Nga Irena Luto
Nuk mbaj mend se cila ishte e para ndeshje volejbolli që kam parë dhe as që di të kem patur ndonjë lojëtare apo lojëtar të preferuar të këtij sporti.
Ajo që më kujtohet nga vitet e Rinisë sime të hershme, ishte një foto bardh e zi, në dhomën e mësuesve të fiskulturës, që tregonte në profil një vajzë të re e të bukur, me flokë të dendur e të verdhë, e cila mbante veshur bluzën e Studentit.
Fotoja tregonte një ndeshje volejbolli dhe ishte ngjitur në mur ndoshta për të kujtuar një epokë të artë, apo për të tërhequr vëmendje lidhur me standartin që kërkohej prej nesh, aspirantëve të vegjël.
E shihja shpesh atë foto sa herë merrja topat, kërkoja leje në emër të klasës për të filluar ndeshjet pas nxehmjes, apo edhe kur kaloja ashtu kot për të përshëndetur mësuesen, traineren, edhe kujdestaren tonë të vërtetë në Shkollën Fan Noli të viteve 80.
Zysh Sasha nuk ishte mësuesja, të cilës mund t’i bëje shumë pyetje, ndaj edhe nuk di shumë për jetën e saj sportive apo private.
Ajo kishte një cehrje në dukje të serhtë, por që i bëntë fresk një zemre të ngrohtë e të bardhë.
Ajo dinte të dukej elegante edhe kur me tutat e mbledhura mbi gjunjë dhe bilbilin e varur në qafë, na thërristë nga një cep i oborrit të shkollës tek tjetri.
Ajo dinte të dukej e bukur edhe kur nga dëshpërimi prej përformancave tona të dobta gufmonte tërë nerva, flokët e shpurpurisa, nga të cilat kërkonte vetëm volum.
Ajo dinte të dukej zonjë edhe kur gjestikulonte shpejt me duart e shkathta e gishtat e gjatë, që kur nuk ishin të zëna me top, vërtisnin cigare.
E kujtova zysh Sashën, pak javë më parë kur me Dorin, e cila ka filluar punë në palestrën e lagjes, (edhe ajo një ish volejbolliste) po flisnim për shkollat sportive dhe perspektivën e rihapjes së tyre.
Zysh Sasha nuk pati shumë fat me klasën tonë. Jo vetëm që nuk fituam kampionatet në shkallë kombëtare, por edhe e turpëruam me plogështinë tonë në Pogradec, ku të vetmen këshillë që mund të na jepte në gjysëmfinalen ndaj Partizanit ishte: “vajza ruani fytyrat nga zhytjet”.
Dhe ne ashtu bëmë. Duart lart, sa herë shtatlartat e shkollës Kushtrimi I Lirisë canin bllokun tonë.
Jo vetëm që dolën vendi i kartërt 2 vite rresht, por u desh edhe ta kalonin vitin e fundit të 8-vjecares nën talljet e djemve të klasës, që i sollën Dinamos dhe shkollës sonë Kupën e Republikës.
Po i tregoja Dorit, këto edhe të tjera copëza nga karriera e shkurtër nën fanellën e Dinamos, si pjesë e klasës sportive të shkollës Fan Noli.
Gjatë të gjithë bisedës, teksa zgjoja një nga një muskujt e kujtesës, fillova të mbushesha me mall e nostalgji. Doja të kujtoja më shumë, të gjeja detaje të tjera nga ato që kam ritreguar kaq herë, por e pata të vështirë. Ato kishin rënë në gjumë të thellë edhe pa ndihmën e ndonjë kontemporani vështrë t’i zgjoj përsëri.
Cfarë po bëhet me klasat sportive sot? Jo shumë larg, u fol për një rikthimin të tyre si pjesë e një strategjie për të masivizuar sportin dhe rritur interesin tek moshat e reja. Uroj të jetë duke u zhvilluar projekti!!!
Këto shkolla do të jenë një lajm shumë i mirë për ata prindër që nuk kanë mundësi të paguajnë për kurse private edhe për ato talente të reja që nuk kanë as miq apo shanse të zbulohen nga skaut profesionistë.
Edhe për Dorin (instruktoren e palestrës sonë) dhe ish sportistët si ajo, do të jetë një mundësi e mirë për të ndarë eksperiencat dhe talentin e tyre.
Pothuajse shumica e fëmijëve që unë njoh ndjekin sporte të ndryshme, por është tjetër gjë kur ekipet ku ata aderojnë janë pjesë e klasave ku marrin dijet.
Janë pothuajse të njohura nga të gjithë, të mirat që I sjell sporti shëndetit. Në një kohë kur obeziteti tek moshat e reja po kthehet në një pandemi moderne, theksi po vihet gjithnjë e më shumë tek një jetë aktive e sportive që në moshë të re.
Përvec aspektit fizik, studimet kanë treguar se sporti luan një rol pozitiv edhe në arritjet akademike tek të rinjtë, rrit tek ata besimin në vetvete dhe përmirëson zhvillimin psiho-social.
Prej kohësh është thënë se elementet e sportit, si disiplina e stërvitjes, të punuarit në skuadër, të mësuarit të udhëhiqesh qoftë nga trainer apo kapiten, pranimi i humbjes, janë aftësi, të cilat atletët i përgatisin për jetën.
“Sporti nuk formon karakterin, por e zbulon atë”, citohet të ketë thënë traineri legjendar i basketbollit, John Ëooden.
Me Dorin nuk kam komunikuar, që kur një nerv i keq në fund të shtyllës kurrizore e ndaloi me recetë aktivitetin tim fizik.
Dhe teksa merrja ilace dhe ndihmohesha nga një prej motrave në ushtrime fizioterapie, një mesazh që vinte nga mekanizmat telepatik të të panjohurës ma solli pranë të shkuarën.
Në inboxin tim zysh Sasha buzëqeshte në poza të ndryshme, ashtu e pandryshuar elegante, impozante, serioze e hera herës capkëne.
Mësuesja e trainerja e dashur më kishte rigjetur ashtu përmës Facebook edhe donte të dinte se cfare bëhej me mua e moshatarët e mi. Ashtu si gati trecereku i shokëve të skuadrës edhe ajo jeton jashtë Shqipërisë.
Rastësi e habitshme që zysh Sasha më rigjeti pikërisht në kohën kur kishta filluar të deatoja me zjarr për të mirat e shkollave sportive.
Vetëm pak ditë kanë kaluar që kur më shkroi për herë të parë dhe ende nuk kam arritur ta pyes, nëse mos ndoshta është kontaktuar si mërgimtarë të tjerë, për të qënë pjesë e projekteve madhore të Rilindjes.