin dhe regjisorin e shquar Mevlan Shanaj, si një kundërpërgjigje e deklaratave të këtij të fundit, gjatë dhe pas Festivalit Kombëtar të Filmit.
Shanaj shprehej në deklarata dhe komente të ndryshme se “filmi shqiptar ka rënë në duart e matrapazëve”, ndërsa Ilir Butka e konsideron retorikën e tij “të pakontrolluar, harbute dhe teatrale”.
“Në këtë udhëtim transformues që solli Festivali, përplasja me rezistencën e status quo-së ishte e pashmangshme. Acarimi i shfaqur së fundmi përmes retorikës së pakontrolluar, teatrale dhe harbute nuk është gjë tjetër veçse simptoma e qartë e panikut që sjell humbja e kontrollit mbi atë që ata e konsiderojnë pronën e tyre: kinematografinë shqiptare”, shkruan regjisori Butka.
Pavarësisht se nuk e përmend me emër Mevlan Shanaj, ai thotë se ai ka qenë “më i zëshmi” ditët e fundit dhe e akuzon se e ka shndërruar kinematografinë shqiptare në pronë të familjes së tij.
“Për dekada me radhë, ky sektor u trajtua nga një grupim i ngushtë si pronë private e familjare, e ndarë mes dy apo tri familjeve që garantonin akses të përhershëm në fondet publike sa herë që konkurronin. Në atë realitet të vjetër, përgjegjësia për mungesën e cilësisë ishte zero, ndërsa të njëjtët emra merrnin rolin e gjyqtarit suprem për të vendosur mbi fatin e veprave të të tjerëve, duke i vënë notën çdo iniciative e çdo kineasti jashtë rrethit të tyre të mbyllur. Asnjë entuziazëm, empati apo aq më pak dashuri për ata që duhej të kishin marrë stafetën sot, atë stafetë që nuk duan ta lëshojnë nga dora dhe që, sipas tyre, duhet ta meritojnë vetëm bijtë e tyre. Për ta nuk ekziston kinematografi shqiptare jashtë asaj që krijohet brenda familjes së tyre. Fatkeqësisht, kanë pasur për vite me radhë dhe kanë akoma në duart e tyre monopolin e shkollave të kinematografisë”, shkruan Ilir Butka.
Regjisori thotë se kolegu Mevlan Shanaj ka marrë para nga buxheti i shtetit për prodhime kinematografike dhe as i ka dorëzuar projektet dhe as ka kthyer paratë. Sipas Ilir Butkës, asnjë sjellje brutale, asnjë e folur vulgare dhe asnjë shfaqje prej të hakërryeri apo viktime “nuk mund t’i shpëtojë më ata që për vite me radhë u mësuan të silleshin si të paprekshëm.”
Ai thekson se reagimet e Mevlan Shanaj jo vetëm që nuk frikësojnë askënd, por thejsht konsumojnë aktin e fundit të degjenerimit të një pushteti të humbur monopolizues. Dhe sipas Butkës, edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit tregoi me fakte se ku qëndron e vërteta.
“I vetmi shqetësim real i tyre në fakt është frika e llogaridhënies administrative. Qendra Kombëtare e Kinematografisë kërkon sot me të drejtë zbatimin e ligjit: ose dorëzimin e veprave filmike të realizuara, ose kthimin e parave të marra nga buxheti i shtetit. Kjo i ka tërbuar fare.
Më aktivi ndër ta, shpif e gënjen prej kohësh me papërgjegjshmërinë e një të fandaksuri për gjëra që as nuk i di e as nuk i kupton. Përgjatë viteve, ky individ ka dëshmuar një qasje shumë personale për dimensionin kohë, ku produksione të financuara nga paratë publike zvarriten me dekada pa pyetur për asnjë afat kontraktual. Me një narrativë viktimizuese, ky personazh ankohet vazhdimisht për buxhete të pamjaftueshme, ndërkohë që ka detyrimin të paraqesë preventivët e shpenzimeve për financimet e përfituara ashtu siç janë deklaruar në projekt. Ai e kupton shumë mirë këtë që po them…”, vijon ai.
Lexoni më poshtë reagimin e plotë të regjisorit Ilir Butka:
“Përballja me Zhgënjimin e Kontrollit të Humbur
Në këtë udhëtim transformues që solli Festivali, përplasja me rezistencën e status quo-së ishte e pashmangshme. Acarimi i shfaqur së fundmi përmes retorikës së pakontrolluar, teatrale dhe harbute nuk është gjë tjetër veçse simptoma e qartë e panikut që sjell humbja e kontrollit mbi atë që ata e konsiderojnë pronën e tyre: kinematografinë shqiptare.
E kishit parë apo dëgjuar ndonjëherë të flisnin me këtë arrogancë Dhimitër Anagnostin, Viktor Gjikën apo Kristaq Dhamon? Korifejtë e kinematografisë sonë i kishit parë apo dëgjuar ndonjëherë të bënin skandale në media apo të përflisnin individë me emër e mbiemër? Sa më të mëdhenj ishin, aq më të vetëkontrolluar shfaqeshin.
Për dekada me radhë, ky sektor u trajtua nga një grupim i ngushtë si pronë private e familjare, e ndarë mes dy apo tri familjeve që garantonin akses të përhershëm në fondet publike sa herë që konkurronin. Në atë realitet të vjetër, përgjegjësia për mungesën e cilësisë ishte zero, ndërsa të njëjtët emra merrnin rolin e gjyqtarit suprem për të vendosur mbi fatin e veprave të të tjerëve, duke i vënë notën çdo iniciative e çdo kineasti jashtë rrethit të tyre të mbyllur. Asnjë entuziazëm, empati apo aq më pak dashuri për ata që duhej të kishin marrë stafetën sot, atë stafetë që nuk duan ta lëshojnë nga dora dhe që, sipas tyre, duhet ta meritojnë vetëm bijtë e tyre. Për ta nuk ekziston kinematografi shqiptare jashtë asaj që krijohet brenda familjes së tyre. Fatkeqësisht, kanë pasur për vite me radhë dhe kanë akoma në duart e tyre monopolin e shkollave të kinematografisë.
Agresiviteti i sotëm nuk lind nga shqetësimi për artin apo për ndryshimet ligjore. Nëse do të ishte kështu duhet të kishim parë apo lexuar një artikull kritik serioz për shqetësime reale profesionale sikundër bënë të gjithë ata që kishin diçka për të thënë lidhur me propozimet pë ligjin e ri të kinematografisë. Nuk e bënë kurrë sepse dinë të analizojnë, nuk dinë të sugjerojnë, nuk kanë asgjë për të thënë lidhur me organizimin dhe administrimin sepse ështe dicka që nuk e kuptojnë, ndaj shkruajne vetëm pamflete të përçartura me fyerje dhe ofendime në facebook.
I vetmi shqetësim real i tyre në fakt është frika e llogaridhënies administrative. Qendra Kombëtare e Kinematografisë kërkon sot me të drejtë zbatimin e ligjit: ose dorëzimin e veprave filmike të realizuara, ose kthimin e parave të marra nga buxheti i shtetit. Kjo i ka tërbuar fare.
Më aktivi ndër ta, shpif e gënjen prej kohësh me papërgjegjshmërinë e një të fandaksuri për gjëra që as nuk i di e as nuk i kupton. Përgjatë viteve, ky individ ka dëshmuar një qasje shumë personale për dimensionin kohë, ku produksione të financuara nga paratë publike zvarriten me dekada pa pyetur për asnjë afat kontraktual. Me një narrativë viktimizuese, ky personazh ankohet vazhdimisht për buxhete të pamjaftueshme, ndërkohë që ka detyrimin të paraqesë preventivët e shpenzimeve për financimet e përfituara ashtu siç janë deklaruar në projekt. Ai e kupton shumë mirë këtë që po them…
Asnjë sjellje brutale, asnjë e folur vulgare dhe asnjë shfaqje prej të hakërryeri apo viktime nuk mund t’i shpëtojë më ata që për vite me radhë u mësuan të silleshin si të paprekshëm. Këto performanca ofensive nuk frikësojnë askënd; ato konsumojnë thjesht aktin e fundit të degjenerimit të një pushteti të humbur monopolizues.
Edicioni i 14-të i Festivalit Kombëtar të Filmit tregoi me fakte se ku qëndron e vërteta. Ai nxjerr në pah kineastët e vërtetë të këtij vendi, ata që punojnë e krijojnë me energjinë, pozitivitetin e, profesionalizmin e punëve të tyre. Ky është drejtimi i sigurtë dhe i pakthyeshem ku po shkon e ardhmja e filmbërjes shqiptare.
Në këtë festival morën pjesë gjithsej 75 regjisorë, prej të cilëve 58 regjisorë meshkuj dhe 17 regjisore femra. Ka mjaft të rinj midis tyre me mendësi të re, që e kanë çarë rrugën e tyre pa privilegjin e të pasurit një baba apo një nëne domosdoshmërisht kineastë. Ekzistencën e tyre “elitat” e refuzojnë, filmat e tyre nuk duan t’i shohin, sukseset e tyre i acarojnë.
Nëse ka sjellë një kontribut ky festival, është pikërisht profilizimi i të gjithë personazheve që popullojnë botën e industrisë së filmit me karakteristikat e tyre esenciale: me dëshirën për t’u bërë pjesë e këtij komuniteti apo për të qëndruar mënjanë; me dëshirën për të dhënë apo vetëm për të marrë; ata që mendojnë pozitivisht për festivalin dhe e shohin si festë të filmit, dhe ata që në çdo formulim fjalie nuk fshehin dot pakënaqësinë ndaj çdo gjëje e gjithkujt.
Asnjë baltë e hedhur në çastet e panikut individual nuk e zbeh dot faktin se kinematografia shqiptare ka ndryshuar rrënjësisht: ajo është sot më e hapur, më meritokratike dhe e integruar në sistemin evropian si asnjë art tjetër në Shqipëri. Kjo udhë është e pakthyeshme, ndërsa zhurma e fundit e një monopoli të rrëzuar mbetet vetëm një ambalazh i zbrazët i së shkuarës. /TEMA/











