Nëse do të lexoni disa nga faktet mbi jetën e Hoakin Guzman i njohur më shumë me nofkën “El Çapo”, do të mendoni se ato janë marrë nga faqet e skenarit të ndonjë filmi hollivudian:tentativa për vrasje, dominim ndërkombëtar i trafikut të drogës, arratisje nga burgu dhe takime në xhungël me yjet e kinemasë.
Të gjitha këto do të ishin shumë të vështira për t’u besuar në rast se nuk do të kishte prova të forta për t’i mbështetur ato. Por fakt është se jeta e Guzman ka qenë larg nga të qenit e zakonshme, madje edhe sipas standardeve të “baronëve” të drogës.
I mbiquajtur “El Çapo?” (në spanjisht Shkurtabiqi) për shkak të gjatësinë së tij prej vetëm 1.67 metrash, Hoakin Guzman Loera e nisi karrierën kriminale në fillim të adoleshencës së tij, si një tregtar i suksesshëm i marijuanës gjatë viteve 1970.
Më pas ai nisi trafikun e kokainës në Meksikën Perëndimore nën drejtimin e mbretit të drogës Migel Gajardo. Pas arrestimit të këtij të fundit në vitet 1980, Guzman u ngjit në rangjet më të larta të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe e zgjeroi kartelin famëkeq Sinaloa.
Nuk kaloi shumë kohë dhe Guzman nisi të shquhej si një nga trafikantët më të fuqishëm të drogës në vend, ndaj po vihej në radarin e autoriteteve meksikane por edhe amerikane të zbatimit të ligjit. Ai do të burgosej 8 vjet gjatë viteve 1990, përpara se të arratisej prej andej në vitin 2001.
Por edhe kur ishte pas hekurave, karteli që ai drejtonte vazhdoi që ta zgjeronte ndikimin e tij. Në dekadën që pasoi pas arratisjes së tij, ai u ngrit deri në nivelin e “baronëve” historikë të drogës si Pablo Eskobar. Dhe në një moment, ai trafikonte gati çerekun e të gjitha drogave të paligjshme në botë.
Ndikimi i tij nisi të bjerë kur u arrestua sërish nga policia në vitin 2014. Edhe pse arriti q ëtë arratisej sërish, ai u kap shumë shpejt në vitin 2016. Që prej asaj kohe, ai vazhdon të vuajë dënimin në një burg në Shtetet e Bashkuara. Por pavarësisht kësaj, trashëgimia e tij është e pazakontë dhe ndoshta nuk do të zhduket asnjëherë.
Kjo sepse në kulmin e tij,karteli i Sinaloas transportonte më shumë se 1.8 ton kokainë në Çikago çdo muaj. Për këtë arsye, Guzman ishte krimineli i parë që u emërua “Armiku publik nr.1” në këtë qytet që nga koha e Al Kapones.
Gruaja e tij më e fundit ishte miss-i me origjinë amerikane Ema Koronel. Ata u takuan për herë të parë gjatë festës së ditëlindjes së saj të 17-të, pasi i ati ishte një nga ushtarët e kartelit të Guzman.Ai e dërgoi në SHBA për të lindur fëmijën e tyre, në mënyrë që të kishte një pikëmbështetje të re dhe të sigurt në vend.
Autoritetet u përpoqën që të ndalonin gruan e tij të hynte në SHBA, por në fakt nuk kishin asnjë akuzë zyrtare që të mund të ngrinin ndaj saj. Kështu, ajo ia doli të lindte fëmijën në SHBA, por emrin e babait e la bosh në certifikatën e lindjes.
Perandoria e drogës së Guzman përgjatë kulmit të lulëzimit të saj u zgjerua në 5 kontinente. Hoakin Guzman kishte një të dashur në burg, e cila ishte një ish-oficere policie. Zulema Hernandez kishte përfunduar në burg për ndihmën që u kishte dhënë trafikantëve të drogës. Në burh ajo u lidh me Guzman. Ajo u vra më vonë pas lirimit nga burgu.
Në arratisjen e parë nga burgu, El Çapo përdori 78 bashkëpunëtorë dhe dha në total një ryshfet prej rreth 2.5 milionë dollarësh. Ndërkohë gjatë arratisjes së dytë, përdori një motoçiklete pasi doli nga një tunel nëntokësor i hapur poshtë burgut.
Guzman ka qenë i njohur edhe për replikat e forta në rrjetet sociale me personazhe të njohura publike, përfshirë ish-presidentin e SHBA-së Donald Trump. Në vitin 2015, Guzman iu drejtua duke i thënë: “Unë do të të bëj që t’i të përtypësh fjalët që ke thënë!”.
Në vitin 1993 pati një përpjekje për të vrarë El Çapon, kur atentatorët qëlluan me armë zjarri mbi një makinë që ata besonin se ishte e tija në një aeroport të Guadalajara. Shtatë persona gjetën vdekjen, por El Çapo nuk ishte aty.
Baroni i drogës ndërtoi një shtëpi të madhe për nënën e tij, Konsuelo Loera. Shumë kantautorë vendas janë frymëzuar nga jeta e tij duke krijuar tekste këngësh që tashmë janë bërë shumë të njohura. Por në vend se të kritikohet, jeta e tij është romantizuar në baladat Narcocorrido, një lloj muzike popullore në Meksikën Veriore.
Ai është quajtur edhe si “Osama bin Laden i trafikut të drogës” për shkak të metodave të tij të pamëshirshme, dhe aftësisë së tij për t’iu fshehur policisë. Gjatë qëndrimit në një burg meksikan gjatë viteve 1993-2001, Guzman furnizohej rregullisht me drogë, alkool dhe prostituta.
Karteli i Sinaloas i udhëhequr nga Guzman, ishte objektivi kryesor i SHBA-së. Para se të arrestohej herën e fundit, shpërblimi i vendosur nga qeveria amerikane ishte 5 milionë dollarë. Shumë nga të afërmit e El Çapos, përfshirë djalin, vëllain dhe nipin e tij, kanë punuar së bashku me të në trafikun e drogës dhe janë vrarë nga rivalët e tij.
El Çapo vlerësohet se është përgjegjës i ndërtimit të të paktën 62 tuneleve të kontrabandës që policia ka lokalizuar në kufirin midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Aktori i njohur amerikan Shon Pen ishte i pari që e intervistoi El Çapon për revistën “Rolling Stone”. Intervista që u zhvillua në thellësi të xhunglës, u vlerësua si një ndihmë e madhe për autoritetet, pasi çoi shumë shpejt në arrestimin e baronit të drogës.
Guzman është martuar 4 herë, dhe është bërë e ditur se ai mbante kontakte me gruan e tij të parë deri në momentet para se të arrestohej herën e fundit. Ai u arrestua pa bërë rezistencë teksa përgatiste mëngjesin për gruan dhe dy vajzat e tij në një apartament të vogël. Në burg ai pati përherë shumë vizita.
Guzman vizitohej rregullisht nga avokatët, familjarë dhe bashkëpunëtorët, gjithsej 500 vizita. Ditëlindja e tij mbetet ende e paqartë. Dokumentet zyrtare japin 2 variante 25 dhjetor 1954 dhe 4 prill 1957. El Çapo cilësohet si një hero popullor në disa pjesë të Meksikës, dhe imazhi i tij është stampuar nëpër bluza, statuja, madje edhe në maskat që përdoren gjatë festës së Halloweenit.