Zyrtarët e qytezës turistike Miami Beach, kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe kanë vendosur orë policore në qytet, për shkak të sjelljes së shfrenuar të studentëve që kalojnë aty pushimet e pranverës.
Çdo vit, qindra mijëra studentë nga universitetet amerikane zgjedhin shtetin e Floridës për të kaluar pushimet, duke “pushtuar” plazhet dhe pikat kryesore turistike. Vala e të rinjve që kërkonin diell, alkool dhe festa nuk u ndal as në vitet e pandemisë, për shkak se Florida gjithmonë refuzoi të vinte në zbatim masa të rrepta.
Sipas kryebashkiakut Dan Gelber, ora policore nis të enjten pas mesnate dhe zgjat deri të hënën në orën 6 të mëngjesit. Ajo do të përsëritet edhe në fundjavën e ardhshme.
Vendimi u mor pas dy incidenteve me armë gjatë fundjavës së kaluar, ku mbetën të plagosur 5 vetë, në bulevardin e famshëm “Ocean Drive”. “Nëse doni të shihni si duket një kryebashkiak i inatosur, më shihni mua”, tha Gelber në një konferencë për mediat. “Është mbushur kupa, ajo që po shohim dhe ndjejmë është e papranueshme”. Autoritetet kanë anuluar edhe evenimentet e planifikuara, si koncerte apo aktivitete të tjera.
Shefi i policisë, Richard Clements, tha të hënën se që prej nisjes së sezonit të pushimeve në shkurt, 9 efektivë janë plagosur. Kryebashkiaku Gelber tha gjithashtu se përgjatë fundjavës së kaluar janë sekuestruar 100 pistoleta. Sipas autoriteteve lokale, këtë vit mendohet se 570 mijë studentë do të mbërrijnë në Florida.
g.kosovari