Është zhvilluar sot seanca e radhës ndaj portugezit Ruben Saraiva, i akuzuar si vrasësi me pagesë i biznesmenit Ardian Nikulaj dy vjet më parë në lokalin “Coral” të të ndjerit në Shëngjin, nën motive hakmarrjeje.
Të paktën 10 dëshmitarë do të dëshmojnë në gjykatë, në çështjen penale ndaj portugezit Saraiva.
Paraqitja e tij është bërë me forca të shumta policie dhe masa të forta sigurie, që prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm kur është paraqitur në godinë (30 qershor).
Portugezi do përballet me dëshmitarët që ka thirrur Prokuroria, e cila thotë se ka prova se ai është autori.
Gazetari i Report Tv, Elvis Hila, informon se procesi ndaj tij po vijon me gjykim të zakonshëm, ndërsa vetë i dyshuari i ka mohuar akuzat në mënyrë të përsëritur.
Portugezi u ekstradua në Shqipëri më 31 dhjetor 2023 nga Maroku, ku dhe u arrestua dhe ku ishte fshehur pas atentatit, pasi autoritetet marokene pranuan kërkesën e drejtësisë shqiptare për ta dorëzuar atë.
Ndaj tij rëndojnë akuzat “vrasja për gjakmarrje” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.
Ruben Saraiva me nënshtetësi portugeze dhe rezidencë në Angli dyshohet se është ekzekutori i Ardian Nikulajat.
Për këtë vrasje në Angli janë arrestuar dhe ndodhen në proces ekstradimi edhe pjesa tjetër e grupit, një shqiptar që dyshohet se ka bërë pagesën dhe organizimin për llogari të kushërinjve të tij që kërkonin hakmarrjen dhe katër anglezë, të cilët vëzhgonin lëvizjet e viktimës dhe ia kalonin informacionet vrasësit Ruben Ribeiro Saraiva.