Mjeku dhe akademiku i njohur, Prof. Dr. Ylli Popa, me origjinë nga një familje e njohur me tradita intelektuale nga qyteti i Elbasanit, i diplomuar për Mjekësi në Bukuresht dhe në Moskë, në fundin e viteve ’50-të, pedagog i Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë dhe themelues i shkollës shqiptare të Kardiologjisë, ish-kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, nga viti 1997 deri në 2007-ën, ish-deputet i Kuvendit Popullor para viteve ’90-të, i dekoruar me medalje dhe urdhra të ndryshme, si dhe me titullin e lartë “Hero i Punës Socialiste”, në vitin 2007, një rrëfim të gjatë për jetën dhe karrierën e tij si mjek dhe akademik, ka treguar për gazetarin Blendi Fevziu. Në rrëfimin e tij, Prof. Popa, është ndalur gjatë, duke treguar si u bë mjek i Enver Hoxhës, si mjekohej diktatori, takimi me Nexhmijen e Ramizin natën e fundit kur vdiq Enver Hoxha dhe si u njoftua lajmi, etj. Për më shumë rreth kësaj etj., na njeh intervista e tij.
Z. Popa, në cilin vit jeni diplomuar për mjekësi?
Në vitin 1954.
Pse zgjodhët mjekësinë? Kishte ndonjë lidhje të ngushtë mes jush edhe këtij profesioni?
Po kishte një lidhje shumë të ngushtë.
Që ishte…?
Sepse unë jam prej një familjeje elbasanase, ku në rrethin tim të ngushtë, madje shumë të afërt, kisha pesë mjekë”.
Pesë mjekë në Shqipëri në vitet ’50-të?!
Po.
Para viteve ’50-të?
Po, para ‘50-ës, sepse unë e fillova fakultetin në vitin 1948 dhe e mbarova në 1954, gjashtë vjet ishte mjekësia në atë kohë, në Rumani, Bukuresht.
Si ishin pesë mjekë në familjen tuaj?
Vëllai i gjyshit tim nga nëna, ishte mjek. Filip Papajani, quhej. Ka qenë një nga mjekët e Pogradecit, unë kështu të paktën e mbaj mend atë, të vendosur në Pogradec. Prej Elbasanit kishte shkuar në Pogradec, ishte zhvendosur atje. Filip Papajani ishte mjek, ndoshta mjeku i parë i Pogradecit për atë kohë.
Pastaj kisha një mjek tjetër, i cili ishte, Stilian Nosi, nga familja e njohur Nosi të Elbasanit, që ishte mjek edhe ka qenë shumë i dashur, i preferuar nga populli, shumë zemërmirë, dëshironte të ndihmonte njerëzit. Pastaj kisha vëllanë e Kol Popës, i cili ishte mjek në Nju-Jork. Një nga anesteziologët e parë të Amerikës. Ai mbaroi fakultetin në kohën e luftës italo-greke, e mbaroi në Bolonjë e, nuk erdhi më në Shqipëri, po iku drejt në Amerikë dhe u vendos atje.
Pra, kishit pesë mjekë në familjen tuaj dhe ju shkuat në atë që mund të quhet rrugë familjare…?
Po, pak a shumë.
E përzgjodhët vetë mjekësinë?
Po, madje kur unë bëra kërkesën për bursë në atë kohë, kërkoheshin tre degë, ku duhet të zgjidhje, unë që të tre i vura për mjekësi. Mjekësi, mjekësi dhe mjekësi. Dhe fitova mjekësinë.
Fati solli që të ishit student i mjekësisë?
Ka edhe një fenomen tjetër, është për të qeshur kjo. Ne në Elbasan, e kishim zakon, nuk e di a është më sot apo jo, që fëmijët e vegjël, ditën kur bëhen motakë, ata vihen në syni, dhe në një çarçaf të madh të bardhë, ku në mes vihej fëmija e rreth tij viheshin objekte të ndryshme, të profesioneve të ndryshme, një çekiç, një fletore, një stilolaps. Meqenëse një nga xhaxhallarët e mi ishte mjek, dikush nga ato vuri stetoskopin. Unë, fëmija, lihem në mes edhe njerëzit janë rreth e përqark dhe shikojnë se ç’do të kapi fëmija në ato momente.
Dhe ju kapët stetoskopin?
Unë kisha kapur stetoskopin, ma thanë ata. Unë që fëmijë, kur nuk e mbaj mend, mua më thërrisnin mjeku i vogël dhe psikologjikisht, unë isha i përgatitur për mjekësi.
Profesor, ju shkollën e mesme e keni mbaruar në Elbasan?
Po, në Elbasan.
Edhe nga shkolla e mesme në Elbasan, shkuat në Bukuresht, apo jo?
Po, shkova në Bukuresht.
Cila ishte diferenca midis Shqipërisë dhe Rumanisë në atë kohë?
Kishte diferencë të madhe.
Në ç’kuptim?
Në sensin se Elbasani në atë kohë, kishte 14 mijë banorë, kurse tani është rritur disa herë më tepër. E dyta është se në kohën e Zogut, kishte një varfëri të madhe, kështu që, kjo ndjehesh. Por, kishte nga ana tjetër një korrektësi të madhe nga njerëzit, varfëria përballohej me dinjitet. Familjet, kishte shok të mi në shkollë atje, të cilët e dija që ishin të varfër shumë, e vinin të arnuar, por ishin të pastër si të thuash. Mësoheshin nga familja, nga nëna e nga babai, mënyrën e sjelljes së tyre, me korrektesë. Edhe mësuesit në atë kohë ishin shumë të përkushtuar.
Cila ishte diferenca me Rumaninë?
Rumania ishte goxha e zhvilluar. Bukureshti në atë kohë quhej Parisi i vogël.
A ishte e vështirë për një djalë që vinte nga Elbasani me 14 mijë banorë, të orientohej në një qytet të madh, siç ishte Bukureshti?
Jo, nuk ishte shumë e vështirë.
Përse?
Sepse kurioziteti të bënte të shëtisje, të shikojë, të regjistroje. Në atë kohë që vajta në Rumani, dija italisht. Që në moshë të vogël, unë e kisha praktikuar italishten dhe e dija mirë. Rumanishtja është gjuhë neolatine, shumë e ngjashme, shumë e afërt, edhe unë me të thënë të vërtetën, as nuk e mbaj mend se sa kohë zgjati që unë të mësoja gjuhën rumune. Kështu që, ato i kapa shpejt. Pastaj edhe komunikimi, me shokët rumunë në fakultet, ishte pak a shumë e njëjta psikologji, si e jona.
Ju jeni kthyer në Shqipëri në vitin 1954?
Po.
Cili ishte niveli i mjekësisë në momentin që ju u kthyet nga Rumania?
Sigurisht, po ta krahasosh me sot, është shumë më mbrapa. Edhe sot mund të jetë shumë mbrapa me vendet e tjera, shumë më të zhvilluara. Mbrapa për sa u përket pajisjeve, por se dija e mjekëve, është më përpara sesa ajo që ka qenë në ato vite.
Në 1954-ën, si ishte gjendja? Sa mjekë kishte Shqipëria në atë kohë?
Nuk e di me të thënë të drejtën. Nëpër spitale, unë isha në spitalin qendror, ose më mirë me thënë, se unë sa erdha këtu, mua më thërret ministri i Shëndetësisë në atë kohë, Medar Shtylla, i cili më njoftoi që unë do të emërohesha në Fakultetin e Mjekësisë, për të dhënë biokiminë. Kiminë biologjike. Unë kiminë e kam dashur shumë në atë kohë.
Veçanërisht kimia biologjike mua më shkonte shumë, sipas shijes sime, sepse ajo më sqaronte shumë mekanizma, shumë gjëra, nga sëmundjet mjekësore. Kishte shumë mekanizma, që po të dije biokiminë, e kuptojë më mirë. Prandaj unë iu përkushtova kësaj. Megjithatë, unë i thashë që kam mbaruar për mjekësi, por ai më tha që dua që ta bësh.
Si u specializuat për kardiologji?
Mbas 4 vitesh, në 1958 deri në 1962, në Moskë.
Pra, keni kompletuar atë që mund të quhet kuadri i vendeve të Lindjes, Rumani dhe Moskë, keni shpenzuar 10 vjet të jetës suaj, apo jo?
Po, po.
Ku u specializuat në Moskë?
Është interesante, sepse unë u specializova në një klinikë që quhej “Pjataja Savjetskaja Balnica”, që në shqip do të thotë “Spitali i Pestë Sovjetik”, ku profesor ishte një shumë i njohur atje, Llukomski, ishte polak me origjinë. Edhe thoshin se ishte nga një familje e ngritur poloneze, përveç asaj, ai kishte qenë në atë ekipin e mjekëve të Stalinit.
Në atë ekipin që u pushkatua apo, në ekipin tjetër?
Jo, ky nuk u pushkatua, sepse ky erdhi pas zbulimit të komplotit të mjekëve në atë kohë. Erdhi grup tjetër mjekësh, por unë nuk e di nëse ajo është e vërtetë apo jo, sepse është shumë misterioze. Por, ky Llukomski, ishte një njeri me autoritet dhe ishte një njeri që jetonte vetëm, ishte i përkushtuar ndaj mjekësisë. Por, unë tentoja të zhbiroja, të kuptoja dhe gjëra të tjera nëpërmjet tij. Madje, një herë e pata pyetur; pse Stalini e mban një dorë në gjoks, nga krahu i majtë, e pata parë edhe në fotografi dhe filmimet e kohës.
Më shpjegoi që Stalini vuante nga një sëmundje hipertensioni arterial, sëmundje hipertonike. Hipertensioni në atë kohë nuk kishte mjekim, kishte barna të cilat kur erdha unë këtu, i gjeta edhe ato ilaçet, të cilat sot as nuk përdoren më. Sipas tij, Stalini bënte hemorragji të vogla cerebrale, si pasojë e hipertensionit edhe këto shkaktuan ndryshime të karakterit të tij, ndryshime që konsistonin në shtimin e mosbesimit të tij, ndaj njerëzve të afërt.
Pra, kishte një shpjegim shëndetësor mosbesimi i tij?
Po, edhe të izolimit të tij, u bë shumë rrezik domethënë, më i egër, nuk qe pa pasoja për popullin në atë kohë.
Profesor, cilat ishin diferencat midis Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë, ju i njihnit të dyja vendet në atë kohë…?
Rumania në atë kohë ishte një vend i lidhur shumë me Perëndimin, veçanërisht me Francën. Unë kisha profesor, të cilët shkonin edhe jepnin mësim, që në atë kohë në Paris, që jepnin mësim atje edhe njiheshin, edhe librat që kishin botuar, ishin të shtëpive botuese franceze”.
Ndërsa Bashkimi Sovjetik, ishte më i izoluar?
Ishte më i izoluar për të paktën nga ana e tyre, pastaj Bashkimi Sovjetik në atë kohë, thoshin këta që kishin rrëmbyer tokë nga Rumania, kishin një armiqësi të madhe. Pavarësisht se kur erdhi regjimi komunist i asaj kohe, u bë një propagandë e madhe, për t’i afruar, për t’i sheshuar mosmarrëveshjet.
Në cilin vit u vendosët pranë grupit që merrej me mjekimin e Enver Hoxhës dhe si ndodhi kjo?
Kjo ka ndodhur gradualisht, sepse unë më përpara, kam zbatuar disa porosi nga Enveri. Për shembull, profesor Fejzi Hoxha, i cili ka qenë një mjek nga Gjirokastra, shumë i mirë dhe profesionist, e më duket se ka pasur një miqësi me Enver Hoxhën të mëparshme, pasi ishin pothuajse të së njëjtës moshë, pak a shumë. Më thonë që duhet të shkojmë në Korçë për të vizituar profesor Kondën.
Profesor Konda, ishte një profesor që merrej me albanologjinë dhe veçanërisht ai punonte për origjinën tonë pellazgjike dhe kishte mbledhur argumente në këtë drejtim dhe i kishte botuar në një libër, që kishte bërë emër. Për këto arsye, Enverit i takonte të interesohej për shëndetin e tij. Si i tillë, Enveri donte që të tregohesh karshi tij.
Ju nisi direkt Enver Hoxha, për ta vizituar?
Po. Jo direkt, por dërgoi haber domethënë. Ajo që ishte më interesantja ishte se Enveri kishte edhe të ëmën gjallë, aty në shtëpi, në atë kohë. Ishte e moshuar, kishte disa probleme shëndetësore, e një ditë, mjekët që e mjekonin, më thanë që do të bëhet një konsultë, për mamanë e shokut Enver. Shkoj dhe unë atje dhe mora vesh që është sëmurë, e vizitova edhe u thashë: çfarë ka këtu ndonjë gjë të veçantë, se mua më duket e thjeshtë diagnoza këtu. Kjo ka qenë, mbasi isha kthyer nga Bashkimi Sovjetik, si kardiolog.
Ç’kishte ndodhur?
Ajo në kuadrin e sëmundjes së zemrës, kishte bërë edhe një grumbullim likuidi, uji në pleurë, – tha radiologu që e kishte marrë në Spitalin Ushtarak, për ta ekzaminuar. Në fakt jo radiolog, por një ndihmës që lante filmat. Ai i dërgon një letër Kardi Hazbiut dhe bën një lloj denoncimi, që mjekët nuk po e mjekojnë mirë, të ëmën e Enver Hoxhës, edhe sepse ai dyshonte që kjo të ishte tuberkulare, pasi edhe ndodhte që grumbullimi i ujit, ishte me origjinë tuberkulare, kurse për mua, ishte kardiake.
Edhe për mjekët e tjerë që e mjekonin, ishin për nga ana kardiake e saj. Por, ky denoncimi mori rrugë, e ata më thirrën për të sqaruar diagnozën. Unë pa e ditur këtë, sepse pastaj më thanë se si ishte puna. E kuptova pastaj, që ishte nga zemra, pasi ishin shenjat, pulsi, rrahjet e zemrës, mëlçia e zmadhuar, marrja e frymës e, kështu me radhë. Edhe i thashë që kjo është një diagnose, për studentët të viteve të larta të mjekësisë.
Dhe nga ky moment, ju vendosën pranë grupit të Enver Hoxhës?
Jo, iku kjo, pastaj pas kësaj, në vitin 1973, Enveri bën një krizë kardiake, sepse ai vuante prej vitesh nga diabeti i sheqerit, domethënë që nga 1948, ndoshta. Mirëpo, diabeti njihet si një sëmundje, që i godet enët e gjakut kudo qofshin, në zemër, në tru, në veshka, në aortë e, kështu me radhë. Përveç asaj, ai pinte duhan shumë, ai kishte edhe mbipeshë të trupit. Për ne, mjekët, këto janë tre gjendje, që predisponojnë për sëmundjet e zemrës.
Në cilin muaj, pësoi atak Enver Hoxha?
Në kohën që vajta unë. Më thërrasin në klinikën speciale dhe atje rastin e Enverit, ma paraqiti Nexhmije Hoxha, e shoqja e Enverit. Më bëri përshtypje në atë kohë, se Nexhmija që fliste kur drejtohesh për Enverin, i drejtohesh shoku Enver. Për mua, ishte anormale, që bashkëshortja t’i drejtohej ashtu, sikur ishte nëpunëse, në atë familje! Në fakt, aty kam kaluar 12 vjet ndoshta.
Keni qëndruar 12 vjet pranë Enver Hoxhës?
Po, edhe Nexhmija ka qenë gjithmonë shumë e kujdesshme, si nëpunëse në shtëpi.
A është e vërtetë, se ajo që e drejtonte realisht Enver Hoxhën, ishte Nexhmija?
Jo. Ajo e ndihmonte. Për shembull, Enveri për shkak të diabetit, kishte probleme të syrit, të leximit, e duhej dikush që t’i lexonte letrat që vinin nga ambasadat e huaja, apo të tjera.
Sa i rrezikshëm ishte ataku që Enver Hoxha kaloi në 1973?
Infarkti i miokardit, është gjithmonë i rrezikshëm në fillim. Përveç asaj, Enverit sëmundja iu zgjat një çikë. Ai ishte vendosur në vilën numër 4, nga liqeni, rezidenca qeveritare aktualisht. Atje ishte edhe Garda e Republikës. Ai u bllokua atje, se ndërkohë po ndërtohej shtëpia e re këtu dhe nuk kishte ku të kthehej. Ne vazhduam të qëndronim atje, i gjithë ekipi mjekësor.
Prej sa vetash ishte i përbërë ekipi mjekësor?
Shumë ishin. Ishte Fejzi Hoxha, që ishte kryemjeku. Ishte Nikolla Shurbani, që ishte një kardiolog i mirë edhe në spital drejtonte klinikën, i cili ishte gjithmonë i pranishëm aty. Pastaj ishte mjeku i familjes, që ishte Isuf Kalo. Pastaj ekipi erdhi duke u shtuar.
Sa ishte numri maksimal i ekipit që mbani mend ju, i kalonte 10 vetat?
Jo nuk i kalonte 10 vetat.
A është e vërtetë, që në vitin 1973, kur Enveri kaloi infarktin e miokardit, profesor Fejzi Hoxha, i dha një mjekim gabim?
Jo, nuk është e vërtetë.
Gjë që është komentuar në shtyp, si një gjë për ta eliminuar…?
Fejzi Hoxha, në asnjë mënyrë. Për herë të parë e dëgjoj këtë…!
Ka qenë e shkruar më parë, në gazeta!
Gazetat duan sensacione.
Sa kohë Enver Hoxha mbeti i pamundur, për të ndjekur zhvillimet në vend?
Ne atje vazhduam deri në muajin prill të vitit 1974, katër muaj.
Që nga kjo kohë keni vazhduar ta ndiqni rregullisht gjendjen shëndetësore të Enver Hoxhës?
Po, po, me shumë kujdes.
A ishte e vështirë, të ishe mjek i Enver Hoxhës?
Shumë prej mjekëve të Stalinit, apo të diktatorëve të tjerë, kanë pasur një fat tragjik. Por, Enveri dinte t’i krijonte vetë marrëdhëniet e mira me mjekët e tij, sepse në dorë të mjekëve ishte. Nuk kishte aty për të treguar as superioritet, as kokëfortësi, as mosbindje. Ai ishte i bindur në porositë tona. Ai nuk donte që të ekzagjerohej në këtë drejtim.
Ju personalisht, a kishit frikë?
Kisha frikë.
Nga se?
Në një krizë të Enverit, kjo vazhdoi edhe më tutje. Vendosëm ta ndiqnim nëpërmjet monitorit të elektrokardiografit dhe iu vendosën elektrodat në gjoks. Në ekran, aktiviteti i zemrës, regjistrohet, çdo rrahje e zemrës regjistrohet.