• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, September 11, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Aktualitet

Farudin Hoxha, jetimi që ndërtoi veten dhe Shqipërinë energjetike…

by Ilir Çumani
11/09/2026 19:48
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

 

FARUDIN HOXHA, FËMIJA I RRITUR JETIM QË NDËRTOI VETEN DHE SHQIPËRINË ENERGJETIKE…
(In Memoriam, me rastin e 9-vjetorit të ndarjes nga jeta të Akademikut Prof.Dr.Farudin Hoxha)

Nga ILIR ÇUMANI

Prej kohësh kam dashur të shkruaj për Akademikun e shquar Farudin Hoxha, një mik të vyer dhe krejt të pazakontë, të cilin pata fatin ta njoh nga afër që në rininë time të hershme, para disa dekadash. Ndoshta pikërisht koha e gjatë që ka kaluar ma ka shtuar nevojën për t’u kthyer te kujtimi i tij: jo vetëm për të folur për njeriun që ishte, por edhe për të kuptuar, përmes kujtesës, gjurmën që la pas.

Ajo që na afroi dhe na lidhi që në fillim ishte një arsye e thjeshtë në dukje, por e fuqishme në jetën e dy njerëzve: na bashkonte një jetë e ngjashme, një fat i përbashkët – fati i jetimit.

Ndoshta pikërisht kjo përvojë e hershme na bëri ta kuptonim njëri-tjetrin pa shumë fjalë. Ishte një dhimbje që nuk kishte nevojë të shpjegohej, sepse secili e njihte te tjetri. Disa dhimbje, në fund të fundit, nuk kanë nevojë për rrëfim; mjafton prania e tjetrit për t’i njohur.

Dhe kështu, mes nesh nuk pati kurrë nevojë për ato barriera, distanca apo protokolle që mund të krijohen natyrshëm mes një njeriu të zakonshëm dhe një personaliteti të jashtëzakonshëm, sidomos kur ky i fundit kishte fituar një vend të rëndësishëm në jetën publike dhe në qarqet shkencore e shoqërore të vendit.

Në të vërtetë, mes nesh nuk kishte vend për hierarki dhe as për formalitete. Miqësia jonë kishte një thjeshtësi të vetën, një komunikim të drejtpërdrejtë e të çlirët, të mbështetur mbi respektin e ndërsjellë dhe mbi një afërsi që nuk kishte nevojë të shpjegohej. Ishte ajo afërsi e rrallë që lind kur dy njerëz janë prekur nga e njëjta dhimbje dhe, për këtë arsye, dinë të njohin te njëri-tjetri edhe atë që nuk thuhet. Secili e kuptonte, në heshtje, peshën që ajo kishte lënë në jetën e tjetrit.

Ndoshta ishte pikërisht ky fat i përbashkët që na bëri të afrohemi kaq natyrshëm dhe, me kalimin e viteve, ajo afërsi e hershme u shndërrua në një miqësi të qëndrueshme, të sinqertë e të çmuar; një prej atyre lidhjeve që koha nuk i zbeh, por i bën më të thella.

Mbase kështu mund t’i nisja këto radhë në kujtim të një miku dhe të një njeriu krejt të veçantë siç ishte akademiku Farudin Hoxha, i cili, pikërisht si sot, nëntë vjet më parë, më 11 shtator 2017, u nda nga jeta.

Por të shkruash për Farudin Hoxhën sot nuk do të thotë vetëm të përkulesh me respekt përpara kujtimit të një personaliteti të shquar të shkencës dhe të inxhinierisë shqiptare. Do të thotë të rikthehesh në një pjesë të rëndësishme të historisë së zhvillimit teknik të Shqipërisë; në atë rrugëtim të vështirë e të jashtëzakonshëm të ndërtimit të veprave hidroenergjetike që ndryshuan jo vetëm peizazhin ekonomik të vendit, por edhe vetë përmasën e tij teknike e profesionale.

Në shumë prej kapitujve të kësaj historie gjenden gjurmët e mendjes, të punës, të dijes dhe të përgjegjësisë së Farudin Hoxhës.

Prandaj, kujtimi për të nuk është vetëm kujtimi për një mik. Është edhe një udhëtim pas në kohë, përmes jetës së një njeriu që e lidhi fatin e tij me një prej sipërmarrjeve më të mëdha të Shqipërisë së shekullit të kaluar: shfrytëzimin e pasurive ujore të vendit dhe ndërtimin e një sistemi hidroenergjetik që do të mbante për dekada gjurmën e punës së një brezi të tërë inxhinierësh shqiptarë.

Dhe në këtë histori, emri i Farudin Hoxhës zë një vend të vetin.

Por, për ta kuptuar vërtet njeriun që u bë më vonë Akademik Farudin Hoxha, ndoshta duhet të kthehemi shumë më herët, përtej titujve, detyrave, përgjegjësive shtetërore, instituteve, ministrive dhe akademive. Duhet të kthehemi te fëmija. Te një fëmijëri që, në një kuptim të dhimbshëm të fjalës, ishte një fëmijëri pa fëmijëri.

I lindur në Gjirokastër më 20 janar 1936, ai u përball që në moshë të mitur me një nga sprovat më të rënda që mund t’i bjerë një fëmije: mbeti pa praninë e nënës, ndërsa pranë tij ishin edhe dy vëllezër të tjerë, po aq të vegjël e të pambrojtur. Ishte koha kur Shqipëria kalonte nëpër vitet më të vështira të luftës dhe të pasluftës, një periudhë varfërie, pasigurie dhe përmbysjesh të mëdha shoqërore.

Në një moshë kur një fëmijë duhet të mësojë botën përmes lojës, përkujdesjes dhe sigurisë së familjes, atij iu desh të mësonte shumë më herët një tjetër “gjuhë”: gjuhën e përgjegjësisë, të qëndresës dhe të mbështetjes te vetja.

Përpara se Farudin Hoxha të mësonte se si ndërtohet një digë, jeta e kishte vënë përpara një tjetër lloj ndërtimi, edhe më të vështirë: atë të vetvetes.

Dhe ndoshta këtu gjendet një nga çelësat më njerëzorë për të kuptuar më vonë seriozitetin, disiplinën, këmbënguljen dhe ndjenjën e përgjegjësisë që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës.

Nuk mund të thuhet me siguri se si çdo përvojë e hershme formon një karakter. Por është e vështirë të mos mendosh se një fëmijëri e privuar nga shumë prej mbështetjeve të natyrshme të jetës mund ta ketë mësuar atë herët të mos presë që bota t’i zgjidhë gjërat për të.

Ai duhej të bëhej vetë i fortë dhe, po aq, i dobishëm; i aftë për të përballuar barrën e ditës. Ky mësim i hershëm, në një mënyrë apo tjetër, duket se do ta ndiqte gjatë gjithë jetës.

Nga ai fëmijë i vogël i Gjirokastrës do të dilte një njeri që nuk do ta ndërtonte jetën e vet mbi privilegjin, por mbi dijen dhe punën.

Do të vinte një kohë kur ai do të kuptonte se mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur vështirësive që kishte njohur nuk ishte të ankohej për to, por të bëhej i aftë. Të mësonte shumë dhe të punonte fort, fort… Të ishte, pra, i dobishëm.

Dhe kjo fjalë – i dobishëm – ndoshta e përmbledh më mirë se shumë tituj profilin e tij njerëzor dhe qytetar.

Ai nuk u mjaftua të ndërtonte karrierën e vet. Të gjithë dijen e tij e vuri në funksion të një vendi që kishte nevojë për njerëz të aftë për të ndërtuar.

Rruga e tij arsimore ishte pjesë e kësaj përpjekjeje. Pas përfundimit të studimeve në Politeknikun e Tiranës, ai vijoi formimin e lartë në fushën e ndërtimit hidroenergjetik, duke studiuar në Budapest dhe në Sofje, përpara se të diplomohej në vitin 1961 në Universitetin e Tiranës.

Ishte një kohë kur Shqipëria kishte nevojë të madhe për specialistë dhe kur zhvillimi teknik nuk mund të mbështetej vetëm në dëshirën për modernizim. Duheshin njerëz që të njihnin shkencën, matematikën, gjeologjinë, hidrologjinë, materialet, mekanikën e tokave dhe gjithë kompleksitetin e një vepre që nuk fal gabime.

Farudin Hoxha hyri në këtë botë jo si një njeri që kërkonte vetëm një profesion, por si pjesëtar i një brezi teknikësh që do të përballeshin me një detyrë të jashtëzakonshme: të ndryshonin fizikisht vendin ku jetonin.

Në vitin 1961 nisi punën në Institutin Shtetëror të Projektimit në Tiranë, në Drejtorinë e Hidrocentraleve, e më pas në Institutin e Studimeve dhe Projektimit të Hidrocentraleve, tek nënstacionet dhe linjat e tensionit të lartë.

Aty, për më shumë se tri dekada, deri në mesin e vitit 1993, do të zhvillonte veprimtarinë e tij studimore, shkencore dhe projektuese.

Ishte një periudhë kur inxhinieri shqiptar nuk ishte thjesht specialist i një zyre, por, në një kuptim shumë më të gjerë, një nga autorët e transformimit material të vendit. Një hidrocentral nuk është thjesht një ndërtesë me turbina dhe një digë nuk është thjesht një masiv gjigant betoni, ashtu si edhe një liqen artificial nuk është thjesht një ndryshim i peizazhit.

Pas tyre qëndron një marrëdhënie e ndërlikuar midis njeriut dhe natyrës. Uji ka forcën e vet, toka ka sjelljen e vet, shkëmbi ka karakteristikat e veta, ndërsa gabimi i një njeriu mund të ketë pasoja shumë më të mëdha se vetë puna e tij.

Ndaj, inxhinieria hidroenergjetike kërkon jo vetëm dije të shumëanshme, por edhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie – profesionale, njerëzore dhe, në kushtet e kohës, edhe kombëtare.

Duhet të parashikosh atë që nuk duket, të llogarisësh atë që ende nuk ka ndodhur, të kuptosh sjelljen e një strukture përballë forcave madhore të ujit dhe të tokës dhe, mbi të gjitha, të dish se pas çdo formule, çdo projekti dhe çdo vendimi teknik ndodhen jetë njerëzore dhe pasuri kombëtare.

Në këtë fushë Farudin Hoxha do të bëhej një nga figurat më të rëndësishme të inxhinierisë shqiptare.

Formimi i tij nuk u ndal te diploma. Në vitin 1971 ai kreu në Francë një specializim pasuniversitar në mekanikën e dherave dhe ndërtimin e digave të larta me materiale lokale, një fushë e rëndësishme për kushtet shqiptare dhe për ndërtimin e veprave të mëdha hidrike.

Ishte një tjetër dëshmi se ai e kuptonte dijen jo si një titull të përfunduar, por si një proces të thelluar rritjeje dhe pasurimi të vazhdueshëm.

Për një inxhinier të madh, diploma mund të jetë fillimi. Ajo që e përcakton vlerën e tij është mënyra se si e përdor dijen, si e zgjeron atë dhe si e materializon në vepër. Dhe veprat nuk munguan.

Farudin Hoxha ishte projektues dhe kryetar i grupeve të studimit për digat e të gjitha veprave të skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik të lumit Drin, si dhe për veprat e Vaut të Dejës, Komanit, Fierzës, Banjës, Bistricës II dhe Bogovës.

Këta emra sot nuk janë më thjesht toponime në harta dhe dokumente teknike. Janë vepra madhore që përbëjnë një pjesë të rëndësishme të hartës fizike dhe ekonomike të Shqipërisë. Ato mbeten, njëkohësisht, dëshmi e kontributit të jashtëzakonshëm të Farudin Hoxhës në zhvillimin e infrastrukturës hidroenergjetike të vendit.

Janë diga, tunele, liqene, centrale, turbina dhe linja që kanë ndryshuar mënyrën se si prodhohet dhe shpërndahet energjia në vend.

Kjo është edhe pjesë e një historie më të gjerë: përpjekjes shqiptare për të krijuar një bazë energjetike mbi të cilën të mund të mbështeteshin industria, ekonomia dhe jeta e përditshme.

Kur shikon sot një vepër të tillë, mund të shohësh vetëm betonin, çelikun dhe ujin. Por pas tyre duhet të imagjinosh edhe tavolinat e gjera të projektimit, hartat, llogaritjet, diskutimet teknike, shqetësimet për sigurinë, udhëtimet në terren, studimet gjeologjike, analizat e tokës, matjet dhe vendimet e marra pas shumë orësh pune.

Kjo është pjesa e padukshme, por po aq e rëndësishme, e një vepre inxhinierike. Pikërisht aty qëndron edhe madhështia e njerëzve si Farudin Hoxha: puna e tyre bëhet e suksesshme në atë masë saqë publiku harron se pas saj ka pasur një mendje njerëzore që e ka projektuar.

Hidroenergjia ndryshon jo vetëm sistemin energjetik, por edhe antropologjinë e një vendi. Ajo ndryshon ritmin e ekonomisë, krijon mundësi të reja për industrinë, ndikon mbi qytetet dhe fshatrat, mbi shërbimet, mbi komunikimin dhe mbi vetë perceptimin që një shoqëri ka për aftësinë e saj për të ndërtuar.

Për një vend si Shqipëria e gjysmës së dytë të shekullit XX, ku mungesat ishin të mëdha dhe burimet të kufizuara, ndërtimi i veprave hidroenergjetike ishte pjesë e një projekti ambicioz dhe shumë më të gjerë modernizimi.

Farudin Hoxha ishte një nga njerëzit që e jetoi këtë proces nga brenda. Ai i përkiste një brezi intelektualësh teknikë që nuk u formuan vetëm për të shkruar apo për të folur për zhvillimin, por për ta materializuar atë.

Ata e matnin punën e tyre edhe me atë që mbetej në terren. Një urë, një digë, një central, një linjë tensioni, një fabrikë apo një sistem ujësjellësi ishin mënyra konkrete për t’i dhënë formë një ideje.

Në këtë kuptim, inxhinieri i asaj kohe ishte një figurë e veçantë e modernizimit shqiptar: një intelektual me laps, letër, llogaritje dhe mjete matëse, por njëkohësisht edhe një njeri që duhej të përballej drejtpërdrejt me kapriçot e malit, të lumit, të tokës dhe të realitetit në terren.

Vlera e Farudin Hoxhës nuk qëndroi vetëm në aftësinë e tij për të projektuar. Ajo u dëshmua edhe në përgjegjësitë që iu besuan.

Në nëntor 1982 ai u emërua Ministër i Ndërtimit, detyrë dhe përgjegjësi jo e vogël që e mbajti deri në maj të vitit 1988.

Më pas, deri më 21 shkurt 1991, shërbeu si Ministër pranë Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin ekonomik me vendet e huaja. Kalimi nga tavolina e projektimit në nivelet më të larta të drejtimit shtetëror tregon se ai nuk shihej vetëm si specialist i një fushe të ngushtë, por si një njeri që mund të merrte përgjegjësi shumë më të gjera.

Është e rëndësishme ta shohim këtë pjesë të jetës së tij edhe brenda kohës historike ku ndodhi. Farudin Hoxha ishte pjesë e një sistemi politik dhe ekonomik të caktuar dhe veproi brenda kufizimeve, mundësive dhe kontradiktave të atij sistemi.

Por historia profesionale e një njeriu nuk mund të reduktohet vetëm te pozicioni që ka mbajtur në një strukturë politike. Ajo duhet parë edhe përmes asaj që ai solli me vete në atë strukturë: dijen e thellë, profesionin, kulturën e gjerë teknike dhe aftësinë për të marrë vendime mbi çështje që kërkonin kompetencë.

Në rastin e tij, profesioni nuk u zhduk pas detyrës; përkundrazi, e shoqëroi atë. Kjo bëhet edhe më e qartë pas ndryshimeve të mëdha të fillimit të viteve ’90. Farudin Hoxha nuk u tërhoq nga jeta publike dhe shkencore. Ai vazhdoi të shërbente në struktura të rëndësishme të shtetit dhe të profesionit.

Nga viti 1991 deri më 1995 ishte kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Digave të Mëdha. Nga nëntori 1999 deri në nëntor 2000 drejtoi Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, në një periudhë kur sektori energjetik përballej me sfida të mëdha.

Ishte anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë nga viti 1997 deri më 2008, anëtar i Këshillit për Politikën Shkencore dhe Zhvillimin Teknologjik nga 1997 deri më 2004, si dhe pjesë e Komisionit Qeveritar për ekonominë ujore me vendet fqinje në periudhat 1973–1982 dhe 2001–2005. Për disa vite shërbeu edhe si anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Kjo vijimësi është domethënëse. Një njeri që kishte nisur rrugën e tij profesionale në vitet e para të zhvillimit hidroenergjetik shqiptar vazhdoi të ishte i pranishëm edhe në periudhat kur vendi ndryshoi sistem, ekonomi dhe mënyrë qeverisjeje.

Kjo tregon se vlera e tij kryesore nuk ishte një funksion i përkohshëm, por një kapital profesional i ndërtuar gjatë dekadave.

Edhe shkenca shqiptare e njohu këtë vlerë. Farudin Hoxha u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 1986 dhe anëtar i rregullt në vitin 1989. Më pas shërbeu si Sekretar Shkencor i Akademisë në vitet 1997–1999 dhe si Zëvendëskryetar nga viti 1999 deri më 2008.

Pra, ai nuk ishte vetëm njeri i veprës së ndërtuar, por edhe njeri i dijes së transmetuar, i institucioneve shkencore dhe i përpjekjes për ta mbajtur shkencën shqiptare të lidhur me nevojat e vendit.

Dy herë iu dha Çmimi i Republikës, i Klasit të Parë, për arritje në studimin dhe projektimin e veprave të ndërtimit hidroenergjetik.

Por, pavarësisht titujve, çmimeve dhe funksioneve, ndoshta më shumë se çdo dokument zyrtar për të flet vetë fusha ku punoi, sepse fusha e tij nuk është një abstraksion. Është qartësisht e dukshme: atje ku Drini mbledh ujërat e vet, ku diga mban peshën e liqenit, ku turbina e shndërron forcën e ujit në energji dhe ku një pjesë e historisë së zhvillimit shqiptar vazhdon të funksionojë çdo ditë.

Në këtë kuptim, Farudin Hoxha duhet parë edhe si një figurë përfaqësuese e Shqipërisë teknike të shekullit XX. Ai mishëronte atë tip të intelektualit që u ngrit nga një shoqëri me mungesa të mëdha dhe që e pa dijen jo si një stoli personale, por si mjet për ta ndryshuar realitetin.

Nuk ishte intelektuali që qëndronte larg terrenit, por ai që zbriste në terren dhe e shihte malin jo vetëm si peizazh, por edhe si strukturë gjeologjike; lumin jo vetëm si bukuri natyrore, por si forcë që duhej kuptuar; tokën jo vetëm si truall, por si material me të cilin duhej bashkëpunuar.

Ndoshta këtu gjendet edhe një lidhje e heshtur mes fëmijës që kishte qenë dikur dhe inxhinierit që u bë më vonë.

Fëmija që kishte mësuar herët të qëndronte mbi këmbët e veta u shndërrua në një burrë që dinte të mbante përgjegjësi të mëdha. Fëmija që e kishte njohur mungesën u bë një profesionist që kërkonte të krijonte mundësi. Fëmija që nuk e kishte pasur luksin e një fëmijërie të lehtë u bë njeri i disiplinës, i punës dhe i dobisë publike.

Nuk është e nevojshme të romantizojmë dhimbjen për ta kuptuar këtë rrugëtim. As ky shkrim, në përkujtim të tij, nuk ka për qëllim ta bëjë këtë. Dhimbja nuk është virtyt në vetvete. Por mënyra se si një njeri arrin ta përballojë atë dhe ta kthejë jetën në një projekt të dobishëm për të tjerët është një nga format më të larta të karakterit.

Dhe Farudin Hoxha ishte, mbi të gjitha, njeri me karakter të fortë e të qëndrueshëm; i formuar jo vetëm nga universitetet, specializimet dhe detyrat, por nga një jetë që shumë herët i kishte mësuar se asgjë e rëndësishme nuk ndërtohet pa qëndrueshmëri.

Ndoshta kjo është arsyeja pse në portretin e tij profesional mund të bashkohen dy fjalë që, në dukje, i përkasin botëve të ndryshme: shkencëtar dhe ndërtues.

Shkencëtari kërkon të kuptojë; ndërtuesi kërkon ta shndërrojë atë kuptim në realitet. Farudin Hoxha i bëri të dyja.

Nuk është e rastit që kolegët e tij, njerëzit e fushës dhe shumë prej atyre që njohën nga afër veprën e tij e identifikuan me një cilësim që shkon përtej një titulli akademik apo administrativ: “Babai i hidroenergjisë shqiptare”.

Ky emërtim nuk duhet kuptuar thjesht si një metaforë nderimi. Ai përmbledh një kontribut të gjatë në një fushë që u bë një nga shtyllat e zhvillimit energjetik të vendit.

Për dekada, emri i tij ishte i lidhur me studimin, projektimin dhe drejtimin e disa prej veprave më të rëndësishme hidroenergjetike të Shqipërisë.

Por ndoshta sot, kur kanë kaluar nëntë vite nga ndarja e tij nga jeta, kuptimi i vërtetë i këtij cilësimi bëhet edhe më i qartë.

“Babai i hidroenergjisë shqiptare” nuk është vetëm ai që projektoi një digë apo drejtoi një institucion. Është njeriu që ndihmoi të krijohej një kulturë profesionale, një traditë studimi dhe një përvojë inxhinierike që i kapërcen kufijtë e një brezi.

Dhe në fund mbetet ajo që koha nuk mund ta fshijë lehtë: vepra.

Uji vazhdon të rrjedhë. Digat vazhdojnë të qëndrojnë. Turbinat vazhdojnë të kthejnë forcën e ujit në energji. Liqenet artificiale vazhdojnë të jenë pjesë e peizazhit shqiptar. Institucionet ku punoi kanë historinë e tyre.

Akademia ku shërbeu ruan kujtesën e brezave të saj dhe, pas gjithë kësaj, qëndron edhe gjurma e një njeriu që e nisi jetën me një mungesë të madhe dhe e përfundoi atë duke lënë pas një pasuri të madhe publike.

Kjo është ndoshta ironia më e bukur e fatit të tij: fëmija që njohu mungesën u bë njeri i ndërtimit; ai që shumë herët u detyrua të mësonte të mbështetej te vetja, ndihmoi më pas një vend të tërë të mbështetej mbi një bazë të re energjetike.

Jeta i mori shumë në fillim, por ai i ktheu shoqërisë shumëfish në dijen, punën dhe veprën e tij.

Prandaj, kujtimi për Akademik Farudin Hoxhën nuk është vetëm kujtim për një njeri që nuk jeton fizikisht, por një mënyrë e të menduarit dhe të shërbyerit: besimi se dija duhet të ketë një përdorim publik, se profesioni është edhe përgjegjësi, se shkenca merr kuptim kur i shërben shoqërisë dhe se veprat më të mëdha të një njeriu janë ato që vazhdojnë t’u shërbejnë të tjerëve edhe kur ai vetë nuk është më.

Në historinë e Shqipërisë ka njerëz që njihen për fjalët që kanë thënë, të tjerë për postet që kanë mbajtur dhe të tjerë për pushtetin që kanë ushtruar.

Farudin Hoxha i përket një kategorie tjetër: atyre që njihen për atë që kanë ndërtuar. Dhe kjo është një formë e veçantë pavdekësie. Fjala mund të harrohet, posti mund të mbarojë, pushteti mund të ndryshojë, por një vepër që i shërben shoqërisë vazhdon të flasë në heshtje.

Sot, në përvjetorin e nëntë të ndarjes së tij nga jeta, kujtimi i tij vjen natyrshëm nga ujërat e Drinit, nga digat dhe hidrocentralet, nga institucionet shkencore, nga kujtesa e kolegëve dhe nga brezat e inxhinierëve që e njohën si mjeshtër të profesionit.

Por, mbi të gjitha, vjen nga ajo rrugë e gjatë njerëzore që nisi në Gjirokastër, te një fëmijë që u detyrua të rritej përpara kohe dhe përfundoi te një akademik që i kushtoi jetën ndërtimit të një pjese të rëndësishme të Shqipërisë moderne.

Ndoshta kjo është fjalia që e përmbledh më drejt jetën e tij:

Para se të ndërtonte vepra mbi lumenjtë e Shqipërisë, Farudin Hoxha ndërtoi veten mbi vështirësitë e jetës.

Pastaj, atë forcë që kishte fituar në heshtje që fëmijë, e ktheu në dije; dijen në profesion; profesionin në vepra; dhe veprat në një trashëgimi që vazhdon të jetojë.

Për këtë arsye, emri i tij nuk është vetëm pjesë e kujtesës së Akademisë së Shkencave apo e historisë së inxhinierisë shqiptare.

Ai emër është pjesë e vetë peizazhit të vendit. Për sa kohë uji do të rrjedhë, turbinat do të rrotullohen e digat do të qëndrojnë mbi lumenjtë shqiptarë, edhe puna e tij do të vazhdojë të jetë aty, e pranishme në heshtje, siç janë veprat më të mëdha të njerëzve të mëdhenj.

Tiranë, 11 shtator 2026

Next Post
GJKKO lë në qeli Erion Veliajn, prokurori Olsi Dado tregon veprimet e reja hetimore

EMRAT/ GJKKO vijon masat e sigurisë për 8 të hetuar për mashtrim kompjuterik

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Nuk e pret Amerika”, Ngjela zbulon çfarë fshihet pas vizitës së Berishës në SHBA

“Nuk e pret Amerika”, Ngjela zbulon çfarë fshihet pas vizitës së Berishës në SHBA

September 11, 2026
Aksident i rëndë në Fier, përplasen tre mjete në aksin rrugor Strum-Roskovec, një i vdekur

U prangos në Greqi! Kush është trafikanti i kokainës që kërkohej nga Shqipëria për vrasje?

September 11, 2026
Me qeverinë dhe partinë në Pogradec, Rama me drejtuesit politikë, krerët e komisioneve dhe ministrat

A e sheh veten President? Rama flet për të ardhmen: Nuk zgjedh pasardhës. Do vazhdoj të jem anëtar i PS

September 11, 2026
Sulmohet tubacioni i naftës në Arabinë Saudite, shpërthejnë zjarre në disa pika

Sulmohet tubacioni i naftës në Arabinë Saudite, shpërthejnë zjarre në disa pika

September 11, 2026
Rama zbulon “Thembrën e Akilit” në negociatat për Sazanin: Çfarë më tha Kushner

Rama zbulon “Thembrën e Akilit” në negociatat për Sazanin: Çfarë më tha Kushner

September 11, 2026
Rama sqaron projektet: Sazani mbetet shtetëror, Zvërneci është pronë private!

Rama sqaron projektet: Sazani mbetet shtetëror, Zvërneci është pronë private!

September 11, 2026
Nufi: Shqipëria, kontribuese e mbrojtjes kolektive, stabilitetit rajonal dhe gatishmërisë së NATO-s

Nufi: Shqipëria, kontribuese e mbrojtjes kolektive, stabilitetit rajonal dhe gatishmërisë së NATO-s

September 11, 2026
Takimi me të deleguarit për Tiranën dhe deputetët e qarkut/ Zbardhet ultimatumi i Ramës: Dilni në terren dhe takoni qytetarët

Rama flet për udhëtimet: Kam bërë 1.6 milionë kilometra në Shqipëri, i kam matur me truprojë

September 11, 2026
Sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare Albert Karriqi

Sporti shqiptar në zi, ndahet nga jeta në moshën 75-vjeçare Albert Karriqi

September 11, 2026
E rëndë: Mjekët kërkuan në IA si të shpëtonin këngëtarin grek, Giorgos Mazonakis

E rëndë: Mjekët kërkuan në IA si të shpëtonin këngëtarin grek, Giorgos Mazonakis

September 11, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com