Lot gëzimi, përqafime dhe në fund festë e çmendur. Lojtarët dhe stafi i Kombëtares kanë përjetuar dje mbrëmjen më speciale dhe pa dyshim nuk kanë munguar as shfrenimet e kuqezinjve.
Ajo që tërhoqi vëmendjen menjëherë pas ndeshjes ishte përqafimi i De Biazit dhe më pas puthja miqësore që i bëri asistentit të tij, Tramexanit. Si për t’i thënë krahut të tij të djathë se “Ia dolëm. Meritë ke edhe ti!”. Por në fakt festa nuk nisi aty. Nisi pak minuta para se të binte bilbili, kur presidenti i FSHF—së, Duka, sekretari Shulku dhe zv.presidenti Nuri zbritën në fushë.
LOTËT
Nuri nisi të qajë pa u mbyllur ndeshja. Kishte marrë me vete shampanjë dhe një Zot e di se si ia bëri të hynte në fushë me gjithë shishe, por ia doli. Duka sapo zbriti në fushë shkoi te pankina, por delegati i UEFAs i kërkoi të largohej. Duka i shpjegoi se ishte presidenti i FSHFsë dhe se mezi po përmbahej. Mezi arriti të bindte delegatin dhe në fund u spostua disi në cep. Sapo përfundoi ndeshja zyrtarët vërshuan në fushë. De Biazi përqafoi Tramexanin, Cana shpërtheu në lot, ndërsa Lutfi Nuri e la shampanjën duke qarë me ngashërim nga gëzimi. Festë pa fund në fushë. Të gjithë përqafohen me njëri–tjetrin dhe më pas afrohen tek ata tifozë që kishin shkuar deri në Jerevan duke i përshëndetur përzemërsisht.
FESTA NË DHOMA
Sapo u futën në dhomat e zhveshjes nisi një festë ekzaltuese e kuqezinjve. Këngë patriotike dhe thirrja e famshme “kush s’kërcen nuk është shqiptar oe!”.
Lojtarëve armenë dhe stafit të tyre nuk u bëri përshtypje kjo, ndërsa delegati i UEFAs ka qenë i alarmuar se mos ky gëzim i pamatë mund të merrej si provokim nga vendësit dhe mund të pasonte me incidente. Por në fakt, asgjë nuk ndodhi. Skuadra iu drejtua menjëherë autobusit.
BORIA E AUTOBUSIT
Sapo hipën të gjithë në autobusin që do t’i çonte në hotel, Bulku iu afrua shoferit dhe vuri dorën te boria. Në fillim shoferi është hutuar dhe është trembur pak, por më pas e ka lejuar që deri te hoteli boria të qëndronte takuar dhe të tërhiqte vëmendjen e të gjithë atyre që shkëmbeheshin me autobusin e kuqezinjve.
ABAZHURË TË THYER
Fati i keq e deshi që pronari i hotelit të kishte përzgjedhur disa abazhurë në formë topash që ngjanin si topa bore. Aty lojtarët nuk janë përmbajtur dhe i kanë shkulur abazhurët duke nisur të luajnë me njëri–tjetrin si në një lojë fëmijësh në dëborë. Bulku, Lila dhe Tramexani kanë qenë më të papërmbajturit duke shkaktuar heraherës dhe ilaritet./Panorama Sport/