Elbasan, arrestohen katër persona me 50 kilogramë drogë dhe armë
Policia e Elbasanit, ka finalizuar me sukses një operacion antidrogë në Librazh të koduar “Xhyra 2”, ku janë arrestuar katër persona, janë sekuestruar 50 kilogramë marijuanë dhe armë të llojeve të ndryshme.
Sipas policisë, janë asgjësuar edhe dy parcela me bimë narkotike, një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë, 1000 euro, 20.000 lekë të rinj dhe një automjet “Fuoristradë”.
Sipas policisë jnë vënë në panga: Adriatik Qoshku, 33 vjeç, lindur ne Babje-Librazhd dhe banues në Tirane; Ergest Çuni, 24 vjeç lindur e banues ne Poliçan-Berat; Shkëlqim Çepi, 38 vjeç, lindur e banues në Xhyrë-Librazhd; Klodian Çuka 29 vjeç lindur e banues Xhyrë-Librazhd.
Arrestimi i tyre u bë, pasi, në vendin e quajtur rruga e fshatit Babjes, Librazhd, këta shtetas janë kapur në flagrancë nga policia ku udhëtonin me automjetin fuoristradë të tipit ‘Mitsubishi’ me targë AA 849 KI, në drejtim të Tiranës. Gjatë kapjes në flagrancë u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 50 kg lëndë narkotike marijuanë , 1. 000 euro, 20 .000 leke të rinj, të cilat kanë shërbyer për blerjen e lëndës narkotike, mjë armë pistoletë ‘MINI BLOË’, një peshore elektronike si dhe sende të ndryshme që u kanë shërbyer personave për kultivimin e bimëve narkotike, 8 aparate celulare te markave te ndryshme.
Sasia e lëndës narkotike ìshte blerë nga shtetasit Adriatik Qoshku dhe Ergest Çuni në fshatin Xhyrë-Librazhd tek shtetasit Shkëlqim Çepi dhe Klodian Çoku të cilen pasi e kishin kultivuar dhe përgatitur ua kishin shitur shtetasve të sipërpërmendur me qëllim tregtimin e saj në qytetin e Tiranës.
Gjithashtu gjatë operacionit efektivat e policisë Librazhd në vendin e quajtur “Shpella e Pisjasit” në malin e fshatit Xhyrë, Librazhd kanë asgjësuar me anë të djegies 2 parcela me 222 bimë narkotike.
Nga informacionet e marra në rrugë operative rezulton se autorë të kultivimit të bimëve narkotike, dyshohet të jenë shtetasit Shkëlqim Çepi dhe Klodian Çuka, të cilët janë arrestuar më vonë gjatë operacionit në automjet së bashku me dy shtetasit e tjerë.
Po vijon puna nga ana e policisë, për zbardhjen e plotë të këtij trafiku, si dhe efektivat e policisë Librazhd po vijojnë Kontrollin e territorit për Evidentimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike.









