• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, November 5, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Evropianisti i kafenesë

by Thoma Gëllçi
30/07/2026 21:15
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Thoma Gëllçi

Qemali kishte filluar të ndihej evropian. Në jetën e tij nuk kishte ndryshuar ndonjë gjë e dukshme, por qeveria e siguronte çdo ditë se Shqipëria ishte shumë pranë Bashkimit Evropian. Qemali nuk e dinte sa pranë, sepse largësia ndryshonte sipas kanalit, emisionit, ministrit dhe orës së lajmeve, por ishte bindur se duhej vetëm pak durim.

Çdo mëngjes ulej në të njëjtën kafene, porosiste kafenë dhe hapte lajmet në telefon. Dëgjonte për kapituj të hapur dhe kapituj të mbyllur. Nuk e kuptonte mirë se çfarë përmbante një kapitull, por kjo nuk e pengonte të ishte optimist. Përderisa në televizor shfaqeshin flamuj evropianë dhe ministra të buzëqeshur, puna duhej të ishte në rrugë të mbarë.

Sipas përfytyrimit të tij, anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të sillte një ndarje të re dhe shumë më të drejtë të punës. Gjermanët do të ndërtonin rrugët, francezët do të rregullonin spitalet, italianët do të merreshin me shtëpitë, holandezët me kanalet, suedezët me drejtësinë, austriakët me hekurudhat dhe danezët me pastërtinë e mjedisit.

Grekëve u kishte lënë ullinjtë, jo për ndonjë arsye të veçantë, por sepse mendonte se kishin përvojë.

Qemali do të vazhdonte të pinte kafe. Pas kafesë mund të pinte edhe një gotë raki, sepse integrimi kërkonte durim dhe ai po jepte kontributin e vet duke pritur.

Ai mendonte se puna ishte ndarë në mënyrë të arsyeshme. Evropianët kishin para, makineri dhe specialistë. Shqipëria kishte nevoja. Ata do të punonin, ndërsa shqiptarët do të përfitonin. Ky ishte, sipas Qemalit, kuptimi praktik i solidaritetit evropian.

Kur dëgjoi se Bashkimi Evropian do të financonte bujqësinë, iu kujtua një copë tokë që kishte trashëguar në fshat. Nuk kishte shkuar atje prej vitesh, por kjo nuk e pengoi të mendonte se së shpejti mund të bëhej fermer evropian.

Nuk e pastroi tokën, nuk bleu farë dhe nuk kërkoi informacion për ndonjë program. Kishte dëgjuar ministrin e Bujqësisë, që kishte thënë se fondi duhej të vinte i plotë, bashkë me traktorin, plehun kimik, karburantin dhe një specialist gjerman që ta vinte gjithë sistemin në punë.

Qemali ishte i gatshëm të ndihmonte duke treguar kufijtë e pronës. Pjesa tjetër ishte përgjegjësi e Evropës.

Kur kryeministri, pas një vizite shumë të suksesshme në Bruksel, njoftoi se do të kishte investime në infrastrukturë, ai mendoi për rrugën e fshatit, e cila ishte plot me gropa. Më pas i shkoi mendja te ura e dëmtuar, te çatia e shtëpisë së vjetër dhe te oborri që ishte mbushur me ferra.

Në fillim mendoi se Evropa do t’i riparonte të gjitha. Pastaj arriti në përfundimin se nuk kishte kuptim të rregullohej një shtëpi e vjetër, kur mund të ndërtohej një vilë e re.

Vila mund të përfshihej në zhvillimin rural. Pishina mund të paraqitej si investim për menaxhimin e ujit. Panelet diellore do të hynin te energjia e gjelbër. Garazhi mund të quhej qendër lokale transporti, ndërsa dhoma e miqve mund të shërbente për shkëmbime kulturore.

Qemali po mësonte shpejt të mendonte në mënyrë evropiane.

Edhe reforma në drejtësi e qetësonte. Ai kishte kuptuar se do të vinin disa specialistë të huaj, do të hynin në gjykata, do të rregullonin dosjet, do të largonin të korruptuarit dhe do të vendosnin drejtësinë në punë. Nuk e shihte të nevojshme që vetë institucionet shqiptare të ndryshonin shumë. Gjyqtarët mund të vazhdonin me ritmin e zakonshëm, SPAK-u do të bënte ca arrestime për t’u shfaqur në televizor. Rëndësi kishte që Evropa po e kontrollonte procesin.

Kur një gjyq zgjaste dhjetë vjet, Qemali mendonte se ekspertët suedezë nuk kishin mbërritur ende. Kur një zyrtar kapej duke vjedhur, faji ishte i vonesës së projektit kundër korrupsionit. Kur një tender shkonte te miku i ministrit, kjo ndodhte sepse edhe në Evropë kishte korrupsion.

Duke dëgjuar deklaratat e qeverisë, Qemali kishte krijuar një përfytyrim të qartë për Bashkimin Evropian. Evropa ishte një kompani e madhe shërbimesh, e cila një ditë do të mbërrinte me kamionë, kompjuterë, mjekë, gjyqtarë, inxhinierë, infermierë dhe specialistë të administratës. Ata do të shpërndaheshin nëpër vend dhe do të rregullonin gjithçka që shqiptarët nuk kishin rregulluar gjatë dekadave.

Qemali mund t’u tregonte ku ishin problemet. Këtë pjesë e njihte mirë, sepse prej vitesh i kishte analizuar nga tavolina e kafenesë.
Kur dëgjoi se anëtarësimi do të hapte vende të reja pune, nuk mendoi se duhej të mësonte ndonjë profesion ose të përmirësonte aftësitë e veta. Sipas tij, puna evropiane duhej të vinte vetë.

Ndoshta ndonjë kompani franceze do ta punësonte si këshilltar për zakonet vendase. Ai njihte mirë kafenetë, rakinë dhe mënyrën se si shtyhej një punë nga e hëna për të premten. Për këtë përvojë kërkonte pagë gjermane, por orarin dëshironte ta mbante shqiptar: nuk kishte ndërmend të fillonte punë herët. Në drekë do t’i duhej pushim i gjatë. Të premten nuk ia vlente të niste ndonjë detyrë të re, ndërsa të hënën duhej pak kohë për t’u përshtatur me javën.

Kur një shok i tha se në Gjermani dhe Francë të shuanin me taksa, Qemali e quajti këtë një qëndrim intrigues të taksapaguesve francezë dhe gjermanë, që edhe shqiptarët të jetonin si ata. Ai nuk e shihte arsyen pse Shqipëria duhej të merrte nga Evropa edhe punën, edhe disiplinën, edhe rregullat. Paratë i dukeshin të mjaftueshme.

Në mendjen e tij, marrëdhënia me Bashkimin Evropian ishte e thjeshtë. Evropa jepte fondet, Shqipëria i merrte. Evropa ndërtonte, Shqipëria përuronte. Evropa kontrollonte, qeveria raportonte sukses. Nëse mbetej ndonjë problem, hapej një projekt tjetër.

Një ditë kryeministri njoftoi mbylljen e tre kapitujve të parë me Bashkimin Evropian. Qemali porositi një raki dhe e shënoi ngjarjen si një hap të madh drejt përfundimit të punimeve në vilën e tij të ardhshme.

Nuk e dinte çfarë përmbanin kapitujt, çfarë detyrash duhej të plotësonte Shqipëria. Kryeministri la të kuptohej se çdo gjë që mbyllej duhej të sillte para.

Askush nuk thoshte se fondet kërkonin projekte të hartuara mirë, administratë të aftë, kontroll, auditim dhe llogaridhënie. Gjithçka që thuhej ishte se do të futeshin në Evropë dhe, pas kësaj, çdo gjë do të ishte e zgjidhur si s’ka më mirë.

Qemali nuk donte një Evropë që kërkonte punë, taksa, standarde, konkurrencë dhe përgjegjësi. Ai donte një Evropë që paguante faturat dhe nuk bënte shumë pyetje. Dhe ishte i frikësuar se gjithë ky përparim mund të prishej. Dëgjoi kryeministrin që tha se integrimi evropian ishte i rrezikuar seriozisht nga protesta.

Qytetarët dilnin çdo ditë në bulevard dhe kërkonin dorëheqjen e qeverisë, drejtësi të pavarur, institucione funksionale dhe ndryshimin e sistemit politik.

Qemali nuk ishte i shqetësuar nga problemet që ngrinin protestuesit. E shqetësonte zhurma, e shqetësonte se mund të pengohej integrimi. Dëgjoi disa përfaqësues të qeverisë të thoshin se protesta dëmtonte imazhin e Shqipërisë, trembte turistët dhe largonte investitorët. Qemali arriti në përfundimin se protestuesit po rrezikonin anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Kur hapte televizorin për të dëgjuar lajmet për integrimin, në sfond dëgjoheshin thirrjet nga bulevardi. Kjo i prishte qetësinë dhe e pengonte të ndiqte me vëmendje njoftimet për kapitujt. Ia prishte ëndrrat për vilën që pritej t’i ndërtohej në fshat.

Sipas tij, Evropa kërkonte qetësi. Nuk kishte shumë rëndësi nëse gjykatat vononin, nëse tenderët i fitonin të njëjtët njerëz, nëse administrata mbushej me militantë dhe nëse të rinjtë largoheshin. Këto mund të rregulloheshin më vonë nga gjermanët, francezët dhe suedezët. Problemi i menjëhershëm ishte që protestuesit po bërtisnin.

Qemali nuk e kundërshtonte të drejtën e protestës në parim. Mendonte vetëm se ajo duhej ushtruar në një vend ku nuk dëgjohej, në një orar që nuk pengonte lajmet dhe pa kërkuar dorëheqjen e askujt. Ai besonte se Shqipëria do të hynte më shpejt në Evropë po të rrinte e qetë. Qytetarët duhej të prisnin, ashtu siç priste ai prej vitesh në kafene.

Në fund të mbrëmjes, pronari i solli faturën. Qemali e pa, e shtyu në anën tjetër të tavolinës dhe i tha ta mbante shënim.
Pastaj tregoi nga protestuesit dhe shpjegoi se, po të mos ishin ata, Shqipëria mund të kishte hyrë tashmë në Bashkimin Evropian dhe ndonjë gjerman mund të kishte ardhur për t’ia paguar kafenë.

Next Post
Zjarri në magazinën private në Durrës, Karakaçi: Po punohet për rikthimin e plotë të energjisë elektrike

Zjarri në magazinën private në Durrës, Karakaçi: Po punohet për rikthimin e plotë të energjisë elektrike

Comments 2

  1. Jorgo says:
    3 months ago

    Sa i mënçëm je o Gëllç, njesoj si Lut Dervishi, që ja u a pret bytha spangon, me humor rural, që edhe gratë tuaja, tallen me këto broçkulla që shkruani.

    Reply
  2. Vangjo Kiço says:
    3 months ago

    O Çomè,
    Të rëntë pika,
    Tu mbush koka,
    Me zoçka rika,
    U lëpive,
    Mirë e mirë,
    Dhe ta futën,
    Pa gëdhirë,
    Inatin nxirre,
    Atje ku duhet,
    Por jo atje,
    Ku nuk të kruhet,
    Kolonjar,
    Vërtet ti je,
    Por jo nga soji,
    Trim për atdhe,
    Mo u mburr,
    Mo u nxito,
    Gojët e liga,
    Dijnë edhe shumë,
    Që po u hapën,
    Ti shkon për lumë….

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

BE investon 525 milionë euro për startup-et e mikroçipave, synon të ulë varësinë nga SHBA dhe Azia

BE investon 525 milionë euro për startup-et e mikroçipave, synon të ulë varësinë nga SHBA dhe Azia

November 5, 2026
Hashim Thaçi flet nga burgu i Hagës, për veten, familjen, Edi Ramën dhe të ardhmen e Kosovës

“Ju përqafoj të gjithëve”- Ish-presidenti Thaçi reagon për mbështetjen dhe dënimin: Do të dal me çdo qelizë time të pastër në fund të këtij rrugëtimi!

November 5, 2026
Sulm kibernetik në Lihtenshtajn, hakerët marrin të dhënat e rreth 31 mijë kompanive dhe fondacioneve -

Alarm global kibernetik/ Hakerat po na hyjnë nëpër shtëpi! Nga frigoriferët te makinat, si po na sulmohet jeta e përditshme?

November 5, 2026
Franca përfshihet sërish nga protestat dhe trazirat, përplasje me Policinë në disa qytete! Greva mbyll “Kullën Eifel”

Franca përfshihet sërish nga protestat dhe trazirat, përplasje me Policinë në disa qytete! Greva mbyll “Kullën Eifel”

November 5, 2026
Zvicra heq sanksionet ndaj dy miliarderëve rusë Alisher Usmanov dhe Mikhail Fridman, ndjek hapat e BE-së!

Zvicra heq sanksionet ndaj dy miliarderëve rusë Alisher Usmanov dhe Mikhail Fridman, ndjek hapat e BE-së!

November 5, 2026
Gjashtë vite nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, Veteranët aksion përpara godinës së BE-së në Prishtinë!

Gjashtë vite nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së, Veteranët aksion përpara godinës së BE-së në Prishtinë!

November 5, 2026
Platforma e re digjitale e PD: Të instalosh të ardhmen, pa ç’instaluar të shkuarën

S’ka asgjë të keqe të jesh i majtë

November 5, 2026
Izrael/ Lista e Përbashkët propozon zyrtarisht Eisenkot për formimin e qeverisë, problem mbeten partitë arabe!

Izrael/ Lista e Përbashkët propozon zyrtarisht Eisenkot për formimin e qeverisë, problem mbeten partitë arabe!

November 5, 2026
Shpërthimi tragjik në Elbasan me dy viktima, banorja rrëfen tmerrin: Menduam se ra tërmet! Na nxorën zjarrfikësit nga ballkoni

Shpërthimi tragjik në Elbasan me dy viktima, banorja rrëfen tmerrin: Menduam se ra tërmet! Na nxorën zjarrfikësit nga ballkoni

November 5, 2026
Shefi i Sigurisë së Iranit takohet me Putinin në Moskë dhe i dorëzon mesazhin nga Udhëheqësi Suprem!

Shefi i Sigurisë së Iranit takohet me Putinin në Moskë dhe i dorëzon mesazhin nga Udhëheqësi Suprem!

November 5, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In