Nga Ben Andoni
“Pas pikut të rasteve me grip që ka arritur pak ditë më parë, tashmë nga rastet me të cilat përballemi në shërbimet tona duket se intensiteti i gripit po ulet”. Shefi i Departamentit të Sëmundjeve infektive Arjan Harxhi shprehet konkretisht për Javanews se Virusi i gripit që po qarkullon në këto kohë në Shqipëri konsiderohet ai i llojit AH3N2, i cili prej vitesh nuk e ngacmonte vendin tonë, kështuqë edhe popullata më vulnerabël ishte disi e pambrojtur nga ana imunitare, fakt që sipas mjekut të njohur infeksionist shpjegon edhe përhapjen e menjëhershme të tij.
Në ditët e para intensiteti i të ardhurve ishte gati në 850 raste në ditë, ku shumica ishin të identifikuar si të sëmurë kronikë prej problemesh kardiake, imuniteti, polmonare, deri tek veshkat dhe probleme të tjera.
*Shefi i Departamentit të Sëmundjeve infektive Arjan Harxhi
“Ndodh që në çdo 3-4 vjet situata gripale të bëhet më i ashpër, kurse në këtë vit është i zakonshëm për periudhën që shfaqet më së shumti për gripin në tre muajt e parë. Rritet dhe gjen popullatën e duhur më të dobët që është vulnerabël”, shprehet mjeku. Gripat sezonale janë të asimilueshëm, kurse më të vështirë janë ato të shpendëve dhe të ashtuquajturit gripet pandemike, pasojat e të cilave janë katastrofikë.
Edhe pse tendencën e rënies së tij e provon gjykimi nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, mjeku Harxhi beson se tashmë vendi ynë po e kalon këtë situatë të rëndë pasi edhe rastet e paraqitura janë gjithnjë e më pak se ditë më parë në institucionin e tij.
Për situatën kanë folur të gjithë instancat e mjekësisë shqiptare. Pak ditë më parë Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka thënë se: “Jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Evropën që në javën e parë të dhjetorit u vu re një tendencë rritëse goxha e shpejtë. Aktualisht jemi mbi pragun e epidemisë, por nuk kemi të dhëna që të mund të ngremë alarme, sepse nuk ka arritur intensitetin e madh siç ishte para dy vjetësh. Ndërkohë, qendrat shëndetësore të Tiranës, që prej datës 20 dhjetor punojnë edhe ditën e dielë”.
Duket se pjesën më të madhe të ngarkesave të të sëmurëve e ka përballuar shërbimi i urgjencave, kurse poliklinika e spitale vazhdojnë që të mbajnë shumë pacientë ashtu edhe në Spitalin Infektiv.
Gripi sezonal (i njohur si influenca sezonale) i njeriut është një sëmundje akute e aparatit respirator, e cila në hemisferën veriore, ku bën edhe Shqipëria, shfaqet mes dhjetorit dhe marsit. Ajo shoqërohet me simptomat si zjarrmi, dhimbje të kokës dhe të muskujve dhe mund të sjellë deri te komplikime të rënda, ashtu edhe si ka ndodhur.
Ndërkohë problem më i madh i kohës është dukja e rasteve të para të gripit të Shpendëve, në vendet fqinje, që lidhet me shpezët dhe që ka pasoja të rënda për njerëzit. Ai konsiderohet edhe si murtaja klasike e shpezëve, një sëmundje që përbën një epidemi të kafshëve që është shumë ngjitëse. Virusi më i njohur i gripit të shpezëve H5N1 është i rrezikshëm për shumë lloje të shpezëve. Kurse virusi i gripit të shpezëve nuk është i kalueshëm nga njeriu në njeri.
“Gripi i shpendëve është gripi të cilit duhet t’i ruhemi tani pasi po shfaqet me rendimente të larta në vendet fqinje”, shprehet doktori.
Për fat, gripi i këtij viti nuk mund të konsiderohet si lloj i gripit pandemik, që do të thotë se kemi të bëjmë me rastet e përhapjes së ndonjë virusi të ri. Me konceptin pandemik futen sëmundjet virusale ,që janë të përhapura në shumë vende dhe kontinente, dhe që nuk u njihet origjina e virusit. Më saktë pandemik krijohet kur përshfaqet një virus i ri i panjohur për sistemin imun të njeriut dhe ky virus është i kalueshëm lehtë nga njeriu në njeri. Për të treguar pasojat e këtij lloj gripi duhet të kujtojmë “gripin e ashtuquajtur spanjoll”, që 100 vjet më parë mori jetën e miliona banorëve. Pandemitë masive janë rishfaqur dhe dy herë në shekullin e kaluar dhe kanë rezultuar me pasoja fatale.
Referuar Institutit të Shëndetit publik, rreth 19 000 persona në të gjithë vendin kanë qenë të prekur nga epidemia gripale, ku disa të tjera kanë qenë në gjendje të rëndë. Në këtë shifër kanë ndërruar jetë dy persona, që kanë vuajtur edhe sëmundje të tjera.
Por, Shqipëria duket se po e kalon falë dhe përmirësimit të kushteve të motit, por edhe ndërgjegjësimit më të madh të popullatave sa i përket gripit në fjalë. Doktori Arjan Harxhi beson se situata tashmë po kalon e gjitha nën kontroll. (Javanews)