Nga Preç Zogaj
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota mbarë do të përjetojnë të hënën ceremoninë e kalimit të pushtetit ekzekutiv nga duart e Presidentit në detyrë Joe Biden në ato të Presidentit të zgjedhur, Donald Tramp.
Sado paradoksale t’u tingëllojë ithtarëve të pushtetit pa cak, kjo ngjarje është madhështore nga përsëritja e saj e shpeshtë, një herë në tetë vjet dhe me raste një herë në katër vjet.
Dy vizione dhe dy Presidentët që i mishërojnë ato shkëmbehen në jetësimin e rrotacionit të pushtetit. Fituesi vjen, humbësi shkon. Me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, siç ishte rasti i Donald Tramp para katër viteve, ata shtrëngojnë duart dhe pozojnë bashkimin pa tronditje të Amerikës rreth bazave të sistemit demokratik. Duke vërtetuar pambarimisht thënien në dukje kontraverse të një vërtetësie te thellë se zgjedhjet e lira janë pikësëpari mjeti me e lënë pushtetin nga pala që e ka.
Në prag të ceremonisë së të hënës kur Amerika dhe bota do të dëgjojë fjalën inaguruese të Presidentit Tramp, prozhektorët kësaj jave kishin në fokus aktet e largimit të Presidentit Biden. Në fillim një letër e hapur publikuar të mërkurën, në të cilën rrëfente se katër vjet më parë kishte kandiduar për President “sepse besoja se shpirti i Amerikës ishte në rrezik”. Kjo fjali e natyrës apostolike nuk do të kishte sens të rrëfehej tani nëse nuk do të ishte menduar në funksion të fjalisë vijuese: “Vetë natyra se kush jemi ishte në rrezik dhe kjo ende vazhdon të jetë”. Fjali e cila në pamje të parë pohon se Presidenti nuk e kishte realizuar premtimin e tij. Por nga ana tjetër hedh vështrimin mbi kompleksitetin e sfidave të reja me të cilat përballet SHBA, veçanërisht demokracia si vlera më e madhe e saj.
Në të njëjtën ditë në mbrëmje zoti Biden mbajti nga zyra ovale fjalën e lamtumirës. Brilante në thjeshtësinë, thellësinë dhe qartësinë karakteristike, fjala e tij ishte ajo e një demokrati ‘par exellance’ dhe shtetarit të drejtë, me një karrierë të lavdishme pesëdhjetëvjeçare si senatori më i ri i zgjedhur për herë të parë në shtetin e tij të lindjes Delauer në vitin 1972 dhe si Presidenti më i vjetër i zgjedhur në vitin 2020 përballë Tramp.
Midis këtyre skajeve të një karriere të pandërprerë në ngjitje do të gjejmë aktet e tij të forta nga pozita e kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Senatit në mbështetje të së drejtës së popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe vetëvendosje, deri përmes ndërhyrjes ushtarake me trupa të NATO-s. Siç ndodhi në fakt. Për çfarë shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë i mbeten përjetësisht mirënjohës, sikurse Presidentëve Klinton e Bush.
Midis këtyre skajeve janë edhe aktet e tij të fuqishme nga zyra ovale me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet demokratike edhe në Shqipëri, siç janë a) krijimi dhe udhëheqja e Forumit të madh të vendeve të lira në mbrojtje të demokracisë dhe në mbështetje te Ukrainës përballë agresionit të paprovokuar nga Rusia, b) përcaktimi i luftës kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë si përparësi e politikës së jashtme amerikane, c) konsiderimi i korrupsionit në vendet aleate, pra edhe në Shqipëri, si një fenomen që cënon interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-ve dhe, lidhur me këtë, d) nxjerrja e urdhrit ekzekutiv në zgjerim të një urdhri të mëparshëm të Presidentit Bush kundër krimeve të luftës në ish Jugosllavi, duke e zgjeruar atë urdhër tematikisht me krimin e korrupsionit dhe gjeografikisht me Shqipërinë, e) mbështetja e fuqishme, në vazhdën e administratës së mëparshme të Presidentit Tramp, të drejtësisë së re në Shqipëri, në veçanti të SPAK-ut, çfarë ka shënuar fillimin e historisë së re të “askush mbi ligjin” në vendin tonë.
Për të gjitha këto, pavarësisht preferencave politike, shqiptarët në shumicë të madhe i janë e do t’i mbeten mirënjohës Presidentit të demokracisë, Joe Biden. Shqiptarët presin me shpresë e besim se administrate e Presidentit Tramp do t’i mbështesë edhe me fort këto përparësi të politikës amerikane në rajon dhe sidomos në një vend mik të veçantë si Shqipëria.
Presidenti Biden largohet nga posti i pamundur falë tërheqjes nga përballja e dytë me Tramp nën presionin e figurave të larta të kupolës demokrate, por edhe moshës së tij të shtyrë. Largohet me përgjegjësinë e një shtetari race të lidhur ngushtë me vendin e tij të madh, të cilit e ndjen si mision t’i shërbejë me fjalën e tij deri sa të ketë frymën dhe t’i garantojë një kalim të hijshëm të pushtetit, siç i ka hije traditës demokratike amerikane.
Plot pathos, Biden lartësoi në fjalën lakonike të largimit fjalët kyçe që e kanë bërë Amerikën vendin më të zhvilluar e më të fuqishëm në botë: liria, demokracia, mundësitë e pakufishme, ndarja dhe pavarësia e pushteteve, tjerë e tjerë.
Por demokracia nuk është një e dhënë e pandryshueshme. Ajo vjen si dhuratë dhe mbahet me përpjekje, thoshte Papa Gjon Pali i dytë. Si të kishte para syve këtë postulat, Biden apeloi përpjekjen e amerikanëve në mbrojtje të vlerave identitare të Amerikës, duket e vënë theksin te fjala që i jep kuptim demokracisë si sistemi i sundimit të popullit. Fjala pjesëmarrje. Pjesëmarrje në sfidë të indiferencës, lodhjes, frustrimit.
Ajo çfarë goditi në tekstin e Presidentit në largim ishte shqiptimi i fjalës “oligarki” si një sinjal rreziku për SHBA-të. Fjalë të cilën jemi mësuar ta dëgjojmë të thuhet për vende autokratike si Rusia apo për vende me demokraci hibride. Ka qenë vetë Biden që nga pozicioni i zëvendëspresidentit të qeverisë “Obama” në mandatin e dytë të këtij të fundit, ( 2012-2016) ka pasur ngritur gishtin kundër instalimit të regjimeve oligarkike në disa vende të Lindjes ish komuniste.
Alarmi i kësaj radhe kthehet në vendin e tij. “Sot, një oligarki me pasuri, fuqi dhe ndikim ekstrem po merr formë në Amerikë, çka përbën kërcënim për demokracinë tonë, të drejtat dhe liritë tona themelore dhe dëmton të drejtën që të gjithë të përparojnë”, i nguli fjalët Presidenti. Në vijim ai tërhoqi vëmendjen për “një përqendrim të rrezikshëm të pushtetit në duart e disa individëve ultra të pasur dhe pasojat e rrezikshme nëse shpërdorimi i tyre i pushtetit nuk vihet nën kontroll”.
Si për t’u dalë përpara spekulimeve se e kishte me të pasurit dhe pasurinë si të tillë, Biden evokoi një situatë të ngjashme të njëqind vjetëve në parë, kur populli amerikan mbrojti vendin “jo duke ndëshkuar të pasurit, përkundrazi, por duke garantuar pjesë të drejta për gjithë punëtorët”, nënvizoi ai. Në këtë pikë presidenti lançoi vizionin liberal të zgjerimit “të një klase të mesme që asnjë vend nuk e ka parë”.
Ndërsa pohoi se vlerat amerikane janë duke u “sprovuar vazhdimisht”, Presidenti Biden u dha vend pa arra nëpër gojë shqetësimeve për lirinë e mediave. “Amerikanët po varrosen nën një ortek dezinformimesh dhe keqinformimesh, që mundësojnë abuzimin me pushtetin”, tha ai. “Shtypi i lirë po shembet. Redaktorët po zhduken. Mediat sociale po heqin dorë nga verifikimi i fakteve. E vërteta po mbytet nga gënjeshtrat për pushtet dhe për përfitime”, theksoi më tej. Ai bëri thirrje që për t’i luftuar këto prirje, platformat e mediave sociale duhet të mbajnë përgjegjësi për t’i mbrojtur fëmijët, familjet dhe demokracinë amerikane nga abuzimi me pushtetin.
Nuk ishte nevoja të përmendeshin emra për të kuptuar se qoftë kur foli për një oligarki të pasurish me fuqi dhe ndikim ekstrem që po merr formë në Amerikë, qoftë kur foli për mediat sociale që po heqin dorë nga verifikimi i fakteve, Biden e kishte me protagonizmin politik të multimilarderit të mirënjohur Elon Musk, me manjatët e industrisë ushtarake, me drejtues të tjerë të lartë, si Mark Zuckerbeg i kompanisë META dhe Jeff Bezos i firmës Amazon të cilët u hodhën në karrocën e fitimtarit Tramp në momentet e fundit dhe do të jenë të hënën në rreshtat e parë të ceremonisë së përurimit të Presidentit.
Orteku i disinformacioneve që e vesh të vërtetën me maska dhe e bën atë irrilevante është një problem i madh jo vetëm i SHBA, por i gjithë botës. Të fuqishmit e përgjegjshëm të planetit janë thirrur të reagojnë e të veprojnë, njëlloj si për sfidat që ngërthejnë ndryshimet klimatike për jetën në planetin tokë.
Me siguri SHBA do të jenë të parët që do të japin zgjidhje. Ata janë vendi i lirisë. Ndryshe nga oligarkët rusë që i ka krijuar Kremlini, multimiliarderët amerikanë i ka krijuar liria, lidhur ngushtë me aftësitë dhe meritat e tyre individuale. Këta nuk mund të presin degën ku rrinë.
Shkrimtari i madh rus me origjinë hebreje, Vitali Grosman, shkruante në një ese të tijen se zhvillimi në Perëndim është i mbështetur mbi lirinë, ndërsa zhvillimi në Rusi përgjatë gjithë kohërave ka qenë mbështetur mbi skllavërinë. Dhe kjo shpjegon diferencën mes tyre, pavarësisht se mendje gjeniale e talente ka patur e ka edhe në Rusi, edhe në Perëndim.
Në fakt fjalët që shpjegojnë epërsinë e SHBA janë demokracia dhe hapja. Pa to SHBA nuk do të ishte qyteti që shndrit në kodër.
Nga kjo pikëpamje mesazhet e Biden për popullin amerikan dhe natyrisht edhe për pasardhësin e tij Tramp janë ato të një shtetari të urtë e të përgjegjshëm, qe është mbrujtur si i tillë nga vetë nga historia e demokracisë amerikane.
Teksa i kalon pasardhësit Tramp trashëgiminë dhe testamentin e shtetarit të lartë, Biden duket sikur i lë në dorë, kësaj radhe si patate përvëluese, çështjen e Ukrainës kur rreshtoi në bilancin e arritjeve të tij “Ukraina është akoma e lirë”. Çdo të bëjë Tramp me Ukrainën? Do të lejojë të pushtohet nga Rusia duke poshtëruar Amerikën? Apo përballë intasigjencës së Putin për t’u zgjeruar me toka të pushtuara më luftë e për të imponuar lënin e Ukrainës në mëshirën e ujqërve të Moskës, Tramp do të vijojë mbështetjen e Kievit deri sa të krijohen kushtet për një paqe të drejtë mes dy vendeve.
Sfidat e mëdha janë të lehta për t’u tretur në narrativat elektorale populiste. Të vështira për t’u implementuar në politikën reale.
Por radha e Tramp rifillon të hënën.