Emisioni Java në RTSH ka publikuar për herë të parë dosjen e plotë të historisë së skandalit në Unazën e Re. Një histori mashtrimi që mund të kushtonte plot 18 milion euro, të cilat u shpëtuan falë zbulimit të medias dhe reagimit in extremis të autoriteteve shqiptare. E bashkë me të, edhe 12 milionë euro të tjera në një tjetër tender të marë nga kjo kompani nga OST-ja.
Analisti Lorenc Vangjeli zbuloi për herë të parë emrin dhe identikitin e ortakut “amerikan” të kompanisë amerikane Dunwell Haberman. Ai është Neesha Lynn Kumar.
“Nëse klikoni me këtë emër në Google, mund të dalin rezultate interesante”, tha Vangjeli, për personazhin që me gjasë banon në Londër, por kompaninë e ka të regjistruar në ishujt Sejshell.
Në emision zbulohet gjithashtu se aksioneri shqiptar i bashkimit të dy kompanive është Avdjol Dobi, i cili sipas dokumentave të bëra për herë të parë publike në Java nç RTSH, del se është gjithashtu edhe aksioner i kompanisë amerikane që kishte fallsifikuar dokumentacionin e garës.
Vangjeli shpjegoi komunikimin e ministrit Gjiknuri me ambasadën amerikane dhe përmendi për herë të parë edhe ekzistencën e një amerikani tjetër misterioz, të lidhur me Gjiknurin. “Më 7 dhjetor, të nesërmen e shpërthimit të skandalit, në lojë hyn një personazh enigmatik, me gjasë një ish-zyrtar i lartë amerikan në një agjenci të rëndësishme shtetërore. Amerikani i panjohur duket se ka këshilluar hapat e mëtejshëm të Gjiknurit. Ministri ka kontaktuar në linjë private me këtë personazh enigmatik, i cili me gjasë tani është pjesë e afërt e administratës së Trump dhe ndoshta pjesë e mekanizmit që po përshpejton hetimin e dyfishtë të skandalit” – deklaroi analisti LorencVangjeli.
Ministri Gjiknuri ka kryer studimet në SHBA, çka i ka mundësuar lidhje të hershme e personale me administratat amerikane, të cilat ai i ka shfrytëzuar që në kohën kur partia e tij, PS-ja, ishte në opozitë.
Vangjeli shpjegon se po në datën 7 dhjetor, të nesërmen e shpërthimit të skandalit nga media, Gjiknuri ka takuar një zyrtar të lartë të ambasadës dhe në të njëjtën ditë, në zyrën politike dhe ekonomike të Ambasadës amerikane në Tiranë, ka dërguar një letër me të cilën kërkon ndihmë për verifikimin e kompanisë Dunwell Haberman në Delaëare. Tre ditë më pas, Sekretari i Shtetit të Delaware Jefrrey Bullock konfirmon dyshimet për fallsifikim.
Vangjeli bëri dhe një shpjegim të kronologjisë së ngjarjeve për javën që rrezikoi dhe shpëtoi 30 milionë eurot e skandalit. Që nga shpërthimi i tij tek “Të PaEkspozuarit” e Rakipit, tek procedurat për anullimin e dy tenderave, të Unazës dhe të OST-së, tek konfirmimi i fallsifikimit me dokumentat e ardhura nga SHBA e deri tek kallzimi penal dhe sekuestrimi i parave të garancisë që kompania ka depozituar.
Për momentin janë dy hetime që po zhvillohen paralelisht, hetimi penal në Shqipëri dhe hetimi në SHBA, që me gjasë do të jetë hetim i një krimi federal.
Sipas Vangjelit, kjo nuk është hera e parë që Shqipëria është rrezikuar të humbasë dhjetëra milionë euro nga gara publike në të cilën kompani të ndryshme hyjnë me dokumentacion të fallsifikuar. Rasti më flagrant dhe i pahetuar është privatizimi i Albpetrol-it, ku u humbën 87 milion euro, në vitin 2012. “Kësaj rradhe, për fat të mirë, nuk ka asnjë dëm financiar për shkak të denoncimit në media dhe shpejtësisë së reagimit të autoriteteve”, tha Vangjeli.
“Unë nuk e di si do të shkonte fati i këtyre 18 milionë eurove dhe vetë projektit të Unazës së Re nëse një koleg nuk do të binte në gjurmë të këtij skandali. Padyshim që ky krim shkon përtej këtij recepsionistit. Bëhet fjalë për një organizim për të grabitur paratë e popullit shqiptar. Jo vetëm Loti Nr.1, por edhe dy lotet e tjerë dyshohet se janë me virus” – tha Zogaj.
Sipas tij, zgjidhja më e mirë është që të rifillojë gjithçka nga e para.
“Unë i bëj apel kryeministrit që të nisë nga e para, duke filluar nga detyra e projektimit, për të vazhduar me pas me garën e hapur dhe oponencën e kostove. Nëse kjo nis nga e para, kostoja do të dalë shumë më e ulët dhe transparenca do të jetë maksimale.” – deklaroi Preç Zogaj.
6 DHJETOR
Publikohet nga “Të PaEkspozuarit” në News 24 pretendimi se kompania DH Albania ka depozituar dokumente të falsifikuara
6 DHJETOR
Ministri Gjiknuri urdhëron fillimin e procedurave të pezulimit, për të mospasur dëm financiar.
7 DHJETOR
Anullohet Lot1 të Unazës së Madhe të Tiranës, dhe linja elektrike Burrel-Peshkopi.
7 DHJETOR
Me kërkesën e tij, ministri Gjiknuri pret në zyrë një prej përfaqësuesve të lartë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
7 dhjetor
Në lojë hyn një personazh enigmatik, me gjasë një ish-zyrtar I lartë amerikan në një agjensi shtetërore, që këshillon hapat e mëtejshëm të ministrit.
10 DHJETOR
I kërkohet ndihmë Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Uashington për të përshpejtuar procesin e verifikimit
11 DHJETOR
Mbërrijnë përgjigjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që konfirmojnë kryerjen e aktit të falsifikimit të dokumenteve nga kompania DH Albania në shtetin e Delaware.
11 DHJETOR
Tre ditë pas skandalit ka ndodhur a) zgjidhja e kontratave me DH Albania; b) dërgimi i materialeve në Prokurori; c) fillimi i procedurës për sekuestrimin e garancive të kontratave; d) propozimin për Agjencinë e Prokurimit Publik për ndryshime në aktet ligjore e nënligjore të ligjit mbi prokurimet publike.
11 DHJETOR
Fillon procedura ligjore për sekuestrimin në favor të shtetit shqiptar të garancive të kontratave të nënshkruara.
11 DHJETOR
I dërgohet zyrtarisht Agjencisë së Prokurimit Publik kërkesa për përjashtimin e subjekteve DH Albania dhe Biba X nga procedurat konkuruese për shkak të ngjarjes së ndodhur.
11 DHJETOR
Ministri Gjiknuri dërgon zyrtarisht propozimin Agjencisë së Prokurimit Publik për ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore. Propozohet të merret në konsideratë përcaktimi si normë detyruese për çdo operator të shpallur fitues: verifikimi i dokumentacionit të paraqitur në tender
11 DHJETOR
OST rishpall tenderin për linjën elektrike 220 kV Burrel-Peshkopi dhe trakti dalës i N/st Burrel.
12 DHJETOR
ARRSH rishpall tenderin për LOT1 të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti perëndimor.
***
Starton drejtësia e re, Zogaj: SPAK do të krijohet brenda marsit
Ngritja e dy institucioneve të rëndësishme të drejtësisë është komentuar në panelin e emisionit Java në RTSH mbrëmjen e së premtes.
Duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme, analisti Preç Zogaj u shpreh se tashmë i hapet rrugë krijimit të dy gjykatave të bllokuara, asaj Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.
“Nuk ka asnjë pengesë që këto dy gjykata të fillojnë të plotësohen me anëtarët e rinj. Ligji përcakton se KLP duhet të mblidhet shumë shpejt nga data e konstituimit dhe teorikisht duhet të nisë procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Njëkohësisht hap procedurën edhe për zgjedhjen e SPAK. Në informacionet e mia, bashkautorët e reformës që janë partnerët amerikanë, gjermanët dhe faktorët vendas kanë si synim që SPAK të ngrihet brenda muajit mars” – zbuloi Zogaj në studion e emisionit.
Sipas tij, Shqipëria do të ketë një prokurori speciale enkas për të shënjestruar korrupsionin në sferat e larta përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit.
“Ngritja e KLGJ lajmëron një gjyqësor të fortë e të pavarur që vendi nuk e ka njohur deri sot. Nga starti në mbërritje ka akoma rrugë, ka akoma sfida. Drjetësia e re po e çan rrugën mes pengesash që duan pengimin e saj si maksimum, infektimin e saj me virusin e drejtësisë së vjetër si minimum” – u shpreh Zogaj në editorialin e tij.
Ndërkohë gazetari investigativ Artan Hoxha ironizoi teksa tha:
“Në qoftë se kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski iu desh të çante në drejtim të Evropës nëpërmjet Hanit të Hotit, këtu tek ne janë duke hulumtuar se në çfarë drejtimi do të ikin kur t’u dalë emri te Prokuroria Speciale” – tha Hoxha.
Por analisti Lorenc Vangjeli iu përgjigj se pavarësisht kësaj, sot bota është tepër e vogël për t’u fshehur…
***
Lëvizjet studentore, nga dhjetori në dhjetor
A ka ngjashmëri mes Lëvizjes së Dhjetorit 1990 dhe asaj që po ndodh prej 10 ditësh në rrugët e Tiranës? Për të diskutuar mbi protestat studentore emisioni JAVA kishte të ftuar në panel protagonistët e djeshëm Arben Imami dhe Blendi Gonxhja, por edhe studentin Malin Muça.
Duke hequr një paralele mes dy ngjarjeve, Imami u shpreh se kemi të bëjmë me të njëjtat problematika të paraqitura nga studentët. Por sipas tij, nuk është e njëjta gjendje ku vendi ndodhej nën pushtetin e diktaturës.
“Megjithatë kemi të bëjmë me një problem politik serioz të strukturës sitemike. Ka gjithashtu probleme ekonomike, pavarësisht se të rinjtë e sotëm vishen shumë më mirë sesa ne në vitin 1990. Por shqetësimet ekonomike të familjeve shqiptare po reflektohen tek fëmijët e tyre” – tha Imami.
Ai shtoi se ka një problem që vendi nuk e zgjidh dot prej 30 vitesh dhe që ka të bëjë me kulturën. Imami thumboi gjithashtu situatën aktuale teksa u shpreh se në një vend ku nuk ka opozitë, e drejta e votës nuk funksionon.
“Ne shfrytëzuam hapësirën e lirisë dhe dolëm fitimtarë nga ajo luftë. Lufta ishte për pluralizmin politik dhe ne fituam të drejtën e votës dhe nisi krijimi i partive të reja. U fitua e drejta e besimit fetar e të tjera. Pra bazat mbi të cilat ngrihet një sistem demokratik. Gjithësesi, kultura jonë politike nuk po lejon sot që institucionet të stabilizohen në mbrojtje të lirive” – tha Arben Imami në studion e emisionit Java në RTSH.
Ndërkohë protagonisti i Dhjetorit `90, Blendi Gonxhja, hodhi kritika mbi opozitën aktuale.
“Mua më shqetëson sot roli i plakut të opozitës, që është Saliu dhe që del akoma në televizione. Mungon vetëm të dalë nëpër sheshe… Dhe kjo i bën një dëm të madh vetë kredibilitetit të opozitës. Sot vendi ka shumë nevojë që të ketë një opozitë të vërtetë. Kërkesat e studentëve sot janë të drejta, ndoshta ndryshon vetëm tempi dhe mënyra sesi po kërkohet të plotësohen” – tha Blendi Gonxhja në studio.
Sipas tij, qeveria ka pasur një ballafaqim me popullin dhe ka një sovran që ka folur përmes votës. Gonxhja u shpreh se të gjitha demokracitë e brishta nuk mund të jenë perfekte dhe përplasjet të tilla janë të zakonshme.
“Protesta e studentëve nxjerr në pah shumë probleme. Personalisht si administrator, unë shoh disa probleme që nuk mund të ishin të pazgjidhura në vitin 2018. Përshembull si konviktet” – tha Gonxhja në emisionin JAVA.
Ndërkohë që studenti i ftuar, Malin Muça, u shpreh kundër dialogut me kryeministrin Edi Rama.
Ai tha se kjo formë mospërfaqësimi është zgjedhur për të ruajtur kauzën e protestuesve dhe për të mos u përlyer me forca politike.
“Historia ka treguar se sa herë grupet e interesit janë ulur në tryezë me pushtetin, ata kanë dalë ose të kërcenuar nga takimi, ose të blerë dhe kauza automatikisht ka rënë” – tha Muça.
Studenti i Juridikut tha në panelin e emisionit Java se lëvizja e këtij dhjetori kërkon dinjitet.
“Ne askush nuk na dëgjon. Më shumë sesa çështje tarifash, kjo është një lëvizje që kërkon t’i kthejë dinjitetin shqiptarëve. Po ta vini re, në momentin që kryeministri u tall përmes televizorit, ne u shumëfishuam. Kjo është një përpjekje kundër sistemit të antivlerave” – tha Malin Muça.
Ai bëri të ditur se është shtruar një kërkesë e nëntë në listën e kushteve për qeverinë. Bëhet fjalë për arsimin falas për personat me aftësi të kufizuara.
“Ne nuk do të kërkojmë dialog dhe do të vijojmë të jemi një lëvizje pa kokë. Përfshirja e partive politike ka qenë një problem i ditëve të para të protestës. Sigurisht që studentët që aderojnë në partitë politike, kanë marrë pjesë. Por ne nuk pranojmë figurat e tyre” – tha ai.
Ky nga emeri duket si indian. Kush e ka fituar tenderin e 50 MW solar ne Akermi? Eh Damiani duhet te ishte arrestuar.