EKSKLUZIVE/“Ramadon kafsha”: Kam harruar si quhem!
Ledio Lako, ose siç e njohin mijëra e mijëra spektatorë me personazhin “Ramadon kafsha”, në një intervistë për JAVANEWS shprehet se galeria e personazheve që ai interpreton ka bërë që të humbë edhe emrin me të cilin ka ardhur në jetë. Sipas tij, edhe në shtëpi, jo vetëm në rrugë, e thërrasin ose “Ramadon” ose “Kapo” në varësi të situatave dhe jo emrin Ledio. Ai shprehet se është pak natyrë “grindavece” dhe shyqyr që s’ka flokë se do t’i shkulte. “Një ditë që nuk bëj për të qeshur dal me humbje”, shprehet Lako.
Si është Ledio Lako në jetë, po aq komik siç e njohin mijëra teleshikues në skenën e “Portokalli”-s apo vjen natyrë serioze?
Për të qenë realist jam më shumë komik në jetë, se sa në skenë. Kjo edhe për faktin se galeria ime e personazheve ku spikat “Ramadan kafsha” apo “Kapo”, kanë limitet e veta. “Ramadani” është një personazh grindavec, që nuk i qesh buza kurrë. Po ashtu edhe “Kapo” që luan të fortin, por edhe ai nuk buzëqesh asnjëherë e jo më të qesh. Janë situatat dramatike në të cilat vendosen këto personazhe ato të cilat prodhojnë humorin. Janë pikërisht këto personazhe ato të cilat më kanë bërë që të humbë edhe Ledio Lako, aq sa edhe në shtëpi, jo vetëm në rrugë, më thërrasin me emrat e personazheve. Sa për tipin tim jam pak grindavec, si “Ramadani”. Thuaj shyqyr që nuk kam flokë se do shkulja edhe flokët e mi. Të qënurit aktor i njohur ka kufizimet e veta. Nuk mund të jem aq i çlirët. Brenda meje vepron një lloj autocensure. Një veprim i imi bie lehtësisht në sy, krahasuar me një njeri të zakonshëm. Të qënurit i njohur ka koston e vet. Por nga ana tjetër na gënjen mëndja se jemi dhe aq të njohur. Kur isha me pushime në plazh, tek hyja në ujë, shikoj njërin që mi kishte ngulur sytë. Ishte refugjat në Gjermani. Sa e pashë filloi gjithë entuziazëm të më thoshte “nuk u zej besë syve, ka vite që dua të takoj sepse më shkrin me humorin që bën në “Portokalli”. A je aktor i Portokallisë më pyeti. Po i them, jam Gjini. Dhe ai që i fut një të bërtitur duke thirrur djalin e vet “ej, eja tako Gjinin, Skifterin”. E pashë shumë mirë sa më njihte.
Ke dashur të bëhesh aktor, apo aksidentalisht je bërë aktor?
Të them të drejtën kam dashur të bëhem aktor që 5 vjeç. Madje kam dashur realisht të bëhem aktor humori. Kisha ndërtuar edhe idhujt e mi, si Aleko Prodani, Koço Devole, Land Trebicka. Por është tjetër gjë të ëndërrosh e tjetër realiteti. Kur kam shkuar në shkollë për aktrim e kam kuptuat se gjërat janë krejt ndryshe. Ndërtimi i karaktereve është një process shumë i vështirë e i mundimshëm siç është “Ramadon kafsha”, “Kapo” dhe së fundmi Prof. Engjëlli.
Duke kaluar koha kupton se këto personazhe janë mjaft afatgjatë, madje kthehen edhe në fjalorin e përditshmërisë. Kur të zhduket krimi do të zhduket “Kapo”, kur të zhduken problemet e pronësis do zhduket dhe “Ramadoni” dhe kur njerëzit e ndershëm e të përgatitur të zenë vendin e tyre në shoqërinë shqiptare atëhere do të zhduket edhe prof. Engjëlli. “Siç duken bathët”, kjo punë do të vazhdojë gjatë. Ndaj edhe personazhet e mia do të jenë jetëgjatë në skenë.
Një shprehje thotë se humori të zgjat jetën. Tek ti si ndikon humori?
Do ndjehesha vërtetë mirë që humori ynë të zgjasë sadopak jetën. Ende nuk kam arritur të ma thotë dikush që i kam zgjatur jetën. Por dhe vetë më pëlqen ti marrë gjërat me humor. Shpresoj tek unë të ndikoj kjo shprehje. Përtej kësaj dua të theksoj se ajo çka njerëzit arrin të shikojnë çdo të diel në “Portokalli” vjen nga një punë vërtetë e mundishme. Është shumë i vështirë zhanri komedis. Aq më shumë sot nuk është e lehtë ti bësh njerëzit të qeshin. E vetmja gjë që më nxeh ndonjëherë është kur njerëzit dhe miqtë më thonë: “e ke në terezi sepse i fut nga një batutë në skenë dhe aq”. Edhe sikur të jem duke ngrënë pandispanjë, që vdes për të, çohem nga tavolina dhe iki. Të shijosh humorin do të thotë t’i kesh vënë ca gjëra në terezi. Të jesh i qetë. Kam një sygjerim. Njerëzit që kanë kredi të mos shohin humor. Kurse për mua, një ditë që nuk bëj për të qeshur dal me humbje.
Nëse nuk do isha aktor çfarë profesioni do kishe dashur të zgjidhje?
Refugjat. Shpresoj të mos jem vonë.









