Që është i zoti në batuta kjo dihet, por që fushata e këtij viti të mbështetej kryesisht në batuta kjo ishte vështirë të parashikohej. E megjithatë, nëse bëhet fjalë për të papriturat, mirë është që të mos vihet bast për Edi Ramën. Duke folur në Pallatin e Sportit në Tiranë, përpara një turme të madhe grash të majta, socialiste dhe të LSI-së, Rama zgjodhi të bëjë ofertën më të veçantë për të mbështetur kandidatin e tij, si një votë me fitim të dyfishtë: kush voton Erionin fiton edhe një kryetar bashkie si ai, dhe nuk humbet gjinekolog si Kosova.
Po ta shohesh me vëmendje, kjo fushatë ngjan si fushatë për zgjedhje presidenciale. Ngjan sikur në çdo bashki të re të vendit do të zgjidhet monarku që do të ndreqë gjithë paudhësitë e shkuara dhe do të hapë një rrugë të ndritshme në të ardhmen. Pakkush e vret mendjen se bashkiakët e rinj do të ketë kompetenca deri tek trotuaret e ndriçimi publik, tek përpunimi i mbetjeve urbane dhe rruga që të çon tek varrezat publike. Duhet të mbahet fryma pezull: kushedi në çfarë tonesh do të veje fushata e ardhshme për zgjedhjet e përgjithshme, aty ku vërtet zgjidhet njeriu më i rëndësishëm i Republikës sonë Parlamentare, por që në katër vjet i ka mundësitë dhe kushtet të sillet si një monark i tërëfuqishëm. I aftë që të bëjë dhe gjinekologun për katër vjetët e shtatzanisë së çdo votuesi. Gjinekologun e mirë si Halim Kosova, që sipas bindjes së Edi Ramës, nuk duhet t’u mungojë grave në Tiranë, grave të majta, të djathta dhe grave pa parti./L. V./









