Emisioni Java në RTSH vihet në zotërim të një dokumenti që sipas nesh, mund të jetë arsyeja e refuzimit të presidentit për të dekretuar ministrin e brendshëm edhe pse kryeministri e ka quajtur qesharake këtë arsye.
Analisti Lorenc Vangjeli tha mbrëmjen e së premtes se:
Një vendim gjyqësor i gjykatës administrative të apelit, të datës 7 dhjetor 2017, urdhëron shfuqizimin e dekretit të majit 2013 të ish-presidentit Nishani dhe të urdhrit po të majit 2013 të ish-ministrit të mbrojtjes Imami që kanë liruar dhe nxjerrë në rezervë ish-zëvendësshefin e shtabit të përgjithshëm, gjeneralin e brigadës Sandër Lleshi.
Gjykata ka vendosur rikthimin e tij në forcat e armatosura në detyrën e vjetër ose në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që ai mban.
Zoti Lleshi ka marrë pagat, siç konfirmon vetë kryeministri.
Ai nuk ka kërkuar të rikthehet në ushtri, por ka zgjedhur të jetë këshilltar I zotit Rama.
Me vendim gjykate, pra, Lleshaj mund të veshë uniformën e gjeneralit dhe kjo është me të gjitha gjasat arsyeja formale se pse Meta e ka konsideruar të papajtueshëm atë me detyrën e ministrit të brendshëm.
Një ushtarak aktiv nuk mund të jetë as ministër i mbrojtjes dhe as ministër i brendshëm.
Kushtetuta nuk e ndalon shprehimisht, por fryma e saj nuk e lejon këtë emërim.
Ky është rasti klasik i telasheve që shkaktohen në Tiranë nga mungesa e komunikimit institucional.
Nga ana tjetër, Presidenti nuk mund të refuzojë propozimin e kryeministrit për një anëtar të kabinetit.
Në rastin e zotit Lleshi ai duhet të thërriste kryeministrin në takim për ta shpjeguar këtë ngërç që mund të zgjidhej me një akt formal dorëheqjeje të Lleshajt nga uniforma e tij sepse pavarësisht se nuk e ushtron aktivisht detyrën e ushtarakut, formalisht ai është ushtarak aktiv.
Çka do ta bënte edhe funksionale ministrinë e brendshme.
Edhe nëse një dorëheqje e tillë nuk do të ndodhte, Presidenti duhej të firmoste gjithashtu, por duke shpjeguar publikisht rezervën e tij për kandidaturën e kryeministrit.
Kryeministri rifirmosi propozimin e tij sot dhe e nisi sërish në presidencë. Gjithashtu iu drejtua Gjykatës Kushtetuese që nuk ekziston, për të verifikuar kushtetutshmërinë e aktit refuzues të presidentit.
Redaksia e Java në RTSH pret pa ngut dhe gjithashtu hyn modestisht në këtë bast jo vetëm juridik mes presidentit dhe kryeministrit.
Kush do të ketë të drejtë mbas vendimit të gjykatës kushtetuese?
Apo mund të ketë edhe arsye të tjera, si në filmat e dikurshëm bardhë e zi…