Eshtë bërë një motiv i pashmangshëm i fushatës edhe diferenca në moshë mes kandidatëve që synojnë Tiranën. Kryeministri Rama e ka quajtur edhe bebe të maternitetit të SHQUP-it, edhe njeri të lodhur kandidatin demokrat Kosova. Herë pas here ai nuk i ka kursyer këto goditje verbale që synojnë gjithmonë e më poshtë brezit të doktorit të ri të PD-së. Eshtë e njëjta mënyrë me të cilën Rama trajton dhe Doktorin tradicional të PD-së. Zoti Kosova i është përgjigjur në stilin e tij duke u justifikuar me energjinë që ai zotëron dhe zellin që premton se do të verë në dispozicion të Tiranës. Sepse në fakt nuk ka shumë hapësirë për të marrë përgjigje një akuzë e tillë. Çdo përpjekje për të justifikuar apo sqaruar, vetëm sa e komplikon edhe justifikimin, edhe sqarimin.
Sesa e udhës është të shkëmbehen akuza të tilla, kjo është histori tjetër, por sot paradite, kandidati tjetër, Veliaj, zgjodhi të bëjë një minihistori sipas mënyrës së tij: ndërkohë që fliste në një takim të hapur me zgjedhësit, ai ishte i vetmi që qëndroi pa çadër ndërkohë që binte shi. Një shenjë dhe një provë që politika kërkon sakrificë. Dhe sidomos që më shumë se gjithçka tjetër, një provë se politika është imazh. Fusha ku Erioni di të shkëlqejë si pakkush duke bërë dhe diferencë me rivalin e tij. Duke demonstruar në këtë mënyrë po atë gjë që Rama e thotë ditë pas dite për rivalin e tij. Me ironi. Me goditje që synojnë gjithmonë e më tepër vendin delikat nën brez.









