Një 31-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e djeshme në Shijak të Durrësit pasi qëlloi me armë zjarri kallashnikov në ajër.
Njoftimi i policisë:
Drejtonte mjetin në gjëndje të dehur dhe qëllonte me armë zjarri në ajër duke rrezikuar jetën e banorëve, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të Policisë u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi i 31-vjeçarit.
31-vjeçari, i dënuar më parë në fushën e narkotikëve. Sekuestrohet 1 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe automjeti me të cilën qarkullonte.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, pas një telefonate nga qytetarët në Sallën Operative, se në Shijak, një shtetas po xhironte gomat e makinës dhe qëllonte me armë zjarri, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke parandaluar ndonjë ngjarje të mundshme kriminale.
Forcat e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me Forcat Shqiponja dhe shërbimet e Policisë Shijak, kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e shtetasit Emiljano Norja, 31 vjeç, banues në Shijak, i dënuar më parë për veprën penale “Mbajtje e lëndëve narkotike”.
Ky shtetas ditën e djeshme rreth orës 20:00, në qytetin e Shijakut, duke drejtuar në gjëndje të dehur mjetin tip “Audi”, ka qëlluar me armë zjarri në ajër duke rrezikuar jetën e banorëve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri kallashnikov, 1 krëhër me 23 fishekë dhe automjeti me të cilën ky shtetas qarkullonte.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
/b.h