Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa foli këtë të mërkurë, më 7 tetor, në emisionin “Aldo Morning Show”, ku analizoi situatën ekonomike të familjeve shqiptare. Sipas tij, rritja e pagave nuk po ecën në të njëjtin ritëm me çmimet, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e shpenzimeve të përditshme.
Sefa theksoi se për të jetuar në mënyrë dinjitoze në Tiranë, një familjeje normale i duhen të paktën 1.7 milionë lekë të vjetra.
“E zëmë se një familje ka 2 milionë lekë të vjetra të ardhura në muaj. Po flasim për jetesë normale, asgjë më shumë, dhe nuk i përkasin shtresës së mesme, sepse nëse dalin nga puna apo nuk arrijnë dot të punojnë për dy muaj, atëherë absolutisht që janë në rrezik të varfërisë relative. Nuk bëhet fjalë për një shtresë të mesme, bëhet fjalë për një shtresë pak mbi varfërinë.”
Sipas ekspertit, fakti që edhe familjet me të ardhura mbi mesataren përballen me vështirësi për të përmbushur nevojat bazë tregon probleme më të thella në mënyrën se si funksionon ekonomia.
“Rritja e shpejtë e ushqimeve bazë është ajo që po ndikon më shumë, si dhe mosrritja në sasinë e duhur e pagave, pra dinamika e tregut të punës. Kombinimi i këtyre të dyjave, që ka disa vite që po ndodh, është vërtet vrasës. Edhe për faktorë të brendshëm, por edhe për faktorë të jashtëm, se ne nuk i kontrollojmë dot këto luftëra që po ndodhin rreth e përqark. Megjithatë, mosmarrja e masave nga ana jonë ka bërë që të jemi në këtë gjendje dhe prit se akoma s’kemi parë gjë.”
Një tjetër shqetësim, sipas tij, është raporti mes kostos së qirasë dhe rritjes së çmimeve të ushqimeve, ku kostot e blerjes së perimeve dominojnë.
“Thika është drejt kockës pothuajse, sepse për qiranë është parë që ka një ulje të ritmit të rritjes me 7% këtë vit, nga 25% vitin që lamë pas. Ajo që është e frikshme, e theksoj dhe një herë tjetër, është që perimet janë rritur me 11%. Për qiranë ti mund të lëvizësh në zona periferike dhe mund të manovrosh, po ç’do bësh me perimet? Do rrish pa ngrënë? Është e pamundur që ta konceptosh këtë gjë.”
Sipas Sefës, mundësia për të kursyer mbetet e kufizuar për pjesën më të madhe të familjeve shqiptare. Ai argumentoi se është e vështirë të menaxhohet buxheti kur pjesa më e madhe e të ardhurave shkon për strehim dhe ushqim.
“Fakti që jemi në këtë ‘kurth të konsumit’, ku po diskutojmë konsumin bazë, tregon që, nga ana strukturore, ekonomia nuk është dinamike dhe nuk arrin të prodhojë para mjaftueshëm për të gjithë ne. Duhet patjetër një ndërhyrje e madhe e menjëhershme dhe programet që po shohim nga ana e qeverisë, unë i shoh më shumë si nevoja për ndërhyrje emergjente, se dhe ata e kanë kuptuar që, po s’u ndërhy tani, ka rrezik të një krize të madhe në vitet që vijnë.”











