Nga Armando META/
Selami Xhepa, një nga personalitetet e jetës politke dhe ekonomike në vend dhe ish-deputet i PD, në një intervistë ekskluzive për javanews.al analizon problematikat që lidhen me pabarazinë sociale në vend, pse financat e shtetit janë në një situatë kaotike dhe kritike, si dhe e sheh me mjaft dyshim përpjekjen e qeverisë për të shtrirë TVSH edhe mbi biznesin e vogël. Jashtë vëmendjes Xhepa nuk lë as zhvillimet më të fundit politike në PD duke bërë një autopsi të situatës në këtë forcë politike. Ai vlerëson se platforma e paraqitur nga grupi nismëtar në PD që konteston mënyrën e drejtimit të PD nga Basha dhe zgjedhjen e tij në postin e kryetarit është e vetmja mundësi reale për të vendosur paqen, si dhe për të frymëzuar demokratët. “Nuk shoh alternativë tjetër ringritjeje të PD dhe të të djathtës përveçse duke thirrur një kuvend të madh të të djathtës dhe zgjedhjes së një ekipi drejtues të përkohshëm që të administrojë një proces të ri zgjedhor ku të konkurojnë ndershmërisht personalitetet më të spikatura të së djathtës, përfshirë edhe kryetarin Basha. Besoj se nuk e ekzagjeroj sërish kur them se PD dhe e djatha janë në rrezik të shpërbërjes së plotë, duke përfunduar në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në një minorancë edhe më të rrudhur“, nënvizon Xhepa.
Pabarazia shoqërore duket se është thelluar këto vitet e fundit dhe perspektiva duket se edhe në të ardhmen ky hendek do të vijojë të përshkallëzohet. Natyrisht që nuk jemi në një sistem barazie shoqeroe, por edhe kontraste kaq të thella lenë vulën në problematikat sociale. Shteti gjithnjë e më shume po ‘fut duart’ në xhepat e shtetasve të tij herë me taksa të hapura e herë të fshehura. Si e komentoni këtë situate? Cilat janë arësyet? Përse qeverisjet gjithnjë e më shumë po humbasin dhe profilin e doktrinave që përfaqesojnë?
Pyetja që shtroni lidhur me pabarazitë sociale në vend dhe thellimin e hendekut midis të varfërve dhe të pasurve është para së gjithash një çështje normative, etike, por edhe politike pasi pabarazitë sociale të thella kanë qenë gjithnjë shkak i destabilitetit social. Nëse shohim prirjet globale të fenomenit, pabarazitë u ngushtuan dukshëm gjatë viteve të pas luftës së dytë botërore, por kanë filluar të ndryshojnë kahjen drejt rritjes (në disa vende, vrullshëm) pas viteve 1990. Dinamikat e kësaj sjelljeje të pabarazisë lidhen më së shumti me rolin e institucione dhe politikave, me shpejtësinë marramendëse të ndryshimeve teknologjike, të cilat konsiderohen si faktorët kyç në rishpërndarjen e të ardhurave që krijohen në ekonomi. Fjala vjen, raporti pagave midis një pune të pakualifikuar dhe një vendi pune në industritë e teknologjive të larta janë të pakrahasueshme. Nëse para viteve ’90 raporti midis pagës mesatare dhe një shefi ekzekutiv të një korporate amerikane ishte 1:60, ose që paga e një shefi korporate ishte 60 herë më e lartë se paga mesatare në ekonomi, sot (janar 2017) ky raport ishte 1:335 herë, ose që një shef korporate fiton 335 herë më shumë se një punëtor. Ky diferencial i lartë në raportet e pagave është i tillë në gjithë vendet, përfshirë edhe Kinën komuniste. Me këtë parashtresë dua të theksoj se fenomeni i pabarazisë sociale është tashmë prej kohësh një shqetësim global dhe në planin politik ngre shqetësime serioze lidhur me problemet e kohezionit social dhe fabrikës sociale, me humbjen e besimit tek sistemi politik dhe demokracia si formë e organizimit politik e shoqëror dhe bart potencial të madh të destabilitetit social.
Në kontekstin e shoqërisë sonë, mendoj se pabarazia është një fenomen prezent që vazhdon të thellohet vazhdimisht, edhe pse në një plan krahasimor me vendet e me pabarazi të larta, vendi ynë nuk spikat në një renditje të lartë. POR, në kontekstin e një shoqërie me një varfëri shumë të përhapur, kontrastet sociale janë shumë të dukshme. Me fjalë të tjera, kontrasti midis një të pasuri dhe të varfëri në Gjermani, është shumë e ndryshme se në Shqipëri. Pra, nga pikëpamja e prioritetit në axhendën politike do të rendisja varfërinë, si problemin themelor të shoqërisë sonë, dhe pabarazinë do e rendisja si të dytën. Problemi i Shqipërisë janë varfëria e shtuar dhe masive dhe kjo adresohet jo me politika taksimi, por me politika strukturore dhe institucionale. Këtu do të përmendja më konkretisht, rregulla të forta të përfaqësimit sindikal për të siguruar ndarjen e të ardhurave të krijuara nga puna në një mënyrë të drejtë, për standartet e mbrojtjes së shëndetit dhe rregullat e sigurisë në punë, etj. Në veçanti në sektorët që operojnë me koncesione, sic është shfrytëzimi i pasurive publike të nëntokës dhe mbitokës, transparenca financiare duhet të jetë shumë e fortë në mënyrë që shoqëria të krijojë besim tek rendi ekonomik dhe politik, tek institucionet e saj përfaqësuese demokratike. Një tjetër problem që lidhet me varfërinë mendoj se lidhet me strukturën e punësimit në vend, ku pesha më e madhe e të punësuarve në sektorin privat janë në bujqësi dhe në industritë fason, që tashmë prej kohësh kemi nënvizuar që paguajnë paga që janë nën kufirin e varfërisë.
Partia Socialiste paraqiti si rrugëzgjidhje të kësaj situate të pabarazisë kalimin në taksimin progresiv mbi të ardhurat. Por siç edhe u provua, kjo nuk ishte mënyra e duhur. Personalisht vazhdoj të këmbëngul se mënyra më e mirë për të adresuar varfërinë dhe pabarazinë janë mjetet e politikave fiskale nga krahu i shpenzimeve qeveritare dhe jo nga ana e taksimit. Po kështu, nuk mund të jetë krenari që vendi nuk ka lëvizje sindikale, ose kur në kushtet ajo është inekzistente, duhet që interesat e punëtorisë të merren në mbrojtje nga shteti, në mënyrë që ato të mos abuzohen. Partitë politike pasi vijnë në pushtet nuk bëhen më bartëse të interesit publik, por të grupeve të interesave që kanë fuqi më të fortë lobuese. Kjo është një temë shumë e gjerë dhe meriton vërtet një trajtim shumë serioz nga politika në mënyrë që të parandalojmë të papritura jo të pëlqyeshme që mund të ndodhin në të ardhmen jo të largët, por për efekt hapsire po e ndaloj këtu përgjigjen e kësaj pyetje.
Stabilizimi i financave të shtetit është njëra anë e medaljes, ndërsa stabilizimi i financave të familjeve është ana tjetër e medaljes. Duket se ekonomitë familjare po sakrifikohen në emër te financave shtetërore. Përtej rëndësis qe ka stabiliteti financiar i shtetit a eshte logjike që për këtë të behen kurban ekonomitë familjare nepermjet nje zinxhiri taksash ne nivel qendror dhe lokal si dhe në politikat ndaj biznesit?
Me duhet të them se financat e shtetit në një kuptim janë edhe më keq se financat personale. Eshtë vështirë të gjendet një vend i dytë ku ngarkesa fiskale normative dhe rendimenti fiskal të jenë në raport kaq disproporcional sa janë në vendin tonë. Më thjeshtë: me një tatim korporate 15% dhe normë marxhinale të lartë tatimi mbi të ardhurat prej 23%, me TVSH 20% dhe akciza që janë edhe më të larta se në rajon; me ngarkesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore edhe më të lartë se vendet e rajonit, vendi ynë krijon vetëm rreth 27% të PBB-së të ardhura, shifër shumë më e ulët se vendet e rajonit ku të ardhurat dhe shpenzimet qeveritare shkojnë në mbi 35% të PBB-së. Ky nivel shumë i ulët i të ardhurave kufizon edhe masën e shpenzimeve qeveritare. Një shtet i mirë është si një familje nikoqire, që shpenzon aq sa të ardhura krijon. Pikërisht problemet e mëdha social-ekonomike të vendit kanë diktuar një huamarrje permanente, duke bërë që sot barra e borxhit publik të shndërrohet në një rrezik për financat e vendit. Ajo që ka ndodhur veçanërisht pas vitit 2010 në Shqipëri është se nga një anë është rritur borxhi publik për shkak se të ardhurat kanë rënë dhe shpenzimet buxhetore kanë mbetur rreth 30-31% e PBB-së, porse struktura e shpenzimeve është problematike. Janë rritur shpenzimet korrente, që janë joproduktive (në sensin ekonomik të fjalës) ndërsa janë ulur shpenzimet kapitale, të cilat janë një burim i rritjes ekonomike në vitet e ardhshme. Ky hendek në rritje midis rritjes së borxhit publik dhe uljes së shpenzimeve kapitale është me rrezik serioz financiar, pasi për agjentët ekonomik kjo nënkupton pritshmëri të rritjes së barrës së taksave në ardhmen.
Zgjidhjet nuk janë të lehta: buxheti ka nevojë të taksojë që të sigurojë të ardhurat e nevojshme për të kryer funksionet e veta, ndërsa familjet duhet të shtojnë të ardhurat që të paguajnë më shumë duke shtuar të ardhurat. Fatkeqësisht të ardhurat e buxhetit nuk janë shtuar, por gjendja është akoma më keq për të ardhurat familjare. Mosindeksimi i pagave dhe pensioneve për një periudhë të gjatë kohe dhe në përgjithësi një gjendje stanjante e të ardhurave nga puna, përballë një barre taksimi të shtuar, në një mënyrë të dukshme kjo në taksat dhe tarifat lokale dhe shërbimet publike (uji i pijshëm, energjia elektrike, tarifat e pastrimit, etj.), kanë prodhuar një situatë të rënduar për familjet që prej vitesh manifestohet në treguesit e përkeqësuar të konsumit.
Personalisht besoj se ne kemi bërë zgjidhje të gabuara në alokimin e shpenzimeve publike dhe se mbi të gjitha ne kemi probleme serioze me eficiencën e përdorimit të parave publike. Problemi pra është qeverisja e mirë dhe eficiente, menaxhimi profesional i ekonomisë dhe buxhetit, qeverisja me standarte transparente në prokurimet publike.
Si e vlerësoni politikën e qeverisë për të shtrirë TVSH edhe tek biznesi i vogel? A do të mbart kosto kjo për biznesin e vogël?
TVSH në thelb paguhet nga konsumatori final dhe si e tillë nuk duhet të përbëjë një problem për biznesin dhe, në rastin konkret, as për konsumatorin pasi edhe sot pavarësisht se dikush shpenzon në një tregtore që nuk është subjekt i TVSH, paguan të njëjtin çmim për mallin si dhe në një tregtore që është subjekt i TVSH. Këtu bëjnë përjashtim artizanët (të cilët duket se do të përjashtohen) dhe profesionet e lira (berberë, njësi riparimi/shërbimi, etj) të cilët shtojnë si vlerë vetëm krahun e tyre të punës, dhe krahu i punës do të tatohet me TVSH(!). Mosdiferencimi i subjekteve për efekt të regjistrimit si subjekt i TVSH në planin parimor teorik sigurisht që duket se krijon barazi mes subjekteve si dhe shmag konkurerncën e pandershme por dhe lehtëson transaksionet midis subjekteve duke ruajtur praktikën e faturimit me TVSH në gjithë zinxhirin e shitjeve.
Por, për shkak se numri i subjekteve që do të duhet ti nënshtrohen këtij detyrimi është shumë i lartë – biznesi në Shqipëri dominohet në mbi 70% të tij nga mikrondërmarrjet – kjo bën që kostot e administrimit nga autoriteti tatimor të jenë shumë të larta, duke e bërë atë të paaftë që ta administrojë procesin në mënyrë eficiente. Kjo është arsyeja që dhe në vendet e BE-së ka një kufi përjashtues të xhiros – deri në 35,000 Euro në disa raste – për subjektet që përjashtohen nga regjistrimi si subjekt i pagimit të TVSH. Shtrirja e TVSH në gjithë segmentet e bizneseve sigurisht që do të ketë dhe kosto shtesë për bizneset e vogla të cilat duhet të përpilojnë dokumentacionin fiskal sipas kërkesave që ka ligji për TVSH. Bizneset duhet të kontraktojnë studio kontabilistësh për shërbimet profesionale dhe kjo sigurisht që është një kosto për ta. Po kështu edhe mënyra se si administrohet TVSH është një kosto për bizneset e vogla, pasi arkëtimi i TVSH në favor të buxhetit duhet kryer në momentin e shitjes ndërkohë që biznesi ruan inventare mallrash të pashitura për të cilat ka paguar TVSH-në që në momentin e blerjes. Kjo mospërputhje në kohë sigurisht që përbën një kosto shtesë e cila vështirë se mund të përballohet prej shumicës prej tyre. Kemi parasysh se bëjmë fjalë për biznese që sigurojnë të ardhura vjetore shpeshherë në nivelin e një page mesatare në ekonomi prandaj dhe personalisht e shikoj me skepticizëm realizimin e kësaj mase dhe dobishmërinë e shoqërisë prej një mase si kjo. Sot shumica e bizneseve të vogla janë thjesht në kufijt e mbijetesës dhe thjesht sigurojnë një të ardhur minimale për mbijetesën e familjeve. Kjo është më e ndershme dhe më ekonomike se sa ato të jetojnë me asistencë sociale dhe ndihma nga shoqëria.
Zhvillimet politike në PD, partinë më të madhe të opozitës, duket se paralajmerojne një vjeshte jo të qetë. Humbja e zgjedhjeve dhe zgjedhja e kryetarit të PD duket se nxorën në siperfaqe një problematikë të mbarsur prej vitesh në PD. Si i shkoni këto zhvillime? Opozitë pretektesesh? Çfarë vështirësie ka që të bëhet një program ku të reflektohen dhe ato problematika që fundosën PD në zgjedhje?
Personalisht i kam përjetuar me shumë keqardhje zhvillimet që ndodhën në PD që gjatë mandatit të saj të parë opozitar dhe në vazhdimësi. Shqipëria u angazhua në reforma madhore gjatë periudhës 2014-2017, ku spikasin reforma e sistemit të drejtësisë dhe ajo administrative. Qëndrimet politike jokoherente në raport me këto reforma, deri në ekstremizim të saj në disa raste, mendoj se luajtën një rol të dorës së parë në mungesën e besimit të publikut tek kjo forcë politike si alternativë qeverisjeje. Sigurisht që qeveria nuk ja bëri të lehtë të bërit opozitë, por kjo është pasojë e kulturës politike të munguar në vend dhe faktit se akoma nuk kemi krijuar një kulturë politike luajaliteti pozitë-opozitë, ku kësaj të fundit i mundësohet aksesi i plotë për të bërë transparencën e qeverisjes. Mbyllja e dyerve për opozitën dhe cinizmi politik që shoqëron debatin parlamentar në vend, shpesh mund ta kenë detyruar atë të braktisë sallën e parlamentit dhe të dalë nëpër sheshe. Por në asnjë rast këto lëvizje nuk mund të jetë një substitute për seriozitetin opozitar parlamentar dhe paraqitjen e alternativave të besueshme në parlament. Sigurisht që rezultati zgjedhor konfirmoi jo vetëm këto mangësi, por edhe dobësitë serioze të brendshme në parti. Mandati i kryetarit Basha ishte i kontestueshëm, edhe pse jo kaq hapur institucionalisht dhe fort sa tani në rizgjedhjen e tij, dhe kjo e dobëson pozitën e tij udhëheqëse. Edhe strukturat organizative politike është parë që kanë qenë krejtësisht të çorganizuara dhe në jo pak raste kanë ushqyer konfliktualitet të brendshëm, duke bërë që PD të hynte në zgjedhje krejt e papërgatitur dhe paorganizuar siç kërkojnë fushtat elektorale. Sigurisht që kësaj i shtohen edhe problemi i listave të kandidatëve të PD, administrimi procesit zgjedhor, etj., por në mendimin tim prioritare ishin problemet e brendshme në parti ato që sollën këtë rezultat katastrofik për PD dhe të djathtën shqiptare. Historia e zgjedhjeve në Shqipëri ka treguar se qytetarët arrijnë të dallojnë shumë mirë se cili është rreziku më i vogël për ta dhe kanë bërë zgjedhjet e duhura si një zgjedhje second best pasi për hir të së vërtetës zhgënjimi me të gjitha forcat politike është dramatik, siç dëshmohet nga largimet masive dhe depopullimi i vendit.
Mjaft figura të njohura në PD tashmë gjenden thuajse jashtë saj? Cila është kostoja e veprimeve të tilla, ku dihet se profilet politike nuk krijohen as brenda një dite e as brenda një muaji?
Tetë vite në qeverisje patën krijuar kosto të mëdha politike dhe besoj se nevoja për të rifreskuar lidershipin politik ishte e dukshme. Jam i sigurtë që demokratët e kanë mirëpritur parimin e ndryshimit të elitës politike në krye të partisë. Por, në një shoqëri demokratike proceset janë shumë të rëndësishme. Dhe unë besoj se procesi nëpërmjet të cilit u realizua ky ndryshim ishte aspak demokratik dhe krejtësisht i bazuar në preferenca personale. Nuk ju kërkua anëtarësisë së partisë që të shprehej me votë se cili duhej larguar dhe cili duhej afruar, ashtu sikurse dhe vetë zgjedhja e kryetarit të partisë ishte larg çdo standarti demokratik. Gara mungoi dhe i gjithë procesi ishte i kontestueshëm, duke bërë që gjendja e sotme e Partisë Demokratike të jetë në kufijtë e mbijetesës. Fatkeqësisht e gjithë e djathta shqiptare është në rrezik serioz. Rifreskimi i lidershipit nuk mund të jetë një proces i lehtë dhe që realizohet me një të rënë të lapsit, pasi vakumi që krijohet është me rreziqe edhe më të mëdha, sic edhe u provua.
Mbase nuk keni një formulë magjike, por cilat janë rrugët sipas të cilave PD se pari duhet të kthejë paqen brenda saj, dhe se dyti të kthehet në një opozitë efektive dhe me personalitete?
Mendoj se platforma e paraqitur nga një grup relativisht i gjerë personalitetesh politike demokratë mund të jetë një zgjidhje pajtuese dhe frymëzuese. Nuk shoh alternativë tjetër ringritjeje të PD dhe të të djathtës përveçse duke thirrur një kuvend të madh të të djathtës dhe zgjedhjes së një ekipi drejtues të përkohshëm që të administrojë një proces të ri zgjedhor ku të konkurojnë ndershmërisht personalitetet më të spikatura të së djathtës, përfshirë edhe kryetarin Basha. Vetëm at’herë besoj se elektorati i djathtë do të ‘qetësohej’ dhe lidershipi i ri do të kishte mbështetjen e të gjithë bazës politike dhe do të ishte garant i kohezionit mes të gjithë grupeve të ndryshme të interesit brenda partisë që aktualisht rrezikojnë ta përcajnë deri në shpërbërje. Besoj se nuk e ekzagjeroj sërish kur them se PD dhe e djatha janë në rrezik të shpërbërjes së plotë, duke përfunduar në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në një minorancë edhe më të rrudhur. Në një kuptim të gjerë të fjalës, këtë do ta konsideroja si një moment të rithemelimit të PD dhe të të djathtës.